Kremlin i Moskës (i njohur edhe shkurt si Kremlini), është një nga monumentet që personifikon më së shumti kryeqytetin rus, Moskën. Është një kompleks i fortifikuar, që ka nisur të ndërtohet që në shekullin XIV, dhe që nga ajo kohë ka shërbyer si qendra e fuqisë ruse për pjesën më të madhe të historisë së Rusisë.

Por Kremlini, nuk është vetëm “zemra politike” e Rusisë, por edhe qendra e saj fetare. Shumë kisha dhe katedrale u ndërtuan rreth e rrotull tij. Për më tepër, Kremlini është gjithashtu  selia e Patriarkut (i njohur si Metropolit në periudha të caktuara të historisë ruse) të Moskës, udhëheqësit shpirtëror të Kishës Ortodokse Ruse.

Kremlini është gjithashtu një vend i njohur, si destinacioni turistik kryesor për të gjithë ata që vizitojnë kryeqytetin rus. Në fillim, fjala ‘kremlin’ i referohej një kalaje ose kështjelle në çdo qytet apo qytet rus. Megjithatë, sot Kremlini i referohet posaçërisht atij që gjendet në Moskë, dhe që është shembulli më i famshëm i një ‘kremlini’.

Etimologjia e kësaj fjale është e diskutueshme, dhe mund të jetë me origjinë tatare, greke ose ruse. Kremlini ndodhet në qendër të Moskës. Në jug të këtij kompleksi ndodhet lumi Moskva, në lindje të tij, Katedralja e Shën Bazilit dhe Sheshi i Kuq, dhe në perëndim Kopshtet e Aleksandrit (një nga parqet e para publike urbane në Moskë).

Me kalimin e shekujve, në Kremlin u ndërtuan (por edhe u shkatërruan) struktura të ndryshme, përfshirë pallate, kisha dhe monumente të ndryshme. Si një fortesë, është e natyrshme që Kremlini të jetë i rrethuar me mure dhe kulla mbrojtëse.

Edhe pse ekzistenca e Kremlinit daton që në shekullin XIV, historia e saj shtrihet shumë më herët në kohë. Referenca më e hershme e njohur mbi të gjendet në Kronikat e hershme Ruse. Më 4 prill 1147, Princi i Suzhalit, Juri Vladimiroviç Dolgoruki, shtroi një banket të madh në Moskë për Princin e Novgorod-Severski, një nga aleatët e tij.

Më vonë, në vitin 1156, Dolgoruki raportohet se nisi të ndërtojë strukturën e parë të fortifikuar  të qytetit në kodrën Borovitski, një rrip toke midis lumit Moskva dhe njërës prej degëve të tij, Lumit Neglinaja. Në fillim fortifikimi i Dolgorukit nuk quhej Kremlin. Përkundrazi, njihej si grad (godinë e fortifikuar).

Lexo po ashtu:  Australi, shënohet shpejtësia më e lartë e internetit arritur ndonjëherë

Gjatë pushtimit të Rus-it nga Mongolët nën udhëheqjen e Khanit Batu, që zgjati nga viti 1236 deri në 1240-ën, Moska u plaçkit dhe u rrafshua. Qyteti u pushua sërish nga mongolët në vitin 1293. Tre vjet më vonë, grad-i u përforcua me një mur të ri prej balte.

Ai u quajt për herë të parë Kremlin në vitin 1331. Rreth asaj kohe nisën të ndërtohen strukturat e para prej guri. Dhe kjo për shkak të një momenti kyç në historinë e Moskës. Në vitin 1326, Shën Pjetri u bë metropoliti i parë që vendosi të banojë në Moskë.

Para Pjetrit, selia e Kishës Ortodokse Ruse ndodhej në Kiev. Kur Pjetri mori detyrën, ai u transferua në Moskë me kërkesë të Ivan Kalitës, Dukës së Madh të Moskës. Më vonë, Cari Ivan nisi ndërtimin e Katedrales së Kryeëngjëllit Mikael. Më pas u ndërtua Katedralja e Zonjës, që iu kushtua Virgjëreshës Mari.

Kjo katedrale do të bëhej kisha kryesore e Moskës, dhe vendi ku do të kurorëzoheshin të gjithë Carët. Midis viteve 1366-1368, muri me dru lisi i Kremlinit, u zëvendësua nga një mur i bërë me gurë gëlqerorë të bardhë. Ky projekt u zbatua nga Dimitri II, Princi i Madh i Moskës, që po përgatitej të sfidonte autoritetin e mongolëve.

Këtyre të fundit, ai u paguante çdo vit një shumë të majme parash. Por kur mongolët u përballën me konflikte të brendshme, Dimitri shfrytëzoi rastin për t’u rebeluar. Ai refuzoi të paguante haraçin ndaj tyre, dhe inkurajoi edhe princat e tjerë rusë që t’i bashkoheshin.

Në vitin 1380, Dimitri mposhti Mamain, sundimtarin e mongolëve në Betejën e Kulikovës në lumin Don. Triumfi ishte jetëshkurtër, pasi 2 vjet më vonë, udhëheqësi mongol Tokhtamish e ripushtoi dhe e plaçkiti Moskën. Dimitri u zotua për besnikëri dhe vazhdoi të paguante haraçin vjetor.

Gjithsesi nga fundi i shekullit të 14-të, mbretëria mongole u përça në pjesë më të vogla, të cilat

e humbën ndikimin. Rusët u bashkuan nën Ivanin III (i njohur edhe si Ivani i Madh). Ai ftoi arkitektët më të mirë nga Italia, përfshirë Pietro Solarin dhe Marko Rufon, për të projektuar Moskën e re.

Lexo po ashtu:  Smartfoni i Samsung që do të thyejë rekordin e kapacitetit të baterive

Pikërisht gjatë mbretërimit të Ivanit, muret e Kremlinit u rindërtuan me tulla. Edhe pse përgjatë shekujve, pjesë të murit u shkatërruan, u dëmtuan dhe u riparuan. Por disa nga pjesët origjinale të ndërtimeve të shekullit XV, kanë mbijetuar sot e kësaj dite.

Me urdhër të Stalinit, ato u ngjyrosën në vitin 1947 me të kuqe, ngjyra simbolike e komunizmit dhe Revolucionit Bolshevik. Përveç mureve dhe kullave, Ivani ndërtoi në Kremlin edhe një numër godinash. Këtu përfshihen edhe 3 katedrale që ekzistojnë edhe sot:Katedralja e Zonjës (e rindërtuar gjatë viteve 1475-1479), Katedralja e Zbulesës (përfunduar në vitin 1489) dhe Katedralja e Kryeëngjëllit (e rindërtuar gjatë viteve 1505-1508).

Po gjatë asaj kohe u ndërtua edhe Kulla e Madhe e Këmbanores, edhe pse ajo e arriti lartësinë e saj aktuale, 81 metra, vetëm një shekull më vonë. Kur përfundoi rindërtimi i Kremlinit, pati përpjekje për të ndarë kështjellën nga pjesa tjetër e qytetit.  Për shembull, asnjë strukturë nuk u lejua të ndërtohej pranë Kremlinit.

Për më tepër, rreth tij u ndërtua një një muraturë e gjerë 30 metra, në mënyrë që ta ndante atë  nga pjesa tjetër e qytetit. Gjithsesi, struktura të reja u shtuan brenda mureve të Kremlinit nga sundimtarët e tjerë. Për shembull, gjatë shekullit XVI, në pushtet erdhën Romanovët. Ata ndërtuan Portën e Fortifikuar, Pallatin Terem dhe Pallatin e Argëtimit.

E para nuk ekziston më, e dyta shërbeu si vendbanim i Carëve, ndërsa e treta u ndërtua për Ilia Miloslavskin, vjehrri i Aleksit, cari i dytë i dinastisë Romanov. Një nga djemtë e Aleksit ishte Pjetri, i njohur edhe si Pjetri i Madh, që u bë sundimtar i vetëm i Rusisë në vitin 1696.

Ai është i famshëm për modernizimin që i bëri Rusisë, dhe një nga veprimet e para ishte ndërtimi i një porti në Detin Balltik, që i dha mundësi Rusisë të bënte tregti me Perëndimin. Në vitin 1703, gjatë Luftës së Madhe Veriore, u themelua qyteti i Shën Petersburgut, që në 2 shekujt që pasuan, shërbeu si kryeqytet i Rusisë.

Moska e rifitoi statusin e saj si kryeqytet i Rusisë vetëm në 1917, kur pushtetin e morën bolshevikët. Si pasojë e humbjes së statusit të Moskës, Kremlini u la në harresë. Edhe pse, e ruajti rëndësinë e tij simbolike, pasi perandorët e Rusisë vazhduan që të kurorëzoheshin atje. Për më tepër, në Kremlin ndërtohej vazhdimisht diçka e re.

Lexo po ashtu:  “Gjurmë Shqiptare”: Vendi i shenjtë i shqiptarëve!

Për shembull, gjatë sundimit të Katerinës së Madhe, u ndërtua Senati i Kremlinit. Ndërkohë në shekullin XIX, gjatë sundimit të Nikollës I, u ndërtua Pallati i Madh i Kremlinit. Por nga ana tjetër u prishën edhe ndërtesa të vjetra, kryesisht të stili barok.

Kur francezët u detyruan të tërhiqeshin nga Moska në vitin 1812, Napoleoni urdhëroi që Kremlini të hidhej i gjithi në erë. Ndonëse një numër godinash u shkatërruan ose u dëmtuan, Kremlini u kursye nga shkatërrimi i plotë, pasi disa nga fitilët e eksplozivëve të vendosur  u shuan nga shiu.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, monarkia u shfuqizua. Perandoria Ruse u zëvendësua nga Rusia Sovjetike. Në vitin 1918, qeveria sovjetike e zhvendosi kryeqytetin nga Shën Petersburg (i riemëruar si Petrograd) në Moskë. Udhëheqësi sovjetik, Lenini, zgjodhi godinën e Senatit të Kremlinit si vendbanimin e tij, dhe dhoma e tij ruhet ende sot si muze.

Edhe pasardhësi i tij, Stalini, kishte dhomat e tij personale në Kremlin. Në atë kohë, të gjitha simbolet e regjimit të vjetër carist u hoqën nga Kremlini, duke u zëvendësuar me ato sovjetike.

Për shembull, shqiponjat perandorake ruse mbi kulla, u zëvendësuan me yjet e kuq sovjetikë. Kremlini u bë sinonim i qeverisë së Bashkimit Sovjetik, dhe mbeti i tillë deri në shembjen e tij në vitin 1991. Ashtu si paraardhësit e tyre, sovjetikët shtuan një numër ndërtesash në Kremlin, megjithëse shumë më pak se të tjerët. Këto përfshihet Shkolla për Komandantët e Kuq (e njohur edhe si Presidiumi i Kremlinit), dhe Pallati i Kongreseve.

Kremlini vazhdon të jetë ende sot selia e qeverisë ruse. Përveçse është qendra administrative e Rusisë, ai është shndërruar edhe në një qendër turistike. Disa nga ndërtesat në Kremlin, janë shndërruar në muze. Për shembull, Armatura e Kremlinit, mbante dikur armët mbretërore. Sot aty gjendet një koleksion të madh objektesh nga Rusia dhe jo vetëm, përfshirë edhe Kurorën Perandorake të Rusisë, fronin e fildishtë të Ivanit të Tmerrshëm, dhe armë dhe parzmore luftëtarësh nga Persia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *