Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke punuar që të lehtësojnë lëvizjen e lirë për qytetarët e mallrat mes dy shteteve, por për lëvizje pa ndalesë duhet kohë, thonë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Është duke u punuar që të ketë pika të veçanta të kalimit kufitar, pika të përkohshme të kalimit kufitar në mbi dhjetë fshatra të brezit kufitar. Janë duke u bërë lehtësime tjera si bashkëpunime në ndërlidhje të sistemeve të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

“Po punohet për mundësinë që në raste festive, fatkeqësive natyrore apo rrethana të ngjashme për të kaluar kufirin kudo jashtë pikave kufitare”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj ministrie.

Të gjitha këto masa dhe veprime, sipas ministrisë, kanë filluar të zbatohen, por për arsye teknike, financiare, të sigurisë, duhet kohë të zbatohen plotësisht, ‘ashtu siç është vullneti i palëve’.

Në mbledhjen e fundit të qeverive të të dyja shteteve të mbajtur në nëntor të vitit 2021, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar nga ministrat e dikastereve përkatëse të merren me procedurat të cilat çojnë deri në heqjen e kufirit.

Lexo po ashtu:  Amnesty International: Dhuna në familje pëson rritje në Shqipëri, përmendet shembja e Teatrit dhe ligji antishpifje

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, dhe ai i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë rënë dakord që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet dhe të mos kërkohen pasaportat apo letërnjoftimet nga qytetarët që kalojnë kufirin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *