Italia do të rihapë kufijtë nga data 3 Qershor, ndërkohë që përpiqet të lehtësojë mëtej masat e karantinës dhe të nxisë ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.

Qeveria italiane publikoi këtë fundjavë një dekret që do të lejojë udhëtimet brenda dhe jashtë vendit si dhe të heqë barrierat në lëvizjet e brendshme, në përpjekje për t’i dhënë nxitje industrisë së turizmit gjatë Verës.

Kryeministri Italian, Giuseppe Conte,  shtoi se heqja e barrierave në udhëtime do t’i aplikohet vetëm vizitorëve nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Mbi 31,000 persona kanë vdekur si pasojë e Covid-19 në Itali, që është shifra e tretë më e madhe pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Megjithatë, numri i vdekjeve dhe rasteve të reja  kanë rënë, ndërkohë që vetëm 262 vdekje janë raportuar në 24 orët e fundit.

Roma zyrtare është gjendur përballë presioneve nga bizneset për të rinisur aktivitetin ekonomik sa më shpejtë të jetë e mundur. Heqja e barrierave në udhëtim vjen pasi qeveria italiane deklaroi se dyqanet dhe restorantet mund të lejohen të rihapen me masa të distancimit social nga data 18 Maj.

Lexo po ashtu:  Këto vende Evropiane kanë rihapur kufijtë e tyre për turisët

Në fillim të muajit Mars, Italia u bë vendi i parë në Europë që vendosi karantinën kombëtare. Ekonomia italiane projektohet të pësojë një rënie me 9.1% këtë vit, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.   Produkti i Brendshëm Bruto u tkurr me 4.7% në tremujorin e parë, nga fundi i 2019-s.

Nga data 18 Maj do të hiqen kufizimet për njerëzit që lëvizin në rajonet e italisë si dhe do të lejohet rihapja e kishave. Conte i’u dorëzua presionit nga rajonet italiane për të rihapur baret dhe restorantet më 18 Maj, nga fillimi i Qershorit që projektohej më parë.

Megjithatë, mbledhjet në hapësira publike do të ndalohen, pavarësisht heqjes së barrierave të udhëtimit.  Qeveria italiane do të mbajë aftësinë për të rivendosur masat e karantinës nëse rritet ndjeshëm numri i të infektuarve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *