– poezi nga Mitrush Kuteli

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.
Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.
Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…
Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.
Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.
…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut.
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!

Lexo po ashtu:  Ekspozimet Wi-Fi që industritë e teknologjisë së lartë i mohojnë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *