Gjuha Jonë

Vëllezër shqipëtarë! 
Të prekim urtësinë, 
Të zëm’ udhën e mbarë, 
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë 
Edhe po do të jetë, 
Po sot në ditët tënë 
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti 
Gjithënjë Shqipërinë, 
Ish fort mirë qëmoti, 
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria 
N’atë kohë të vjetrë, 
Kish emrë Shqipëria, 
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë 
Ka nxjerrë Shqipëria 
Më pastaj e më parë, 
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë 
Dhe kish mundime tepër, 
Po sot pëndë dhe kartë 
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë, 
Të marrim dituritë, 
Se s’është koh’e parë, 
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë, 
Kombinë ta ndritojmë, 
Gjithë ç’është e ç’ka qënë 
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë! 
Sa shije ka e hije, 
ç’e bukur’edh’e lirë, 
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë 
Për gjithë shqipëtarët, 
Do na sjellë një dritë, 
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë 
Të gjitha mirësitë 
Dhe gjithë do t’i ngrerë 
Dëmet e marrëzitë.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët në Stamboll, 1918.

Si lum kush zë të mbjellë, 
Lum kush vë këtë pemë! 
Se kjo ka për të pjellë, 
S’mbulohetë me remë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *