Komisioni Evropian shpalosi një paketë substanciale investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për mbështetjen e 21 projekteve për ndërlidhshmërinë e transportit, digjitalit, klimës dhe energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë dizajnuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.

Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, përmes kombinimit të granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut zhvillimor mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani po ashtu do të ndihmojë në vënien në veprim të strategjisë së BE-së Global Gateway në këtë rajon.

Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha se me këtë paketë madhore të investimeve po përshpejtohet realizimi në terren i Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“I kemi identifikuar këto projekte kryesore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Lidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, infrastrukturën digjitale dhe energjinë e ripërtërishme, do ta nxisin ekonominë, do të shtyjnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një mori mundësish për qytetarët dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë edhe integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Kurti në Kongresin e Malagas në Spanjë: vendi im u sulmua në tokën e vet nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *