Kur pashë te Gjiri i Lalzit vilat e qeveritarëve,
tek notonin buzë detit, në luksin e shfrenuar,
kuptova pse vuajnë varfërinë shumica e shqiptarëve,
pse marrin arratinë bijtë e tyre, për t’u punësuar.

Kundrova një copë herë, me dhimbjen e shpirtit,
rreshtat e gjata, sistemuar mes gjelbërimit e detit,
si vilat marramendëse të Dubait në plazhet e floririt
thashë me vete: Ku je o drejtësi e verbër e këtij shteti?!

Ku je, o kontroll i djersës dhe gjakut të punëtorëve,
që është mpiksur këtu, me këtë shkëlqim vezullues?!
Ku jeni, o ligje, në dorë të gjykatësve e prokurorëve,
që gjoja mbajnë peshoren, për politikanët abuzues?!

Pse duhet të jetë kjo pabarazi katastrofike këtu,
në zemrën e dhjamosur të vendit tim të varfëruar?
Pse nuk kam një metër katror bregdeti edhe unë,
shokët e mi, njëherësh me pushtetarët kemi punuar?

Njëherësh me pushtetarët, kapitalizmin kemi filluar,
ne me pikatore në bordero, ata me miliona në portofol,
ne me kallo në këmbë, ata me vetura e skafe notuar,
fëmijët tanë pa punë, të atyre në universitete perëndimor.

Lexo po ashtu:  Njihuni me vendin që ka më shumë makina se njerëz!

Ku janë kampet e pushimit për popullin e lodhur në punë?
Ku janë çlodhjet e minatorëve dhe naftëtarëve të sfilitur?
Ku janë kushtet frymëzuese të intelektualeve, si ti e si unë?
Pse jetojnë luksin mediokrit dhe aspak njerëzit e ditur?

Kjo është demokracia e punëtorëve dhe fshatarëve të urtë?
Kjo është barazia e kushtetutës së shenjtë, alla shqiptare?
Si nata me ditën, djersa jonë dhe qejfet për disa hajdutë,
që mbrojnë me polici e ushtri vilat, nga zemërimet qytetare?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *