MekuliPress ju fton të lexoni poezinë prekëse “Unë nuk njoh lumni”, poezi kjo e shkruar nga bardi i poezisë shiptare Esad Mekuli.

UNË NUK NJOH LUMNI

Unë nuk njoh lumni: shqetsimet në zemër m’lulzojnë.
Kam mbetë i vetëm-pa motër e pa vlla.
Jam fëmi i k’putun, n’horizonte t’ tymnosuna ra,
ku shkrepin rrëfetë dhe n’ humnerë t’ fërfllojnē.

Jam bir i mjerimit, i lanun rrug’ve n’rravgime,
shok lypsash, bredhsash e i njerëzve n’mjerim.
Jam nxitja e përhershme në t’ përhershmet rrëxime-
Shqetsim i përhershëm në t’ përhershmin pësim.

Jam dhimbj’e t’ vorfnit, pa bukë e n’ ujë mbetë,
lot nane që mbi tryezën e shprazët lëshohet…
Jam mall i skllavit, në ndjekje për jetë,
që nën mështeknën- n’ ajri naltësohet…

Jam vuejtja e t’ shkelunve, mbytun në zi,
kushtrim në ngulje, që copton çdo pengesë:
– n’ at uzdaj t’madhe, që çohet me fuqi
përmbi rrënime- unë jam nji grimë shpresë.

Jo, nuk njoh lumni: shqetsimet n’zemër m’ lulzojnë.
Kam mbetë i vetëm- pa motër e pa vlla.
Jam fëmi i k’putun, n’ horizonte t’ tymnueme ra,
ku shkrepin rrëfetë dhe n’ humnerë t’ fërfllojnë.

Lexo po ashtu:  Sot është datëlindja e poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Lasgush Poradeci

Esad Mekuli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *