Nga Durrësi në Prishtinë: një hekurudhë e re, një epokë e re për Kosovën dhe Shqipërinë.
Përmbyllet me sukses studimi i fizibilitetit dhe dizajni preliminar për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë, një projekt strategjik që na afron më shumë me Shqipërinë dhe i hap rrugë një transformimi të madh ekonomik, social e mjedisor.
Kjo linjë do të shërbejë si urë për njerëzit dhe bizneset, do të ulë kostot e transportit, dhe me portin e thatë në Prishtinë si zgjatje e portit Romano në Durrës, po krijojmë një nyje të re zhvillimi për të gjithë rajonin.
Bashkë me zv. kryeministren e Shqipërisë Belinda Balluku, ministrin e financave Petrit Malaj, kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, pamë prezantimin e studimit të fizibilitetit dhe dizajnit preliminar për këtë linjë hekurudhore.
1.8 miliard euro investim, rreth 105 km hekurudhë, 14 tunele, 7 stacione, dhe një vizion i përbashkët i Shqiptarisë që po bëhet realitet.
/Ministri i Transportit, Liburn Aliu/