Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji i ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Ai tha se edhe pse kjo Pashkë e gjen botën e përgjakur, një Evropë të përçarë dhe një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, ftoi të ruhet qetësia e shpirtit, shkëlqimi i shpresës dhe ngushëllimi i fesë.

“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Europë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë. Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo”, thuhet në mesazhin e Imzot Dodë Gjergji.

Dodë Gjergji tha se lut Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet njerëzve në vend dhe në mbarë botën të bëhen qëllimi i përbashkët.

Lexo po ashtu:  Ushtaraku Anton Quni po çmend Serbinë, reagon edhe gjenerali serb Lazoreviq

“Sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi shoqërore, politike dhe ushtarake, të cilët janë të thirrur të çlirohen nga urrejtja, cinizmi dhe mentaliteti i vetë-mjaftueshmërisë – pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo. Sepse jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja. Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë”, tha Dodë Gjergji.