Iku Lalani

Nga Gjirokastra iku Lalani,
S’dihet a kthehet përsëri,
Në pleqëri u nis tek çupa,
Vate dhe Lalani për Gjermani.

Usta Lalani ish këpucar,
Gjithë Gjirokastra e kujton,
Poshtë minderit këpucët struken,
Se vate dora që rregullon.

Po ka prej tyre që s’fshihen dot,
Sokakët marrin me detyrim,
Përmbi xhade hypin e zbresin,
Zbresin e hypin me ngurrim.

Gurët e vjetër u qajnë hallin,
Mërzinë e tyre ndjejnë në shpirt,
Ndaj zbusin majat edhe thepat,
Teksa këpucët psherëtijnë.

Iku Lalani, iku Lalani,
La Gjirokastër dhe Shqipëri,
E ikin plot porsi Lalani,
E ikën tërë ajo rini.

Fabrika e këpucëve në Gjirokastër,
Aty Lalani fitoi mjeshtëri,
U mbyll fabrika e shkoi prodhimi,
S’e ndal turizmi këtë varfëri.

Sërish shqiptarët i merr kurbeti,
Qyteti mbeti zbrazëti,
Nga Gjirokastra iku Lalani,
Trashëgimi për vetmi.

Nga Boiken Abazi,
* Personazhi është real, ngjarja është reale, poezia u bë sot shpejt e shpejt pasi mora vesh lajmin, duke patur pak në mendje edhe poezinë e Andon Zako Çajupit për Naimin, por duke i shkruar sot vargjet me thjeshtë e për njeriun e zakonshëm që detyrohet të largohet nga vendi. Ndjesë miqve që mund ta gjykojnë nga lart poshtë pak si bejte, por mbase kështu ngjit …

Lexo po ashtu:  Përkthime të shkurtra të lirikës së këngës shqiptare (Shkodër)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *