Kosova dje e ka hapur edhe zyrtarisht ambasadën në Jerusalem. Ky vendim i mbështetur nga SHBA-ja është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

Pas zyrtarizimit të vendosjes së ambasadës atje, ka reaguar edhe zëdhënësi i grupit radikal islamik “Hamas”, Hazem Qasem.

“Vendimi i Kosovës për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem është shkelje flagrante e të gjitha rezolutave ndërkombëtare dhe një anim i qartë ndaj pushtimit”, është shprehur Qasem nga grupi militant palestinez që qeveris me Rripin e Gazës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar dje se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit që shkoi.

Statusi i Jerusalemit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe ishin alarmuar nga vendimi i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën amerikane në Jeruzalem.

Franca refuzoi vendimin të cilin e kishte quajtur “të njëanshëm” ndërsa bëri thirrje për qetësi në rajon. Britania e bëri të njëjtën. Gjermania tha se statusi i Jerusalemit mund të zgjidhet vetëm në bazë të një zgjidhjeje midis dy shteteve.

Lexo po ashtu:  Ish-ushtari i UÇK-së refuzon ftesën nga Gjykata Speciale

Vendimi i Trump la prapa paralajmërimet nga e gjithë bota se ky akt do të rrezikonte përkeqësimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Statusi i Jerusalemit është shtëpia e vendeve të shenjta për besimet myslimane, hebraike dhe të krishtera. Palestinezët pretendojnë Jerualemin Lindor për kryeqytet, ndërsa Izraeli e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm, që daton nga antikiteti.

Duke ngritur ambasadën e saj në Jerusalem, duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës, Kosova është bërë një nga tri vendet e vetme me ambasada në këtë qytet, pas SHBA-së dhe Guatemalës. Kosova është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap, që ka edhe mbështetjen e plotë të administratës së re të Joe Biden.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *