I humb mushka në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës dhe e gjen pas katër vitesh me anë të Facebook-ut në fshatin Rehovë të Vithkuqit.

Familja në të cilën u gjend mushka e kishte blerë atë nga një i panjohur nga Vlora kundrejt shumës 130 mijë lekë.

Në redaksinë e Fiks Fare ankohet Klaudia Shehu, të cilës i kishte humbur mushka “Katra” dhe se e kishte gjetur atë nga një njoftim në Facebook ku e kishin nxjerrë për shitje. Humbjen e “Katrës” Klaudia e kishte denoncuar edhe në Komisariatin e Gjirokastrës, por në 4 vjet nuk ishte gjetur. Fatmirësisht, duke lundruar në Facebook në faqen e blegtorisë ajo sheh mushkën e saj.

“Katra” ka lindur në shkurt të 2004 dhe ka qenë 12 vjeçe kur më humbi. Për katër vjet, edhe pse e kam denoncuar, nuk është bërë asgjë. Kur e pashë në Facebook nuk po u besoja syve dhe kam kontaktuar me zotërinë sikur doja ta blija. Kam ardhur nga Zvicra për të”, shprehet Klaudia.

Bashkë me gazetarin e Fiks Fare dhe të zonjën e mushkës, i drejtohen familjes në Rehovë e cila “Katrën” e kishte reklamuar në Facebook për ta shitur. Zonja Isufi, ku aktualisht është mushka, tregoi se atë e kishin blerë para 3 vjetëve nga një zotëri nga Vlora me emrin Krenar. “E njihnim se vjen me bagëti në malin tonë“, shprehet znj.Isufi.

Lexo po ashtu:  Bislimi: Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në Veri pa u hequr sanksionet nga BE

Për “Katrën” kjo familje kishte paguar plot 130 000 lekë. Pas dy vjetësh kishin dashur ta shisnin dhe djali i saj i vogël kishte pasur mendimin ta nxirrnin në Facebook. “Me çfarë pamë na u mbush mendja që mushka është e zonjës, por ne nuk mund ta japim badjava se kemi harxhuar lekë, plus nuk jemi dhe në gjendje”, shprehet zj. Isufi.

Nga ana tjetër, Klaudia nuk mund të blejë mallin e saj pasi e ka rritur vetë mushkën dhe është e saja. Këtë gjë mbetet ta zgjidhë dhe Prokuroria e Gjirokastrës, pasi për këtë çështje është hapur një proces penal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *