Ta marrim të mirëqenë se qeveria e Kosovës është e mjerë, pa vision dhe se ajo vetëm i ka prishur punë Kosovës. Këtë thotë opozita kosovare e përbërë kryesisht nga njerëz që janë provuar në pushtet dhe po duken edhe tani për nivelin që kanë. Megjithatë është e qartë se përveç ndonjë krize akute, politika e jashtme nuk e rrëzon një qeveri të një vendi si Kosova. Dhe aq më pak pastaj diplomacia e saj që është zbatim i një politike të jashtme që në rastin e Kosovës nuk ndryshon.

Opozita e Kosovës është përpjekur të tematizojë edhe seancën e fundit në Këshillin e Sigurimit të kërkuar nga Serbia duke rrëmuar aty të vetmin argument që di të nxjerrë: nuk është mirë që Kosova të përmendet në Këshillin e Sigurimit sepse aty është një vend ku diskutohet për kriza. Këtë ka thënë ta zëmë ish-ambasadorja Vlora Çitaku që kur e lexon sesi shprehet të vjen keq për kohën që kalon e nuk sjell asnjë ndryshim me vete. Abdullah Hoti cilësonte të paktën se kërkesat e Kosovës janë të drejta, por në formën e paraqitjes së tyre qeveria ka gabuar dhe ka cenuar marrëdhëniet me partnerët.

Lexo po ashtu:  Kafshë politike

Vërejtja edhe mund të qëndrojë: mundet që Kurti të mos jetë një partner i dëshirueshëm për Perëndimorët. Sepse mendon me kokën e vet dhe se ka iniciativë. Se e tërheq në maksimum litarin e mundësive. Mirëpo puna është se përfaqësuesit e Perëndimit sot, që hiqen si liberalë, nuk kanë nerva të dialogojnë, ata kërkojnë bindje dhe kaq. Sepse uji i gamiljes së tyre po shteron për shkak të gabimeve që vetë i kanë bërë. Për të mos e gjykuar Perëndimin, mjafton të sjellim këtu optikën serbe për takimin e Këshillit të Sigurimit. Në raportimin e vet, presidenti Vuçiç ka dhënë këtë përshtypje:

Jam i kënaqur me atë që mund të dëgjoja. Britania e Madhe dhe Zvicra ishin më të ashprit kundër nesh, duke marrë kryesisht anën e Prishtinës. Pozicioni i Francës ishte i ndershëm dhe se ato të Algjerisë, Kinës, Rusisë, Ekuadorit, Sierra Leones dhe Mozambikut ishin të veçantë…Sigurisht që kjo nuk do të zgjidhë problemet, ne nuk do të jemi në gjendje të transportojmë dinarë aty, por njerëzit duhet të dinë se ne do të luftojmë për ta sikurse do të luftojmë gjithënjë për të vërtetën

Si përherë presidenti serb mbetet më informues sesa opozita e Kosovës, e cila i ngjan kaq shumë çdo opozite në Shqipëri apo te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ku e keqja nis sapo ata humbasin karrigen. Kurti mund të kritikohet për shumëçka, por jo për hir të kritikës. Mungesa e apelit opozitar për çështje të ekonomisë tregon më shumë për gjendjen e opozitës sesa për qeverinë.

Lexo po ashtu:  Elvis Hoxha argumenton: Valdete Daka ka mashtruar! Ka fshehur dënimin e deputetit Etem Arifi.