Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, që ka qenë akter i lartë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shkuar në Uashington duke i kërkuar presidentit amerikan Bill Clinton që mos ta njohin UÇK-në.

“Ka pasur përpjekje shumë të mbrapshta të institucioneve të Kosovës që kanë shku në Uashington te presidenti Clinton i kanë kërku që të mos e njohin UÇK-në”, ka thënë tha Haliti në T7.  E emrat lidhur me këtë deklaratë i tha gazetari Baton Haxhiu.

“Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, ka thënë Haxhiu.

E lidhur me këtë ka reaguar sot ashpër publicisti Veton Surroi.

Ai këto deklarata i quan krejtësisht të pavërteta, gjersa thekson se qëndrimi i tij ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator.

“Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debutues”, shkruan ai.

Lexo po ashtu:  Duka zbulon gënjeshtrat e Ramës: Për vizitën e Kurtit në stadium ishte lajmëruar protokolli

Lexoni të plotë postimin e Surroit:

Krejtësisht të pavërteta!

Në takim me presidentin Clinton, delegacioni i Kosovës nuk ka kërkuar mosnjohjen e UÇK-së. Këtë nuk e kanë bërë dr.Ibrahim Rugova, as dr.Fehmi Agani, as dr,Bujar Bukoshi e as unë. Dr.Pajazit Nushi, i përmendur si pjesëmarrës ka qenë në Prishtinë.

Qëndrimi im edhe privat, edhe publik ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator. Disa herë kam deklaruar publikisht se pa pjesëmarrjen e UÇK-së në ekipin negociator nuk është e mundshme marrëveshja për Kosovën. Dr.Rugova, dr. Agani dhe dr.Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi.

Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debatues. E bëj edhe për dy anëtarët e vdekur që kanë mundur të japin shpjegime në të gjallë, por një akuzë e këtillë po ngrihet me dhjetëvjetësh pas vdekjes së tyre.