Kauza e bashkimit kombëtar të shqiptarëve sot ka nevojë për një qasje më shkencore, në vend që të jetë krejt emotive, e aq më pak vetëm folklorike. Dhe Hysamedin Feraj është ndër ata zëra analitikë, ekspertë të cështjeve nacionale që ka ftohtësinë e duhur për t’iu qasur me realizëm, e krejt bindshëm madje, sfidës së madhe të bashkimit, në raport me kontekstin e sotëm të zhvillimeve globale. Shpjegimet e tij janë dhe leksione të vyera për çdo burrështetas shqiptar – nëse ka apo gjendet diku – që mund të investohet fuqishëm dhe me “arsyen e kulluar” në realizimin e kësaj kuaze….               

Intervistoi: Labinot Kunushevci

I nderuar Profesor Hysamedin Feraj, fillimisht ju përshëndes. Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj me ju një intervistë të shkurtë dhe ju falënderoj shumë që gjetët kohë të ndani me mua për t’i shpalosur disa nga pikëpamjet dhe përvojat tuaja.

Profesor Feraj, ju keni një përvojë të pasur profesionale në Universitetin e Tiranës. Tani edhe Universiteti i Prishtinës i bëri 46 vjet që nga themelimi. Natyrisht me periudha të vështira, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 dhe ndërhyrjes e represionit të regjimit jugosllav, por duke mos i munguar edhe prestigji dhe suksesi i vetë. A mund të ndani me ne diçka nga përvoja juaj në Universitetin e Tiranës dhe të përshkruani gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria dhe Universiteti i Tiranës kur ju ishit student dhe të bëni një krahasim me sot – nëse tani kemi të bëjmë me transformimin e funksionit të Universitetit?

Për nga kuptimi i funksionit të univeristetit në shoqëri Univeristetit i Tiranës gjatë kohës që kam qenë student (1982-86) ka pasur ngjashmëri të madhe me universitetet më në zë amerikanë dhe tanët, të atëhershme dhe të tashëm. Në atë kohë, ashtu si tani, universiteti shihej kryesisht “në funksion të tregut të punës”. Komisioni i Planit të Shtetit mëtonte se i di nevojat e vendit për profesionistë të ndryshëm, për specialistë, ose siç thuhej, për kuadro, dhe sipas kësaj shpërndante të drejtat e studimit. Në kapitalizëm nuk ka një planifikim të tillë, por funksioni i universitetit është i reduktuar dukshëm në prodhimin e profesionistëve për vende të ndryshme pune. Në të dy rastet funksioni i “prodhimit” të qytetërimit, të qytetarisë, të qytetarit, etj., ka qenë dhe është venitur secilën herë e më shumë.

Karakteristikë tjetër e ngjashme ka qenë ndarja ndërmjet njohjes dhe dijes, si të themi, ndërmjet episteme dhe froenesis, arsyes teorike dhe arsyes praktike. Universitetit i njihej funksioni kërkimor-njohës, por jo i dijes, që ishte rezervuar si prerogativë e udhëhqjes së partisë. Pak a shumë marrëdhënia ishte e tillë: “partia ka marrë këtë vendim; tani, ju, universitarët dhe akademikët, duhet të kërkoni e të gjeni argumentet që e mbështesin këtë vendim”. Ishte punë e universitarëve dhe akademikëve të kërkojnë, të hulumtojnë dhe të argumentojnë vendimet e partisë. Në njëfarë kuptimi, kërkimi dhe prodhimi i dijes kishte përfunduar me marksizëm-leninizmin: gjithë ç’ishte për t’u ditur dihej; puna ishte te prodhimi i specialistëve për zbatimin e saj. Përtej socializmit dhe komunizmit nuk kishte asnjë vend për të shkuar më tej, asnjë alternativë më të mirë për t’u kërkuar. Marrëdhënia e universiteteve amerikanë me qeverinë nuk është kaq e drejtpërdrejtë, por ideja se kërkimi dhe prodhimi i dijes ishte i përfunduar kishte kohë që kishte zënë vend: përtej liberalizmit dhe ekonomisë së tregut nuk ka asnjë vend ku të shkohet, asnjë gjë për t’u kërkuar e njohur. Vepra e Fukuyama-s për fundin e historisë dhe njeriun e fundit ishte vetëm kulmimi festiv i kësaj ideje të kahershme edhe për universitetet amerikane. Në të dy rastet, gjithë ç‘kishte mbetur ishte, si episteme, njohja e natyrës dhe si “dije” instruktimi i teknicienëve për zbatimin e dijes së përfunduar. Prandaj, mbi këtë “filozofi” vendin kryesor në Universitet e zë instruktimi, përgatitja nga mjeshtri që di i çirakut që ende nuk di, por nuk është funksion i Universitetit ta bëj objekt vetë dijen dhe kërkimin e dijeve të reja.

Lexo po ashtu:  Kur i kujtojmë ngjarjet nga jeta

Nga perspektiva juaj në filozofinë politike si autor i artikujve publicistik, kritik e analitik, si i vlerësoni potencialet gazetareske, publicistike, shkencore apo estetike në krijimin e dimensioneve të reja kreative pa ngarkesa apo shtysa ideologjike e politike? Cilat janë këshillat tuaja për ata që merren me kategori të ndryshme të shkrimit publik?

Mënyra si është shtruar pyetja nuk lejon një përgjigje të unifikuar sepse pyetet për potencialitete me specifika të ndryshme dhe të cilave iu përgjigjen “lojëra gjuhësore” të ndryshme. Ose më sakt, përgjigjja “unifikuese” nuk mundet me qenë e shkurtër. Kështu, “potenciali” politik ka arsye me pasë, në radhë të parë, shtysë politike dhe, madje, në mënyrë të kontrolluar, duke e ruajtur kontaktin me teorinë prej nga vjen, edhe ideologjike. Ndërsa “potenciali” estetik, nuk është e thënë të ketë shtysë të drejtpërdrejtë dhe parësore politike, por nuk ka arsye, që, pa dëmtuar estetikën, t’i shmanget shtysës politike. Përsa që politika është edhe “përpjestimi i ndjenjësores” në shoqëri (Ranciere), ndryshe nga mendimi që kishte Platoni për poetët, këta, dhe artistët në përgjithësi, jo vetëm nuk duhen përzënë nga qyteti “pasi t’iu vihet në kokë kurora e lavdisë”, por duhen kthyer fuqishëm në polis (politikë). Ose më sakt, ata janë aty fuqishëm, në mënyrë të pashmangshme. E gjithë çështja është që politika të kuptohet në domethënien e saj të mirëfilltë, si brengosje dhe aktivitet për jetën e mirë, për njerëzimin sa më të plotë të njeriut dhe të shoqërisë.

Gazetaria dhe publicistika shqiptare i ka dëmtuar vetë potencialet e veta sepse masivisht e ka bërë të vetin konceptimin e politikës si qëllimi për të grumbulluar mjete për rritjen e fuqisë individuale përballë individëve të tjerë, pra si garë për pushtet, për sa më shumë pushtete. Me këtë pikënisje, të pranuar si e vërteta e ekzistencës njerëzore, media shqiptare është një vend para “politikanëve” për dëmin që i ka sjellë vetërealizimit të vetë njeriut, të popullit dhe të kombit shqiptar. Dhe e ka sjellë këtë efekt pikërisht pse publicistika e deritashme kryesisht nuk ka qenë publike, domethënë nuk ka qenë politike, por e mbyllur në instiktin privat të mbijetesës individuale përballë të tjerëve të ndjerë si konkurrent në të njëjtën “luftë”, dhe kjo, siç e thashë, e pranuar prej tyre si e vërteta bazë e njeriut në shoqëri.

Cilat janë strategjitë dhe metodat adekuate shkencore të cilat do të na ndihmonin në analizimin e historisë në mënyrë që të krijojmë një mozaik të vërtetë të gjithë historisë tonë dy mijë vjeçare të pushtimeve të romakëve, bizantinëve, bullgarëve, osmanëve e sllavëve? Meqenëse tek libri juaj E pafilozofuara i jeni qasur mënyrave të ndryshme se si mund të kthehemi tek vetja, keni paraqitur edhe një strukturë pyetjesh si: “Pse u bëmë popull i vogël kur ishim i madh?”; “Pse gjithnjë të pushtuar e asnjëherë pushtues?”; “Pse historia gjithnjë në bëri neve dhe ne kurrë historinë?” etj. Si do të ndikonte kjo në rehabilitimin e një identiteti të qëndrueshëm dhe integrues?

Lexo po ashtu:  Privatizimi i KEDS në mënyrë të jashtëligjshme, prokuroria pritet t’i intervistojë katër ish-ministra

Strategjia “për krijimin e një mozaiku të vërtetë të historisë tonë dy mijë vjeçare” është formimi, në kuptimin e Bildung-ut, para të gjithave të historianëve. Masivisht historianët e deritashëm qëndrojnë para gazetarëve dhe medias në dëmin që i kanë sjellë mundësisë së vetërealizimit të shqiptarëve si popull dhe si komb. Më shumë sesa metoda në kuptim të ngushtë, historianët tanë i ka penguar mangësia e theksuar teorike, filozofike dhe konceptuale. Dhe në qendër të kësaj mangësie qëndron konceptimi prej tyre i njeriut si qenie e determinuar, e determinuar nga rrethuesit e jashtëm; konkretisht e qenies shqiptare si qenie e determinuar nga rrethuesit e jashtëm. Sajë këtij konceptimi të njeriut, historianët tanë janë më shumë biologë sesa historianë. Prandaj si urgjencë parësore për formimin e vetë historianëve na ka dalur nevoja e historianit që e koncepton njeriun si qenie të lirë dhe historinë si bëmë e njeriut. Ndryshimet konceptualë, qendror për një fushë, janë vendimtar për shikimet objektivë të objektiviteteve “të ndryshëm” të realitetit. Dhe kjo është kështu jo vetëm në histori, por po aq në shkencat e natyrës; sepse nuk është e panjohur se ndryshimet konceptualë kanë papari dhe bërë të mundur zbulime të mëdha në shkencat e natyrës. Sa për ilustrim: te teoria e relativitetit, Einstein, ka arritur nëpërmjet rikonceptimit të hapsirës dhe të kohës e jo nëpërmjet laboratorit dhe eksperimentit, sepse këto e kanë provuar më vonë. Historiografisë tonë i nevojitet kjo “përmbysje ajnshtainiane” në mos “përmbysja kopernikane”.

Nuk dua të kaloj pa përmendur një çoroditje tjetër profesionale të historianëve tanë, çoroditje që, e ardhur prej tyre, na është bërë mënyrë të menduari masiv dhe popullor: marrëdhënia e keqkuptuar ndërmjet pyetjes dhe përgjigjes. Historianët punojnë me tekste (qofshin objekte arkeologjikë, arkitekturalë apo dokumente të shkruar) dhe pretendojnë se “këta flasin vetë”. Mirëpo, në mos për historianët tanë, për të tjerët është e ditur se përgjigjja që jep një dhe i njëjti tekst varet nga pyetja që i bëhet. Këtë e ilustron rasti i vetë historianëve tanë. Për shumë dhjetëvjeçarë historianët tanë kanë mbrojtur idenë se copëtimi kombëtar që iu është bërë shqiptarëve në vitin 1913 është i padrejtë dhe se ribashkimi në të ardhmen, sapo të krijohen rrethanat (!) mbetet një e drejtë e jona. Mbas kësaj, “teksteve” iu kanë bërë një pyetje: pse bashkimi kombëtar është i pamundshëm në rrethanat e sotme? Në çdo të sotme. Dhe kanë gjetur një “pafundësi” tekstesh që japin përgjigje “të besueshme” pse bashkimi kombëtar jo vetëm që është i pamundshëm sot, në çdo të sotme, por se, madje ai që e kërkon dhe përpiqet ta realizojë në të sotmen e tij është antikombëtar, aventurier, etj. Për rrjedhojë, shumica e shqiptarëve i kanë të gatshme këto përgjigje. Por nuk kanë përgjigje pse bashkimi kombëtar është i mundshëm sot, në çdo të sotme. Sigurisht, po të ishte shtruar pyetja pse bashkimi kombëtar është jo vetëm e drejtë e shqiptarëve por edhe i mundshëm të realizohet sot, në çdo të sotme, do të ishin gjetur një “pafundësi” tekstesh, po ata tekste, që tani do të jepnin përgjigje pozitive në këtë pyetje. Për rrjedhojë, sot shumica e shqiptarëve do t’i kishin këto përgjigje dhe do të ishin duke vepruar sipas tyre.

Lexo po ashtu:  Komanda Kibernetike Amerikane paralajmëron një sulm kibernetik që po ndodh në Outlook

E thënë shkurt, konceptimi i njeriut (dhe popullsisë) si qenie e determinuar bashkë me pyetjen që kërkon përgjigje për pamundësinë që të bëhet diçka që është e drejtë kanë çuar, në stilin e “profecive që vetëpërmbushen”, në përmbysjen e konceptimit të veprimit politik dhe të politikës përgjithësisht nga “arti i të mundshmes” në “artin e të pamundshmes”. Sepse politika si “arti i të mundshmes” i përket mundësisë së veprimit të njeriut, mundësi që i vjen vetëm nga liria; përndryshe, nëse shprehja “art i të mundshmes” do të kuptonte determinizmin nuk ka vend të flitet për mundësi të hapura.  Gjithsesi, jo më larg se këto ditë, i kërkova një historiani (F. D.) të firmosë një thirrje kundër kushtëzimit nga BE të liberalizimit të vizave në Kosovë me dhënien e një pjese të territorit tonë Malit të Zi. Në stilin tipik të “historianit” shqiptar ai nisi të spërdridhet, të kërkoj arsye, dhe sipas tij, i ka gjetur arsyet “e sakta”, “prej shkencëtari”, që të mos mbante qëndrim kundër këtij pazari të padrejtë. Nga çka u tha, del se “objektiviteti” i historianit është i lidhur ngushtë me subjektivitetin e tij. Në rastin që po flasim, kush e do bashkimin kombëtar gjen argumente se është i drejtë dhe i mundëshëm sot; kush nuk e do bashkimin kombëtar kërkon dhe gjen argumente se është i pamundshëm sot. Është ky vullnet që i ndan dhe klasifikon shqiparët dhe jo besueshmëria as forca e argumenteve që kanë. Edhe në këtë aspekt pyetja mbetet më e rëndësishme se përgjigjja, sepse vetë pyetja na informon sa për përgjigjen aq dhe për pyetësin.

Autori Regjinald Hibert, në librin e tij Fitorja e hidhur, ka thënë: “Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Europës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri, është njëfarë fati i keq”. Meqë jeni marrë me studime mbi nacionalizmin shqiptar, ku qëndron arsyeja e vonesës së konsolidimit tonë si komb, si shtet dhe si shoqëri?

Ne nuk jemi të vonuar në konceptimin e vetes si komb. Ne jemi të vonuar në konceptimin e vetes si njerëz. Në koncept shqiptarët janë komb shumë i hershëm. Por konceptojmë se edhe brenda kombit njeriu është individ, egosit, privat, në luftë kundër individëve të tjerë njerëzorë dhe se në këtë luftë është i lejueshëm përdorimi i çdo mjeti për të sunduar mbi të tjerët, rrjedhimisht për të siguruar mbetjen gjallë individuale dhe të vijimësisë biologjike. Sillemi kështu sepse mendojmë se kjo është natyra njerëzore dhe duke qenë kështu jemi njerëzor, normal. Ky konceptim i vetes, si njerëz, në botën “fatkeqësisht” të përbashkët me të tjerët si ne, është arsyeja e vonesës në konsolidimin tonë si komb, si shtet dhe si shoqëri. Konceptin e drejtë abstrakt të kombit, i hershëm te ne, e ka penguar të realizohet në konkretësinë e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar koncepti i gabuar abstrakt që kemi për njeriun.  /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *