Të ndalohet gjuha seksiste
Sot Mentor Shala, zëvendësdrejtori i RTK-së, ka fyer me gjuhë përbuzëse e urrejtëse ndaj grave deputeten Doarsa Kica-Xhelili. Rastet e përdorimit të gjuhës seksiste janë bërë të shpeshta kohët e fundit, sidomos me vetëdijësimin në rritje të opinionit publik për nevojën që të veprohet kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave.
Gjuha seksiste është e papranueshme në çdo rrethanë por ajo bëhet edhe më fyese për të gjithë ne kur përdoret publikisht dhe nga një zyrtar i lartë i televizonit publik, siç është Mentor Shala. Përveç që ky person paguhet nga buxheti i shtetit, dhe nuk dëshirojmë që taksat tona të përdoren për të paguar zyrtarë seksistë, edhe më shqetësuese është mënyra se si ky i ka trajtuar koleget dhe të punësuarat në këtë institucion, ku ka mbajtur poste të larta. I njëjti person është i angazhuar si ligjerues në një kolegj privat, por çfarë kulture u përcjell Mentor Shala të rinjve e të rejave që ka studentë? Atë të denigrimit të gruas, kur ajo guxon dhe të kritikon?
Nëse media është ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve, atëherë gjuha e përdorur nga punonjësit e medias, e sidomos nga drejtuesit, do të duhej të ishte shembull për opinionin publik. Nëse vërtet duam që shoqëria jonë të jetë e ndërtuar mbi vlerat e respektit të gjithkujt, përfshirjes dhe luftës kundër diskriminimeve, atëherë është e domosdoshme që të dënohet e ndëshkohet kjo gjuhë që shpërfaq thellësisht mendësinë mizogjene të një zyrtari të lartë publik, i cili fyen rëndë një grua veç pse ajo është deputete dhe përfaqëson qëndrime ndryshe nga të tijat.
Në një media publike, e cila për mision ka jo vetëm informimin e publikut, por edhe edukimin e tij, gjuha e tillë duhet të jetë krejt e palejueshme. Mentor Shala me këtë gjuhë ka thyer çdo kod etik, kësisoj kërkojmë nga institucioni në fjalë që të marrë masa të përshtatshme, në raport me gjuhën e rëndë të përdorur nga zv.drejtori kundër deputetes Kica-Xhelili.
Lexo po ashtu:  - Një tokë kemi, ajo nuk duron më shkatërrimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *