“Mënyra me të cilën kemi future teknologjitë dixhitale në jetët tona e ka përkeqësuar qytetërimin njerëzor. Ama mund ta korrigjojmë akoma tendencën, duke provuar që të punojmë për një kapitalizëm ndryshe, të përshtatur me epokën e internetit. Secili prej nesh duhet të marrë mbi vete përgjegjësitë e tij”

Jaron Lanier jeton dhe punon në Silicon Valley: informaticien, pionier i realitetit virtual, eseist, për momentin i punësuar nga Microsoft, provon që t’i godasë nga brenda stonaturat e epokës dixhitale. Flet me «Corriere della Sera», i ftuar nga nga Fondacioni “Carla Fendi” për të marrë pjesë në programin e takimeve për shkencën Ecce Robot, me rastin e Festivalit të 2Botëve.

Cilat janë «emergjencat» nga ku të fillohet?

«Kemi përfunduar duke krijuar një shoqëri në të cilën shumë besojnë tek lajmet false apo në teoritë konspiracioniste e pseudoshkencës, ku shumë janë më shumë të zemrëruar nga sa ka qenë në të kaluarën, me efekte negative mbi vetë demokracinë. Flitet për populistëm për autokratë, por ky i sotmi është një model i ri pushteti: arrin të nxjerrë në kah atë që di të kanalizojë irritueshmërinë dhe paranojën e krijuar nga interneti».

Çfarë lloj lideri kemi përpara?

«Njeriu i fortë i së kaluarës thoshte: “Jam unë shefi yt, kam të drejtë unë, të gjithë të tjerët e kanë gabim”. Perosnaliteti i tij ishte mbi të gjithë. Kurse sot – nuk flas për Italinë pasi nuk e njoh aq sa duhet, por mendoj për Shtetet e Bashkuara, për Brazilin, që e kam vizituar kohët e fundit, apo për Turqinë – stili i ri i liderit ka diçka shumë emotive dhe vulnerabël. Tek ne Trump mund të thotë shprehje të tilla si: “Ky person është i preferuari im” ose “Unë nuk i pëlqej këtij apo atij”. Është një fjalor fëminor, duket si ai i një fëmije në kopësht».

Ku qëndron epoka dixhitale në gjithë këtë?

«Interneti i ka bërë të gjithë më të papjekur, më të irritueshëm, më të sikletosur, kështu që kur liderët tanë aktualë  tregojnë këto aspekte të personalitetit të tyre, qytetarët identifikohen me ta».

Si të korrigjohet kursi?

«Lloji i përvojës njerëzore të prodhuar nga rrjeti është e ndryshme nga çdo version i mëparshëm i botës. Në të kaluarën, kur hyhej në kontakt me dikë, ekzistonte një motiv për ta bërë. Kurse sot, kur ndërveprojmë me një përdorues online, kërkojmë parasëgjithash që të tërheqim vëmendjen ose, për të mos u përqeshur nga diskush tjetër, e vëmë ne të parët në vështirësi. Më shumë se për marrëdhënie, duket se bëhet fjalë për “lojëra mendore”. Dhe ato që i inkurajojnë janë kompanitë teknologjike si Google dhe Facebook, pasi e ndërtojnë biznesin e tyre pikërisht rreth bindjes, varësisë, modifikimit të sjelljes. Kjo është shumë e rrezikshme, parasëgjithash sepse është sikur vlera e njerëzve të përcaktohej nga kjo dinamikë ku kërkojmë që të mashtrojmë e të bindemi radhë pas radhe gjithë kohën. Zgjidhja e vetme është të paraqitet një lojë e ndryshme».

Lexo po ashtu:  Xhorxh Bajron, fisniku aventurier, lordi britanik që u dashurua me Shqipërinë dhe shqiptarët

Cila do të ishte?

«Interneti duhet të bëhet një instrument për të fituar bukën e gojës, ku secili të ketë një kuotë dhe për të cilin ushqen interes. Shumë thonë se problem është kapitalizmi, i cili duhet eliminuar. Unë eci në drejtimin e kundër: kapitalizmi duhet rilançuar në kontekstin e ri të uebit. Ideja ime, ndoshta budallaçkë, është që çdo individ duhet të paguhet për të dhënat që jep. E propozoj edhe për një motiv tjetër: të njëjtat kompani teknologjike tregojnë se robotët do të t’i bëjnë të prapambetur qeniet njerëzore, thonë se do të humbasim punën dhe se do të mund të jetojmë vetëm falë një të ardhure bazë apo të një sistemi welfare. Gjë që rrit ndjesinë se qenia njerëzore nuk ka vlerë dhe se, pikërisht, po përjetojmë atë “lojë” të çuditshme ku gjithçka është mashtruese. Por inteligjenca artificiale nuk është diçka reale: është vetëm një mënyrë për të mbledhur të dhëna dhe për t’i aplikuar në një program. Të dhëna që, pikërisht, vijnë nga njerëzit. Kështu, sikur të paguheshim, do të fitonim më shumë në momenti në të cilin do të kishte më shumë robotë. Do të lindte një botë me punësim të plotë».

Kurse për sa i përket sistemit më tradicional me pagesë nga ana e përdoruesve, për shembull për lajmet, ju keni sugjeruar një model abonimi në stilin Netflix.

Lexo po ashtu:  Stokholmi nuk ka pasur asnjë orë të vetme me diell gjatë dhjetorit

«Është një mundësi. Ama dua të saktësoj se ne jemi tashmë duke paguar, edhe atë që duket falas. Të dhënat tona janë para dhe në këtë moment po vidhen nga kompanitë teknologjike, që për më tepër i përdorin për të na mashtruar e për ta na bërë të varur. Kështu që po, mund ta paguajmë përmbajtjen sipas modelit Netflix, ama – e përsëris – duhet edhe të shpërblehemi për të dhënat tona. Fluksi duhet të shkojë në të dyja drejtimet».

Çfarë ideje keni krijuar për Libra-n, kriptovalutën e njoftuar nga Facebook?

«Kompania e Mark Zuckerberg ka dështuar në mbrojtjen e përdoruesve, na ka gënjyer dhe na ka zhgënjyer shumë herë. Kështu që është e vështirë të jem optimist, le të themi se provoj. Dyshimi im është se për momentin Facebook ka karakteristika, për shembull kontrollin e centralizuar, që duken të papajtueshme me kriptovalutën».

Vitin e kaluar ju keni shkruar «10 arsye për të fshirë menjëherë llogaritë tuaja në rrjetet sociale», botuar në Itali nga shtëpia botuese Saggiatore, njëlloj si librat e tjerë tuaj. Mendoni akoma se duhet të dalim nga Facebook, Instagram, Twitter?

«Natyrisht që e di se për shumë është e pamundur. Ama të ngresh pikëpyetjen është gjithsesi një mënyrë për të shtyrë të mendosh, të paktën edhe për një sekondë “Çfarë po bëj me këto llogari?”, “Është e drejtë që t’i nënshtrohem survejimit të një kompanie manipuluese?”».

E kanë influencuar rrjetet sociale zgjedhjen e Donald Trump?

«E vështirë të thuash me siguri. Ka studiues që e mbështesin. Por informacionet më të rëndësishme që mund të na e thonë vërtet se çfarë ka ndodhur ndodhen brenda Google dhe Facebook. Ajo që me siguri mund të nënvizojmë është se afirmimi bashkëkohor i tendencave politike të ngjashme në pjesë të ndryshme të botës, nga Brazili në Filipine, nga India në Shtetet e Bashkuara në vende të ndryshme europiane. Sigurisht, mund t’i kërkohet motivi duke i analizuar faktorë si përqëndrimi i pasurisë, fenomenet migratore, të dhënat anagrafike të popullsisë. Por nëse disa shpjegime vlejnë për disa vende, nuk funksionojnë për të tjerë. Elementi i vetëm që me siguri e kanë të gjithë të përbashkët përfaqësohet nga Google dhe Facebook».

Lexo po ashtu:  Fabula nga Aesop – “Gjuha”

A mund të ketë vërtet një peshë në këtë kontekst mbyllja e llogarive të veçanta?

«Bota ndryshon kur lloje të ndrysme veprimesh ndodhin në nivele të ndryshme në të njëjtën kohë. Në kompanitë teknologjike një pushtet real për korrigjimin e sistemit është në duart e inxhinierëve e të shkencëtarëve: është e rëndësishme që të jenë parasëgjithash ata që të pyesin se ajo që po bëjnë është apo jo etike dhe për fat, pjesërisht, po ndodh. Ja, në këtë skenar, mbyllja e të gjitha llogarive nga ana e përdoruesve të veçantë mund të jetë kështu e dobishme për të ushtruar një presion mbi ata që punojnë në kompanitë e mëdha».

Në vitet ’80 ju keni qenë një pionier i realitetit virtual dhe, lidhur me këtë temë, në shtator në Itali do të botohet një libër – memuar, i titulluar «Mëngjesi e gjithçkaje të re». cilët janë kufijtë e ardhshëm në këtë aspekt?

«Disa vite më parë ime shoqe ka pasur kancer dhe, për ta operuar, mjeku ka përdorur një procedurë në realitetin virtual. Kemi zbuluar në vijim se ishte specializuar me një bashkëpunëtorin tim e mbi 30 viteve më parë. Domethënë, sa kishte ndërtuar, ishte sikur të më ishte kthyer: ka qenë mrekulli. Por, pavarësisht kësaj, edhe e ardhmja e realitetit virtual do të varet nga mënyra sesi do të vendosim ta menaxhojmë ekonominë e internetit: mund të bëhet edhe forma më e tmerrshme e kontrollit mendor ose një përvojë prej ëndërre».

Në manifesitn tuaj «Ti nuk je gadget» (2010), ju kritikoni edhe Wikipedia. Pse?

«Respektisht gjithçkaje që ka ndodhur më pas, mund të imagjinoj se sot duket një temë e vogël. Por Wikipedia vazhdon ta ketë një problem: ushqen iluzionin se interneti mund të përkufizojë një të vërtetë unike. Përpara ekzistonin enciklopedi të veçanta, secila me pikëpamjen e saj. Koncepti i një të vërtete të vetme globale më sikletos dhe më frikëson»

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *