Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, gjatë vizitës së sotme te “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka shprehur zotimin e fuqishëm për luftimin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur dhe kapjen e kriminelëve dhe daljen e tyre para drejtësisë kosovare për të marrë dënimin e merituar.

Ajo gjatë takimit me Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, tha se prioritet i Qeverisë Kurti është zbardhja e rreth 1600 të pagjeturve, pasi që negociatat e kaluara me Serbinë nuk e kanë trajtuar asnjëherë këtë temë të rëndësishme.

“Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë se çka Serbia ka bërë në Kosovë dhe do të punojmë pandërprerë të fuqizojmë institucionet tona që të merren me hetimin dhe gjykimin e krimeve. Kriminelët duhet të përballen me drejtësinë. Mua më e rdhi mirë që për herë të parë javën e kaluar prokuroria ka ngritur aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe dhunim seksual. Janë 20 mijë persona që kanë qenë të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Duke shtuar kapacitetet në organet e drejtësisë dhe duke zbatuar nenin për gjykim në mungesë, sepse Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës, por tashmë institucionet e drejtësisë i kanë duart e lira për t’i gjykuar kriminelët dhe kudo që ata të gjenden do të vijnë dhe të vuajnë dënimin”, është shprehur Haxhiu.

Lexo po ashtu:  Sveçla: Mallrat serbe nuk mund të hyjnë në Kosovë

Ajo ka bërë të ditur se projektligji për personat e pagjetur ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë dhe shumë shpejt do të mblidhen grupet punuese, ku do të përfshihet edhe shoqata ‘Thirrjet e Nënave’ për të adresuar shqetësimet dhe kërkesat.

Ndërsa, Nysrete Kumnova shprehu shpresën për përmirësimin e ligjit për persona të pagjetur gjatë luftës në Kosovë.

“Jeni një qeveri do të kujdesej seriozisht, ta keni prioritet këtë kategori shumë të ndjeshme. Kanë kaluar 21 vjet, por për ne është shumë e gjatë dhe e dhimbshme. Jeta dhe ankthi për këto nëna dhe gra të reja është shumë e vështirë. Lulet tona na i morën kriminelët, kështu që së paku po e gjejmë qetësinë me institucionet tona, të cilave iu bie ndërmend dhe nuk na harrojnë në këtë ditë të shenjtë. Të paktën të gjejmë një qetësi”, tha Kumnova.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *