Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, sot ka mbajtur mbledhjen e 14’të, në të cilën ka marrë disa vendime.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë mbledhje, Qeveria ka dhënë mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është aprovuar dhe proceduar për në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe mendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike.

Janë marrë edhe tre vendime për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik.

Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 71 269 euro për Komunën e Suharekës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Komunikata e plotë e Qeverisë:

Qeveria e Republikës se Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt me miratimin e disa vendimeve dhe politikave të Qeverisë në fusha të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, thuhet se dispozitat e kësaj fushe nuk janë të rregulluara me legjislacionin e BE-së dhe si e tillë mbetet në kompetencë të rregullimit të brendshëm për vendet e Bashkimit Evropian. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shprehur përkrahjen e saj për projektligjin dhe ka theksuar se miratimi i tij do të kompletojë infrastrukturën ligjore për mbrojtjen dhe respektimin e vlerave të luftës, sakrificën, angazhimin dhe kontributin e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Është aprovuar dhe proceduar për në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe mendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike. Në opinionin e Ministrisë së Financave për Projektligjin, theksohet se propozimet për ndryshimet ligjore përmblidhen në rregullat fiskale për rritjen e përkohshme të kufirit të deficitit në rrethanat e Pandemisë COVID-19 dhe në ndryshimin e bilancit bankar. Ministria ka konstatuar se në dispozitat aktuale të Ligjit, Kuvendi i Republikës së Kosovës tashmë ka bërë ndryshimet për tejkalimin e rregullave fiskale të deficitit dhe kufizimit të bilancit bankar. Andaj, edhe konsiderohet që ndryshimet e propozuara me këtë nismë legjislative nuk janë të nevojshme.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2020-2024. Ky program ka për qëllim përcaktimin e masave dhe të prioriteteve të institucioneve shtetërore për zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Objektiv parësor i programit është përcaktimi i masave dhe prioriteteve që do të mundësojnë përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe konsiderohet si një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian.

Miratimin e kabinetit qeveritar e kanë marrë edhe tre vendime për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik. Vendimi i parë ka të bëjë me objektet që menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut të amfiteatrit në fshatin Mushtisht dhe Çerdhes së fëmijëve dhe këndit për të moshuarit në fshatin Studençan të Komunës së Suharekës. Vendimi i dytë për shpronësimin e pronës së paluajtshme, e cila preket nga restaurimi dhe konservimi i objektit “Shtabi i UÇK-së në Kosters”, Komuna e Skenderajt. Ndërsa, vendimi i tretë është për shpronësimin e pronave të paluajtshme private, të cilat preken nga ndërtimi i “Shiritit për rreshtim” për hyrje në Ambasadën Amerikane.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 71 269 euro për Komunën e Suharekës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në ekonomitë bujqësore në këtë komunë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar ministrin Agim Veliu, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit. Më këtë vendim, ai do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë detyrë, koordinatori do të këshillojë Kryeministrin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin dhe do të koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm. Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit do të jetë përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare.

Lexo po ashtu:  A po merr pjesë në zgjedhjet e 25 prillit Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *