Haradinaj – ky “Brutusi shqiptar” – Çka ka të përbashkët retorika e Haradinajt nga Gllogjani me retorikën e Brutusit nga Roma e vjetër?
Ju kujtohet tragjedia e Jul Cesarit të Shekspirit?
Brutus dhe Antonius mbajnë fjalimet e tyre të mëdha para qytetarëve romakë. Ndikimi tek publiku romak është shumë i madh. Dramaturgu i pavdekshëm, Shekspiri, dramatizon se si të dy folësit, përmes fjalimeve, arrijnë qëllimin e tyre që ta bëjnë publikun romak për vete.
Folësi i parë është Brutusi; Vrasësi i Jul Cesarit. Brutusi, ndër tjerash, në fjalimin e tij para qytetarëve romak argumenton se vrasja e Jul Cesarit është e “nevojshme” dhe e “domosdoshme” për arsye politike. Sipas tij, në këtë mënyrë, do të mund të pengohet Cesari ambicioz që të vetëshpallet mbret.
Brutusi veçon dhe përdallon në mes dashurisë për Jul Cesarin dhe dashurisë për Romën. Dhe, Brutusi fton (përmes figurës retorike antimetabolës) qytetarët romak që të veprojnë mu ashtu sikurse Brutusi. Ky, pra Brutusi, shtron para publikut romak edhe dy pyetje retorike:
– “Do të dëshironit të kemi një Jul Cesar të gjallë dhe të gjithë të vdesim si skllevër, apo të kemi një Jul Cesar të vdekur, por që të gjithë qytarët e Romës të jetojmë si njerëz të lirë?”
Është kjo një fjali e fuqishme retorike (dopinguese) e Brutusit. Publiku romak lejon plotësisht që të ndikohet dhe të manipulohet nga fjalimi i Brutusit. Ky publik përmes fjalës së Brutusit tjetërsohet, dopingohet, beson dhe padjallëzisht e verbërisht i falë besimin fjalëve të Brutusit. Më pas fjalën e merr Antoniusi, përkrahësi e miku i ngushtë i Jul Cesarit.
Antonius e kupton se publiku është kundër tij. Andaj edhe për asnjë çast nuk flet e as nuk e përmend Jul Cesarin, mikun, të dashurin dhe më të shtrenjëtin e jetës së tij. Antonius nuk flet keq as për Brutusin. Në vend të kësaj Antonius lavdëron Brutusin dhe e përkrahë atë në akuzat e tij kundër Jul Cesarit:
– “Kam ardhur ta varros Cesarin, e jo ta lavdëroj atë… Ai ishte miku im, ishte besnik dhe i arsyeshëm me mua: Por Brutusi thotë se ai ishte ambicioz; Dhe Brutusi është një njeri i ndershëm”.
Historia e mëtejme dihet: Jul Cesari i ndershëm vritet nga Brutus. Roma nuk bëhet e lirë, ashtu siq u kishte premtuar Brutusi romakëve, se nëse vritet Jul Cesari Roma dhe qytetarët e sajë do të jenë njerëz të lirë.
Të nderuar lexues,
Këto dy fjalime janë kryevepra retorike. Por thelbi dhe qëllimi i kësaj trajtese nuk është Shekspiri. Është tjetra: Në këto fjalime shohim se si folësit kanë një shumëndikim tek publiku. Pas fjalimeve të folësve publiku sillet edhe si kukullë. Kemi një publik i cili vullnetarisht i lejon vetes që të bie nën ndikim “të argumenteve” të përzgjedhura nga folësit politik. Kështu publiku/populli edhe shndërrohet në një “kukull teatri”.
Ndikimi në publik është i një peshë të madhe edhe për aktualitetin tonë politik. Sepse në Kosovë/Shqiperi kemi një diskurs retorik i cili hapur kërkon të ndikoj/dopingoj në publikun e tij.
Shkenca e retorikës e spjegon dhe e argumenton se publiku nuk është i cimentuar, por është vetëm një produkt i ndërtuar, përpos tjerash edhe nga fjalimet politike. Në këtë kontekst, e në këtë vështrim, do të veçoja fjalimet retorike të Kryeministrit të Kosovës në lidhje me “Demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e zi”, fjalime retorike që janë duke u shpeshlansuar nga mediat e pushtetit.
E them këtë sepse është dalluese dhe fuqindikuese diskursi retorik dhe fjalia e shpeshthënë e Kryeministrit Haradinaj se “Nëse dëshironi të lëvizni të lirë, atëherë duhet votuar për demarkacioni me Malin e Zi” ose “Mosvotimi i Demarakacionit, do ta mbajë Kosovën në izolim”.
Pra, publikut i thuhet kështu: Do që të lëvizësh për turizëm në Europë? Atëherë ti duhet të falesh 8.200 hektarë tokë të Kosovës shtetit të Malit të Zi. Paçka, nëse ndodhë e kundërta, pra nëse nuk votohet falja e tokës, nuk ka as Viza turistike. Është kjo një fjali retorike që na kujton mashtrimin dhe tradhëtinë që Brutusi i bëri Jul Cesarit dhe popullit romak. Edhe në këtë diskurs retorik të pushtetarëve ndeshemi në figurën retorike antimetabolën. Kjo figurë retorike përmes krahasimit krijon tensione, dhe njëkohësisht, një “fotografi të qartë” në mes të “mirës” dhe të “keqes”.
Ky krahasim retorik: “O tokën malazezëve, o izolim nga Europa”, bëhet me vetëdije e me qëllim që efekti ndikues e bindës në publikun shqiptar të Kosovës të jetë sa më i madh, dhe natyrisht, bindja të jetë sa më e shpejtë, e sa më jetëgjatë.
Secili folës apo folëse mendon në mënyrë të vetëdijshme në personat e tij. Sepse këta persona përbëjnë edhe vet publikun e tij. Fjalia retorike e përdorur me pompë: “Votim ose izolim”, ka si qëllim që të krijojë një publik që do të ishte edhe bartës i atyre politikave, që janë të interesuara të bëjnë një marrëveshje, që këta e mendojnë si “ideale” dhe të “mirë” për nërkombëtarët dhe për malazezët.
Në këtë rast fjalimet e politikanëve shqiptar, dhe të huaj gjithsesi, u drejtohen një publiku të veçantë. E them këtë sepse qëllimi i tyre është që të bindin dhe t’u mbushin mendjen edhe personave me kompetenca, si dhe të atyre që nuk i kanë këto; të papërgjegjshmëve dhe të përgjegjshmëve. Publiku i tyre duhet të jetë i lakueshëm dhe i lehtë për t’u bindur, e, kjo punë më së miri kryeht përmes njerëzve përçues; pra përmes “njerëzve me kompetenca e me përgjegjësi”.
Fjalia retorike (dopinguese) sikurse: “Demarkacioni i hapë rrugë Vizave”, i drejtohet një grupi të caktuar të njerëzve; Fjalia retorike e Haradinajt ju drejtohet publikut shqiptar të Kosovës. Kjo fjali retorike kërkon që të bindë, të dopingoj dhe të ushtroj ndikim, pikë së pari tek shqiptarët me shkollim të lartë, e pastaj, përmes tyre, të arrijë dhe bindjen dhe ndikimin e shtresës tjetër të publikut shqiptar të Kosovës.
Se a do të arrihet një zgjedhje faqëbardhë e Demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi vetëm përmes diskursit e bindjes retorike, e duke përjashtuar faktet tjera arkeologjike, historike, kulturore, demografike e antropologjike të këtij populli, mbetet të shihet./MekuliPress/
(Botuar në shtypin shqiptar në mars të vitit 2018)
Lexo po ashtu:  Poradeci: Si s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë, .... më tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *