Kremlini e ka ndjekur për vite me radhë.

Bill Browder është bisha e Putin-it, financuesi anglo-amerikan që ishte promovuesi i “Aktit Magnitsky”, ligji i kërkuar nga Obama që sanksionon korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi.

Sergei Magnitsky ishte avokati dhe partneri rus i Browder: ai u ekzekutua në burg pasi zbuloi një mashtrim shtetëror prej 230 milionë dollarësh.

Dhe një pjesë e asaj shume, thotë Browder në librin e tij “Frizing Order”, përfundoi drejtpërdrejt në xhepat e Putin-it.

Që atëherë Browder ka luftuar për të gjetur drejtësinë ndaj Magnitsky-t dhe për të hedhur dritë mbi thesarin e fshehur të liderit rus.

“Ai ka 200 miliardë dollarë, oligarkët i mbajnë ato”, tha ai për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Moska ka lëshuar një urdhër arresti kundër tij përmes Interpolit dhe është përpjekur disa herë ta arrestojë.

Edhe pse Kremlini, kur i duhet të heqë qafe personazhet që nuk i pëlqejnë, di të përdorë metoda të tjera.

Pavarësisht kësaj, Browder nuk fshihet: në hyrje të zyrës së tij, në katin e fundit të një ndërtese në zemër të qytetit të Londrës, nuk ka asnjë masë sigurie apo truproje. Dhe është ai vetë që del për të mirëpritur vizitorin.

Karriera në Rusi

Financieri 57-vjeçar e bëri pasurinë e tij në Perëndimin e Largët të privatizimeve në Rusinë post-sovjetike në fillim të shekullit.

Dhe që atëherë i duhej të merrej me Putin-in.

Udhëheqësi rus, thotë ai, “e filloi të gjithë karrierën e tij si një djalë që i pëlqenin paratë: dhe askush nuk hyn në karrierën publike në Rusi me qëllime të tjera përveç vjedhjes të sa më shumë parave”.

Lexo po ashtu:  Koalicioni i partive shqiptare në Luginën e Preshevës, në ditën e votimit u “tradhtua” nga dy parti në Bujanoc

Rusia, shpjegon Browder, “është e organizuar si Sopranot”: domethënë një sistem mafiozësh që ndan territoret dhe ia dërgon paratë bosit, ose Putin-it.

Në këtë mënyrë, Cari i Kremlinit “ka grumbulluar mbi 200 miliardë dollarë që kur u bë president: gjë që e bën atë njeriun më të pasur në botë”.

Por padyshim që nuk do të ketë kurrë një copë letër që mund ta vërtetojë këtë: “Putin-i ka qenë gjithashtu një agjent shumë efikas i KGB-së dhe ka kaluar gjithë jetën e tij duke marrë ryshfete ose shantazhuar njerëzit që të bëhen pjesë e sistemit të tij.

Pra, ai e di se kushdo që ka një dokument me emrin e tij do të mund ta shantazhojë: kështu që ai nuk e ve veten asnjëherë në pozitën e të qenit zyrtarisht pronar i ndonjë pasurie”.

Të besuarit  dhe bashkëpunëtorët

Sistemi i krijuar është ai i përdorimit të të besuarve, që venë emrin në vend të tij, të cilët nuk janë askush tjetër veçse oligarkët e famshëm dhe famëkeq rusë.

“Kur doni të zbuloni se ku i mban Putin-i paratë e tij”, thotë Browder “duhet të filloni nga oligarkët, sepse ata njerëz i mbajnë paratë për të. Unë vlerësoj se 50% e pasurisë së oligarkëve është në fakt e Putin-it. Kush janë ata? Në listën e Forbes ka 118 miliarderë në Rusi: dhe 110 prej tyre janë të besuarit e Putin-it”.

Lexo po ashtu:  Baton Haxhiu flet rreth takimit me Stanishiqin

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për manjatët që jetojnë në Londër, të cilët në shumë raste shpallin se nuk kanë asnjë lidhje me Carin e Kremlinit.

“Por realiteti është se asnjëri prej tyre nuk mund të ishte bërë i pasur apo të kishte mbetur i pasur pa miratimin e Putin-it. Është ai që u jep leje për t’u pasuruar: dhe leja jepet në këmbim të ruajtjes së aseteve dhe ofrimit të çdo lloj shërbimi financiar që ai kërkon”, vazhdon Browder.

Kjo është arsyeja pse sanksionimi i oligarkëve është e vetmja mënyrë për të goditur drejtpërdrejt Putin-in: vendosja e tij në listën e sanksioneve është një gjest simbolik, por pa ndikim, ndërsa goditja e oligarkëve shkatërron aftësinë e Putin-it për të hyrë në kapitalin e huaj.

E megjithatë, paralajmëron Browder, “duhet theksuar se oligarkët nuk janë aktorë politikë. Kushdo që beson se disi oligarkët do të komplotojnë për ta rrëzuar atë, do të zhgënjehet sepse kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit në rrethin e brendshëm që rrethojnë Putin-in, “ministrat dhe krerët e shërbimeve të sigurisë.

As këta njerëz nuk do të lëvizin kundër tij, sepse Putin-i është një njeri i vogël paranojak që shkon në kërkim të pabesisë edhe atje ku nuk ekziston.

Ai nuk u beson këtyre njerëzve, të gjithë monitorohen nga të tjerët, askush nuk i beson askujt dhe nëse ai percepton shenjën më të vogël të tradhtisë, këta njerëz do të dërgoheshin në Siberi ose do të vriteshin”.

Lexo po ashtu:  Për të nderuar të rënët në luftë, çdo ditë në Ukrainë do të mbahet 1 minutë heshtje
Siguria personale

Browder nuk është aspak optimist: “Putin-i është një kriminel i vogël paranojak, në krye të asaj që në thelb është një organizatë kriminale. Nuk duhet të presim asgjë përveç mjerimit, sepse në fund të fundit Putin nuk ka asnjë kufi qoftë moral, qoftë nga ana e historisë. Ai do të ishte absolutisht i aftë të përdorë armë bërthamore. Ukraina është vetëm fillimi i ambicieve të tij”.

Një realitet ky që ka ndryshuar edhe përllogaritjen e sigurisë së vetë Browder-it.

Pyetjes nëse ka frikë se mos Putin e vret ai përgjigjet: “Putin-i më kërkon prej një dekade, që pas miratimit të “Aktit Magnitksy”. Arsyeja e vetme që jam ulur këtu ende është se ai ka mbajtur gjithmonë një këmbë në botën e qytetëruar dhe një në botën kriminale. Nga një anë më dërgonte kërcënime me vdekje, por nga ana tjetër i pëlqente të dilte në G20 dhe në samitet ndërkombëtare”.

“Kjo është ajo që më mbajti gjallë. Por tani që ai i ka të dyja këmbët në botën e krimit, ekziston një rrezik eksponencial i dhunës ndaj meje, sepse ai nuk ka asgjë më shumë për të humbur. Kjo do të thotë se duhet të jem në një gjendje gatishmërie ndryshe nga më parë”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *