E nisëm për 4 vjet. Shërbyem vetëm 4 muaj. Sot qe dita ime e fundit në MEPTINIS, në superministrinë e ekonomisë, që tani po e ndajnë më tresh.

Ditën e parë të punës ministrja Rozeta Hajdari më kishte paralajmëru për rëndësinë e detyrës sime: Kemi ardhë me jetësu vullnetin e pastër të Qeverisë Kurti — me punu sipas ligjit!

Si këshilltar juridik, më takonte mua me thënë se ç’kërkonte ligji. Dhe kjo s’qe punë e lehtë.

Kishim zotime të mëdha për të gjithë sektorët në MEPTINIS: minierat, energjinë, punësimin, tregtinë, turizmin, telekomunikacionin e teknologjinë informative, industrinë, naftën, ndërmarrësinë, ndërmarrjet publike, investimet e huaja, investimet strategjike.

Bëmë pak nga ç’deshëm të bëjmë. Por bëmë shumë për kaq pak kohë, në këtë mot murtaje e në këtë mizëri sulmesh të kundërshtarëve të paudhë.

Në MEPTINIS u kujdesëm për pasurinë e popullit. Nisëm shkarkimin e drejtorëve zhvatës të 10 ndërmarrjeve publike. Përgatitëm dhe vëzhguam reciprocitetin me Serbinë. Ndalëm hajninë disamilionëshe me shpronësime tokash dhe zona ekonomike të kundërligjshme. Mbrojtëm pasuritë shoqërore që AKP synonte me i tjetërsu. Mbështetëm vendin drejt pavarësisë energjetike. Përkrahëm punëtorët e bizneset, sidomos në pandemi. Zumë të ndreqim legjislacionin, të përmirësojmë administratën, të nxisim investime, e t’u çelim shteg shumë punëve të mbara.

Lexo po ashtu:  Kurti: Ka 48 baza serbe rreth kufirit me Kosovën

Por sot zbrazëm zyrat. Në tryezën e Ministres lamë dokumente të rëndësishme, ndër to dëshminë për të drejtat e Republikës së Kosovës ndaj mashtruesve Contour Global, udhërrëfyesin për furnizim me rrymë në mbarë vendin (pa përjashtu komunat veriore), projektet për sektorin privat dhe zhvillimin, dhe raportin e 100-ditëshit të qeverisjes ma të mirë në historinë e Dardanisë.

Shumë prej këtyre punëve s’lypset as t’i shtyjnë ministrat e rinj; veç mos t’i ndalin.

Ne nuk do t’i takojmë ata nesër. Nuk mund të shtrëngosh duart — as të mtokësh bërrylat në kohë kovidi — me kundërshtarin që golat e tu ia njeh vetes. Me të tillë njerëz nuk koritesh. Por koritemi me i lënë keq institucionet tona, mos me besu në përkushtimin e nëpunësve, a me mendu se ëndrra jonë për Republikën e Kosovës ka marrë fund.

Sot pas punës nënshkrova peticionin për zgjedhje të reja. Populli do t’i bëjë zgjedhjet shpejt dhe do të rikthehet me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për ta vazhdu rrugën e drejtë që na e ndalën sot padrejtësisht.

Lexo po ashtu:  Kina vë këmbët në krizën palestineze

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *