TEPELENA…. Kanë kaluar dyzet vite, por kujtimet janë ende aq të gjalla e aq të pranishme. Këta rrjeshta, këto ndodhi, ju që i keni jetuar ndoshta nuk do t’i lexoni kurrë, por kush mundohet t’i ripërtërijë u a kushton juve, heronj të harruar të një tragjedie e cila, kur jetohej, nuk kuptohej sa e madhe dhe e thellë ishte.

Anxhela, Maria, Ana, Antoni, e mund të kujtoj ende qindra emra, e si pamje të njëmbasnjëshme të një filmi, shumë fytyra që rikthehen e më shohin, sy të trëmbur, çehre të zbehta të shënuara nga vetëdija e terrorit që shoqëronte çdo ditë jetën tonë.

Një fushë përqëndrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qënie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë gazerma. E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë  e gjërë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga gazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo – greke në vitet e luftës së dytë botërore. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt  gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjëmba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë. Zgjimi bëhej në mëngjes herët. Katërqind vetë në çdo gazermë, shtrënguar njëri me tjetrin në dy kate shtretërish të pandërprerë dërrase në të gjithë gjatësinë e saj. Nuk ishin lejuar më shumë se gjashtëdhjetë centimetra për secilin prej nesh; dyshekët, për këdo që kishte fatin t’i kishte, dukeshin si rrugica të vogla e të ngushta. Bëhej thirrja e emrave, me ngut, pastaj nisja për në punë. Të gjithë të rinjtë në mal: nuk mjaftonin dy orë ecje për të arritur,  për t’u kacavjerrur më pas nëpër një shteg shumë të ngushtë e të pjerrët deri atje lart ku ishte pylli ku punonim. Duhet të kishe krahë e muskuj të fuqishëm, për të prerë drunjtë me sëpatë, për t’i shpënë në kurriz poshtë në një livadh të vogël të stivuar, për t’u kthyer përsëri sipër e për të zbritur disa herë i ngarkuar deri sa të plotësohej sasia e kërkuar nga ata që na shoqëronin, rojet e kampit. I shëmbëllenim një karvani që, në rrjesht indian, mezi ngjitej e zbriste i heshtur, me këmbët që dhimbnin, herë herë të gjakosura, të mbathura me një copë lëkure derri që bashkë me lidhëset  merrte  formë sandallesh. Deri në mbrëmje me stomak bosh dhe gojën e shkrumbuar nga mungesa e ujit: në perëndim të diellit rrjeshti i gjatë i këtyre qënieve njerëzore vihej përsëri në rrugë për t’u kthyer “në shtëpi”. Ishim gjithmonë të ngarkuar me dru, copa të gjata e të trasha të lidhura me litar mbi kurrizet tona.

Ishte tashmë natë kur arrinim në kamp. Pleqtë, të sëmurët, prisnin kthimin tonë me ankth mbas murit të telave me gjëmba; pastaj fëmijët. Nuk mund të harroj kurrë fëmijët tanë që na dilnin përpara, të zbathur, të rreckosur, fëmijët që i linim në mëngjes duke lutur Zotin t’i gjenim shëndoshë e mirë në darkë. Por sa nëna në kthim gjenin një kufomëz: sëmundjet, veçanërisht ndërmjet fëmijëve, korrnin viktima pa mëshirë. Nuk kishte barna. Një mjek, dhe ai i përndjekur mbasi nuk ishte komunist i besuar, aftësia profesionale e të cilit zbehej e pafuqishme para aqë fatkeqësish e aq mjerimi, vinte duart në kokë kur hynte në kamp. Megjithatë gruaja shqiptare, nëna shqiptare e atyre viteve kishte një vendosmëri stoike: me duart e veta varroste krijesën e saj, pa derdhur asnjë pikë loti. Nuk kishte më lotë në sytë tanë, i kishim derdhur të gjithë! Të nesërmen shkohej në punë, e kështu vite me rradhë. Një kazan me ujë të zier me ndonjë kokërr fasule brënda e një copë bukë, ky ishte ushqimi ynë; në mëngjes pak ujë me ngjyrë të errët që duhet të ishte “çaj”.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  1969/ Rolling Stones dridhi Murin e Berlinit, një ngjarje e rezistencës ndaj një sistemi shtypës dhe të padrejtë, RDGJ.

Afroheshin Krishtlindjet 1951. Shokë internimi ishin me ne disa meshtarë, Don Nikoll Mazreku, At Viktor Volaj, At Jak Gardin, ky i fundit italian. Të tjerëve nuk u kujtoj më emrat. Menduam t’a lusnim atë Krishtlindje me një Meshë. Nuk kishte vetëm katolikë në kampin tonë, kishte myslimanë, ortodoksë, por nisma duhet t’ishte e jona e nuk qe e lehtë. Në 1951 ishin ende të hapura kishat e xhamitë, por ishin në përgatitje ligjet që do të miratonin mbylljen e tyre dhe do të vendosnin ateizmin si ”fe” të Shtetit. Kërkesën tonë drejtoria e kampit e kundërshtoi prerë: çdo të thotë “Krishtlindje” tha drejtori Xhaferr Pogaçe, ne nuk njohim veçse Pashkët. Me durim të pamasë i shpjeguam se Pashkët përkujtonin vdekjen e Jezuit tonë, por Krishtindja ishte festa e gjithë njerëzimit sepse kremtonte lindjen e tij. Asgjë, për më tepër se Krishtlindjet nuk binin të djelën, por më duket se n’atë të largëtin 1951 në një ditë pune. I siguruam se do të shkonim të gjithë në punë, pa dallim, mjaft që të na lejonin të ktheheshim pak më shpejt, para se të errësohej. Nuk kishim drita, as qirinj, as dhe një bishtuk. Sa lutje burgosësve tanë, por qemë të gjithë në një fjalë, pavarësisht nga besimi i secilit, atje ku na mblidhnin për të nisur rrugën e malit në punën tonë, nuk lëvizëm deri sa na premtuam se mund të lusnim Meshën e Shenjtë që, në padijen e tyre, nuk arrinin të kuptonin çfarë ishte dhe pse ne e dëshironim aq shumë.

Ku do të thuhej kjo Meshë? Na caktuan mbeturinat e një gazerme, pothuajse të shkatërruar nga granatat greke, ku vetëm një mur kishte mbetur mrekullisht në këmbë, por ku kishte vënd për të gjithë. Filloi kështu puna për pastrimin e vëndit nga gurët, blloqet, barishtet e mbeturinat, gjithmonë mbas pune, n’errësirë me flakën e copave të pishës së ndezur që shërbenin si pishtarë drite. Buzëqeshnin  Don Nikolla e At Gardini në mes nesh duka na ndihmuar. At Gardini organizoi korin: nuk ishin më shumë se shtatë a tetë gra e burra por i a dolëm në krye. Don Nikolli do të çonte meshën. U kthyem me vrap nga puna atë 25 dhjetor 1951. Gazerma e prishur ishte mbushur me gjind. Altari, i mbështetur në të vetmin mur të mbetur në këmbë, mbështetej mbi një grumbull gurësh të renditur mirë e të mbuluar nga një çarçaf i bardhë. Don Nikolli kishte ruajtur fshehtas një kupë dhe disa ostie e filloi meshën. Pothuajse pa u vënë re rojet e kampit u afruan “për të vigjëluar”, por besoj më shumë për kërshëri, për të parë se çfarë ishte ajo gjë për të cilën u ishim lutur aq shumë.

Kush u dha zërave tanë aq fuqi sa dukej se jehona arrinte deri në qytet? ”Adeste fideles”, “Natë yjesh”, “Ti zbret nga yjet” u përhapën në hapësirë duke mallëngjyer të gjithë të pranishmit. Don Nikolli në predkun shqiptoi pak fjalë,  të thjeshta, të thella, si ato që vetëm Krishterimi mund të frymëzojë. Nuk dëgjohej as flladi më i lehtë; së fundi notat e këndëshme e të thella të Ave Maria, ndërsa meshtari përsëriste si ndër shekuj “Ite Missa est” dhe qe një shpërthim lotësh e duarsh që ngriheshin lart drejt qiellit.. Atëherë të gjithë fuqishëm tonin “Christus vincit, Christur regnat”; tashmë ishte natë.

Lexo po ashtu:  Eshtrat e tij u hodhen në lum, Franca e nderoi kryeministrin shqiptar që vdiq nga droga

Don Nikoll Mazreku e At Gardini janë ende gjallë, nuk di nëse do të lexojnë ndonjëherë këta rrjeshta të thjeshtë, por cilido që qe i pranishëm, si un, në atë ndodhi nuk do t’i harrojë kurrë.

Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë,  Gradisht,  Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin  dashuri e më jepnin  kurajo,  kemi kaluar një jetë të tërë.

E kthyer në 1990 n’Itali munda të shoh një Kishë, t’i afrohem një altari, të marr kungimin e shenjtë. Gjthshka është e bukur, magjepsëse, por asgjë nuk mund të barazohet me emocionin aq të thellë, aq të mirëfilltë të asaj Krishtlindjeje të largët 1951, mes kaqë dhimbjeje, kaqë vuajtjesh por edhe kaqë shpresash në Virgjëreshën e Bekuar, Ruzari i së cilës shoqëronte kthimin tonë nga ajo punë çnjerëzore dhe e padrejtë, frut i një ideologjie të rreme e të mallkuar.

Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa  t’a quanin “t’arsyeshme” xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ishte viti 1952, kishte tre vite që ishim “mysafirë” në Tepelenë. Jetonja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si “armik i popullit”, ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete  mekanike. Kanale gjigandë, që duhej të çonin drejt detit ujrat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së “armiqve të popullit”. Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rrjeshta, kur e lejonin, për t’u siguruar se ishim gjallë.

Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune. Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera “plane” të regjimit komunist, për t’u sendërtuar “për të mirën e popullit”, nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.

N’atë vit i gjithë Vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit n’ato gazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me rradhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zjeja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.

Lexo po ashtu:  Lufta e Stalinit: Një libër dhe një e dhënë historike që vjen si paralajmërim për Europën

Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri. Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak t’ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte “me dinjitet” ata që e kishin dërguar. Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjërë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për “të mirën dhe përparimin e popullit”, programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brënda një ore duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbrritjes në vëndin e caktuar.

Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë  puntore gra, emri im i pari në listë, “në krye të klasifikimit”, më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu. Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rrjesht para kamionave që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet. Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vëndin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit të më linte në Tepelenë me të dashurit e mij, por nuk qe e mundur. Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e gazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e maqinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.

Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihnja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time “mama, mama”. Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thonin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri… Kollona e gjatë e maqinave u nis e pak nga pak u zhdukën shembëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.

U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vënde të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes. Ç’do të bëhej me neve?

Krishtlindje 1991 /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *