Termi Deja Vu vjen nga frëngjishtja dhe do të thotë ‘tashmë e parë’. Ata që e kanë provuar e përshkruajnë si një ndjesi tepër familjare, rikthim i diçkaje të përjetuar më parë fiks në po të njëjtën mënyrë. Ndjesia është kaq e fortë, saqë të bën të vendosësh në pikëpyetje veten nëse momenti është apo jo i përsëritur.

Për shembull, ju po udhëtoni për herë të parë në një qytet, futeni në një katedrale dhe papritmas, duket sikur brenda atij vendi nuk është hera e parë që shkelni. Jeni duke biseduar me dikë gjatë një darke e në një moment, ju duket se po të njëjtat fjalë, po e njëjta përgjigje, po të njëjtat lëvizje dhe mimika, disi i keni parë të ndodhin.

Për një moment ndaloni për të menduar nëse është vizion, ka ndodhur në ëndërr, apo ‘në një jetë tjetër’. Fenomeni është mjaft kompleks dhe ka shumë teori të ndryshme se pse ndodh Deja Vu. Megjithëse disa e interpretojnë Deja Vu-në në një kontekst paranormal, qasjet kryesore shkencore hedhin poshtë shpjegimin e deja vu-së si “profeci”. Përkundrazi, ata e shpjegojnë atë si një anomali të kujtesës, pasi pavarësisht ndjenjës së fortë të të mbajturit mend, koha, vendi dhe konteksti praktik i përvojës “së mëparshme” janë të pasigurta ose besohet të jenë të pamundura.

Lexo po ashtu:  12 ushqimet më të mira për lëkurë të shëndetshme

Njihen dy lloje të Deja Vu-së. Deja Vu patologjike, e cila zakonisht lidhet me epilepsinë. Në këto raste zgjat shumë dhe shoqërohet me simptoma të tjera, si halucinacione. Në këtë rast, mund të jetë tregues i sëmundjes neurologjike ose psikiatrike. Lloji tjetër është Deja Vu jo- patologjike, karakteristikë e njerëzve të shëndetshëm; rreth dy të tretat kanë kaluar të paktën njëherë një përvojë të tillë.

Njerëzit që shikojnë më shumë filma, udhëtojnë më shumë, kanë më shumë premisa për të kaluar një deja vu. Po njësoj, njerëzit që janë duke kaluar presion të lartë, apo janë emocionalisht të dobët. Disa studime tregojnë se me kalimin e kohës, Deja Vu zvogëlohet me moshën.

Shpjegimi sipas perceptimit të ndarë

Deja Vu mund të ndodhë nëse personi percepton dy herë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë. Mirëpo, inputi i parë është i shpejt, i shpërqendruar apo i papërpunuar, ndërsa inputi i dytë ndjehet familjar sepse njeriu natyralisht e njeh nga inputi i parë.

Lexo po ashtu:  Ushqimet që duhet të konsumoni për kujtesën dhe humorin

Shpjegimi sipas kujtesës së njohjes

Kujtesa e njohjes u mundëson njerëzve të besojnë se ngjarjen ose aktivitetin që ata po përjetojnë e kanë të përsëritur. Kur kujtesa e njohjes provokohet nga stimuj të ndryshëm, krijohet ndjesia e Deja Vu. Dy qasje përdoren nga studiuesit për të studiuar ndjenjat e përvojës së mëparshme, me procesin e kujtimit dhe atë të  familjaritetit. Njohja e bazuar në kujtesë i referohet realizimit të situatës aktuale që ka ndodhur më parë. Njohja me bazë familjare i referohet ndjenjës së njohjes me situatën aktuale pa identifikuar asgjë.

Shpjegimi bazuar tek ëndrrat

Edhe ëndrrat janë përdorur për të shpjeguar Deja Vu-në. Së pari, situata të caktuara përsërisin atë që mund të kemi parë në ëndërr. Së dyti, deja vu përjetohet pasi disa elementë të ëndrrave kanë ndodhur në jetën reale. Së treti, njerëzit mund të kalojnë deja vu-në në një gjendje të përgjumur, e cila e lidh deja vu-në me frekuencat e ëndrrave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *