Dihet se disa nga fjalët e huazuara janë bërë pronë e gjuhës sonë, prandaj zëvendësimi i tyre me fjalë të tjera të shqipes nuk mund të bëhet. Shumë emërtime të fushave të ndryshme, që kanë një zhvillim të veçantë e intensive, do të vijnë në shqipe në mënyrë të natyrshme bashkë me konceptet që shprehin, sepse mbushin një boshllëk në fjalësin e shqipes.

Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe ka rreth dy vjet që nuk është mbledhur. Akademiku Ethem Likaj në reagimin e tij pohon se Akademia e Shkencave në bashkëpunim edhe me Universitetin e Tiranës, për një kohë të gjatë kanë bërë një punë të madhe për hartimin e dokumenteve gjuhësore normative në shërbim të shqipes standarde, por shton ai detyrë parësore mbetet zbatimi me ndërgjegje dhe me përgjegjësi i këtyre dokumenteve në shkolla, institucione dhe gjithandej ku flitet dhe duhet folur gjuha shqipe.

Sipas akademikut dhe gjuhëtarit Ethem Likaj, standardi jo vetëm që nuk ruhet, por dëmtohet keq, në qoftë se edhe specialistët me formim gjuhësor profesional, pra mësuesit e gjuhës shqipe, kur japin mësim të çdo lloji, nuk flasin gjuhën standarde, por dialektin përkatës. Në një intervistë për “SOT” ai pohon se tashmë janë kryesitë e të dy akademive, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të cilat do të vendosin se kur do të mblidhet.

Lexo po ashtu:  Edi Rama dhe Ballkani i Hapur

“Në përdorimin e fjalëve të huaja duhet mbajtur një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht dhe praktikisht. Dihet se disa nga fjalët e huazuara janë bërë pronë e gjuhës sonë, prandaj zëvendësimi i tyre me fjalë të tjera të shqipes nuk mund të bëhet. Këto fjalë nuk dallohen më nga fjalët e tjera të shqipes; ato janë përvetësuar plotësisht nga shqipja, si: karrocë, fytyrë, pemë, qytet, shëndet, rrugë etj. Kanë zënë vend, natyrisht, edhe fjalët ndërkombëtare të fushave të ndryshme të veprimtarisë shkencore, politike, ekonomike, teknike, artistike dhe shoqërore, si: filozofi, gramatikë, mikroskop, radio, telegraf, kompjuter, biznes, balet, muzikë etj. Nga këto gjuhë, dhe nga gjuhë të tjera, shqipja ka marrë dhe do të marrë fjalë që nuk i ka vetë. Shumë emërtime të fushave të ndryshme, që kanë një zhvillim të veçantë e intensive, do të vijnë në shqipe në mënyrë të natyrshme bashkë me konceptet që shprehin, sepse mbushin një boshllëk në fjalësin e shqipes. Këto huazime, të të dyja llojeve, kanë vlerë pasuruese, por, kur bëhet pa kurrfarë kriteri e pengese, kthehet në një dukuri të dëmshme për gjuhën. Prandaj duhen bërë përpjekje edhe për t’i penguar, edhe për t’i zëvendësuar këto huazime me fjalë shqipe me të njëjtin kuptim“, nënvizon Ethem Likaj. / Koha.mk/

Lexo po ashtu:  Pse i lodh kot përkrahësit e tu, o Sali!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *