Shkruan:Nexhat AGUSHI

Me ndarjen nga jeta të profesor Ibrahim Kadriut, Lugina e Preshevës humbi një nga intelektualët, veprimtarët dhe patriotët më të shquar shqiptarë. Ai do të mbetet gjithmonë një figurë e rëndësishme për kontributin e tij në fushat e edukimit, arsimit, kulturës, historisë, humanizmit dhe politikës, si dhe për mbështetjen e tij të pakompromis ndaj luftërave çlirimtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.


Roli i tij në organizimin politik: Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, filloi organizimi politik i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Më 23 dhjetor 1989, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK në Prishtinë, ndërsa paralelisht, përpjekje të ngjashme nisën edhe në Preshevë dhe rajonet përreth.


Në këtë kuadër, një grup intelektualësh, aktivistësh dhe studentësh nga Presheva dhe Prishtina u angazhuan për krijimin e një organizate politike shqiptare ndër të parat në Luginën e Preshevës. Kështu që, më 5 gusht 1990, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, u mbajt Kuvendi Themelues i Shoqatës së Pavarur Demokratike – SHPD, ku morën pjesë shumë intelektualë e studentë nga Presheva, Bujanoci, Gjilani, Prishtina, Kumanova e vende të tjera. Në këtë kuvend u zgjodhën udhëheqësit e parë të kësaj organizate politike: Ali Ahmeti – kryetar, Tahir Dalipi – nënkryetar, anëtarë: Shaqir Shaqiri, Imran Pajaziti, Muhamed Bektashi, Sadik Ademi, Orhan Rexhepi, Nexhmedin Ahmedi etj. Profesor Ibrahim Kadriu, i njohur me pseudonimin Branda, ishte ndër anëtarët e parë që iu bashkua kësaj organizate. Më vonë, në Kuvendin e dytë më 21 qershor 1991, SHPD u riemërua në Partia Demokratike Shqiptare – PDSH.
Angazhimi humanitar dhe Shoqata Humanitare Bamirëse – SHHB “Nëna Terezë”: Gjatë viteve 1990, përveç organizatave politike, u formuan edhe shoqata humanitare dhe intelektuale. Një nga organizatat e para humanitare ishte Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nëna Terezë”, e themeluar më 12 shtator 1990 në Prishtinë. Vetëm një javë më vonë, më 20 shtator 1990, falë përkushtimit të disa veprimtarëve në krye me profesor Ibrahim Kadriun, u themelua dega e kësaj shoqate në Preshevë. Më pas, u formuan edhe nëndegët në Rahovicë, Miratoc, Corroticë-Shoshajë etj. Në atë kohë, si shumë mësimdhënës të tjerë shqiptarë edhe profesor Kadriu ishte larguar nga puna e mësimdhënësit nga autoritetet serbe, por ai vazhdoi të vepronte aktivisht për të ndihmuar komunitetin shqiptar. Përmes SHHB “Nëna Terezë”, ai arriti të ndërtonte ura bashkëpunimi midis subjekteve politike, shoqatave dhe forumeve që vepronin në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Lexo po ashtu:  Dostojevski për gratë!


Roli në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992: Në prag të “Referendumit për autonomi territoriale politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të drejtë bashkimi me Kosovën”, në mbledhjen e kuvendit të delegatëve, mbajtur më 16 shkurt 1992 në Preshevë, profesor Ibrahim Kadriu u zgjodh kryetar i kuvendit dhe kryesisë për referendum. Me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, ai organizoi dhe mbikëqyri këtë proces historik për shqiptarët e Luginës edhe përkundër sfidave dhe kërcënimeve nga regjimi i atëhershëm serb. Pata fatin të bashkëpunoja me profesor Kadriun në të gjitha këto veprimtari, si në organizimin e referendumit, ashtu edhe në aktivitetet humanitare përmes SHHB “Nëna Terezë”.


Angazhimi politik dhe mbështetja për UÇK-në dhe UÇPMB-në: Gjatë periudhës 1992-1999, e sidomos pas referendumit, profesor Kadriu ishte një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai hartonte deklarata, promemorie dhe letra drejtuar autoriteteve ndërkombëtare për padrejtësitë ndaj shqiptarëve, duke kërkuar bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, ashtu siç ishte shprehur vullneti popullor në referendumin e vitit 1992. Në periudhën e luftës së Kosovës (1998-1999), ai dha një kontribut të rëndësishëm në ndihmën humanitare dhe mbështetjen morale e politike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – UÇK. Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe fillimit të kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – UÇPMB, ai vazhdoi mbështetjen për lëvizjet çlirimtare, duke inkurajuar politikanët shqiptarë për realizimin e të drejtave kombëtare.
Një njeri i ndershëm dhe vizionar: Gjatë viteve të 1990-ta, profesor Kadriu tregoi një përkushtim të jashtëzakonshëm në organizimin e ndihmave humanitare për Kosovën dhe Luginën. Ai ishte shumë i kujdesshëm në menaxhimin e fondeve të SHHB “Nëna Terezë”, duke u siguruar që ndihmat të shpërndaheshin me përgjegjësi dhe transparencë. Më kujtohet një rast kur, së bashku me të dhe disa bashkëveprimtarë të tjerë, transportonim ndihma për Drenicën. Gjatë rrugës, ai deshi të sigurohej se asnjëri prej nesh nuk kërkonte kompensim për karburantin, duke dëshmuar përkushtimin e tij për kursimin e fondeve për kohë më të vështira. Me pak fjalë, asgjë nuk harxhohej nga buxheti i shoqatës, e as ushqimi dhe pijet që kishim nevojë, por vetëm nga mjetet tona private. Ishte një njeri i ndershëm, vizionar dhe ruajtës i interesit kombëtar.

Lexo po ashtu:  Me 30 Gusht, zgjedhje Parlamentare në Mal të zi! Lusim të gjithë shqiptarët të dalin masivisht në këto zgjedhje, o sot o kurrë!


Trashëgimia e tij mbetet e gjallë: Me ndarjen nga jeta të profesor Ibrahim Kadriut, Lugina e Preshevës humbi një nga personalitetet më të rëndësishme të saj. Ai ishte dhe do të mbetet një figurë unike, një udhëheqës i urtë, një humanist i madh dhe një patriot i devotshëm.
Trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë përmes veprave dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm për Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore) dhe kombin shqiptar.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Ibrahim Kadriun!

Preshevë, 23 mars 2025

(Autori është mësimdhënës i gjuhës angleze në shkollën e mesme teknike në Preshevë dhe përkthyes gjyqësor për shqip-serbisht-anglisht. Ish-anëtar dhe aktivist i SHHB “Nëna Terezë” gjatë viteve të 90-ta të shek. XX. Veprimtar dhe aktivist për realizimin e Referendumit më 1 dhe 2 mars 1992. Aktualisht merret me shkrime publicistike, përkthime të ndryshme etj.)