Greqia kundërshtoi kërkesat turke për të çmilitarizuar 16 ishuj të Egjeut. Qeveria turke tha se mbron të drejtat e saj dhe se mbetet e angazhuar për negociata, por analistët paralajmërojnë se “diplomacia” gjithnjë e më e ashpër e Turqisë kërcënon të izolojë Ankaranë dhe të shkallëzojë tensionet rajonale.

“Greqia nuk provokon, nuk shkel të drejtat sovrane të të tjerëve, por nuk i pëlqen që t’i shkelen të drejtat e veta,” tha të shtunën ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos.

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar akuzoi të mërkurën Greqinë për mbajtjen e trupave në ishuj, në kundërshtim me Traktatin e Lozanës të vitit 1936, i cili përcakton rregullat në Detin Egje midis Turqisë dhe Greqisë.

Mosmarrëveshja e ka zanafillën në vitin 1974 kur Athina filloi të militarizojë ishujt pranë brigjeve turke në përgjigje të pushtimit të Qipros nga Turqia pas një grushti shteti pro-grek.

Përqendrimi i ministrit Akar te kjo mosmarrëveshje shihet gjerësisht si pjesë e një politike më të gjerë. “Turqia po kërkon sot demilitarizimin e ishujve, kur [ka] një rritje të jashtëzakonshme historike të numrit të avionëve turq që shkelin hapësirën ajrore greke,” thotë studiuesi politik Cengiz Aktar në Universitetin e Athinës.

Lexo po ashtu:  Si po na e shtrembërojnë fotografitë kujtesën dhe imazhin për veten?

“Është një mesazh se Turqia është një forcë agresive në Mesdheun lindor dhe Turqia jep përshtypjen se dëshiron një konflikt të nxehtë me fqinjin e saj, Greqinë,” thotë ai.

Javën e kaluar, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i rriti edhe më tej tensionet, duke njoftuar se anijet kërkimore turke do të vendosen në ujërat e kontestuara qipriote për të kërkuar naftë dhe gaz.

Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit natyror në Mesdheun lindor nga Izraeli dhe Qiproja ka nxitur një përplasje mes vendeve të rajonit për lëndët djegëse fosile.

Ankaraja akuzon Greqinë dhe vendet e tjera të rajonit se po kërkojnë ta përjashtojnë atë nga këto rezerva të mëdha të energjisë.

“Ne nuk do të lejojmë që dikush të shkelë të drejtat tona në asnjë mënyrë. Ky nuk është kërcënim,” tha zoti Akar të mërkurën, duke shtuar, “Nuk është dobësi të thuash se ne duam marrëdhënie të mira me fqinjin tonë.”

“Strategjia që po ndjek Turqia është se ajo duhet të mbrojë të drejtat e saj legjitime në Mesdhe,” tha ish ambasadori turk Mithat Rende. “Strategjia është që të kemi një zgjidhje të drejtë për çështjen. Dhe Turqia e ka sqaruar se është e gatshme të bisedojë.”

Lexo po ashtu:  KOMENTE RRETH DEKLARATAVE TË MINISTRES BAJRAMI NË EMISIONIN DESKU TË KTV-së, TË DATËS 23.09.2020

Politika e diplomacisë të mbështetur nga forca, megjithatë, duket se po rikthehet. Athina po përpiqet të nxisë partnerët e saj të Bashkimit Evropian që t’i bëjnë presojnë Ankarasë.

Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis do të takohet të mërkurën me Presidentin francez Emmanuel Macron në Paris dhe më pas do të shkojë në Bruksel për bisedime me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel në përpjekje për të siguruar mbështetje kundër Ankarasë./VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *