Kam pushuar, jam qetuar,
E rri më nj’an’e derth lot,
Me zemër të përvëluar,
Me hulm me hidhërim plot.

Si zogu, kur bje e fryn
Dheu mbushet me dëborë,
Nën’ strehët i mjeri hyn,
Rri i varfër e i gjorë.

Sheh dëborënë që bije,
Edhe zinë që ka rënë,
Botën pa shij’e pa hije,
Dhe s’guxon të nxier zënë.

S’sheh gjëkundi lul’e fletë
Po të ngrit’e ftohtësire,
Jetënë gjithë të qetë,
Gjithësinë shkretëtirë.

Dhenë të bardhë si vezë,
Dhe pa gjeth’e pa burbuqe,
Zëmrëzën’e tij të zezë,
Q’e pat si lule të kuqe.

Më s’sheh shok, as fis, as miq.
As fëmijë, as folezë,
Shpresëza e tij i vdiq,
E ju përhap posi rezë.

Pa kokëzën’e fut në gjit,
Mbyll syt e hyn në mejtim,
Mejtohet edhe psherëtit
Me mall shum’e mallëngjim.

Mos pandeh se fle, a dremit,
Kur e sheh q’është qetuar,
Dhe këllet kokëzën në gjit,
Është gjithënjë i zgjuar.

Me mëndjezët të tij thotë,
Ah! shkoj, vate, koh’ e mirë,
Dua e mundohem kotë,
S’e kthej dot me të pahirë.

Lexo po ashtu:  VPN e re e Cloudflare një domosdoshmëri për kompjuterin tuaj

ju drurët’e uruar!
Ju shoh pa lul’e pa fletë,
Të rjepur të varfëruar,
Edhe të that’e të shkretë!

Kështu si ju edhe unë
Ndë jetë të shkret u thashë,
O! sa fletë m’u-këpunë,
Edhe ran’e më s’ i pashë!

Edhe ju fusha e male
Që nukë prishi e s’ndrohi,
Edhe ju dale nga dale
Më duketë po ndryshojti!

Ah! dhe ju ishit të tjerë,
Yjt’ e bukur, e ti hënë
Kur u shikonja një herë
Tani një zi u ka rënë.

Moj kohëz’ e djalërisë
Sa me vrap ike dhe shkove,
Hyre në gjit të Perëndisë
Edhe mua më harove.

Ti çdo gjëzë m’a tregove
Të bukur e fort të mirë,
Edhe gazë m’a shumove
E m’epnje shumë dëshirë.

Si t’ja bënjë zemr’e mjerë,
Me kohën gënjeshtare
Që ndrohetë kurdoherë,
Dhe s’ngjan ime të parët fare!

Duke ikur na rrëmben,
Gjithë ç’duam e ç’gjë kemi,
Ah! e shkreta ç’na gënjen,
Ashtu si qemë më s’jemi!

Le të bëhet urdhëri yt,
Zot’ i math e i vërtetë!
Po pse të na mbetet në syt
Kjo koh’e shkuar e shkretë?

Lexo po ashtu:  Ky është aplikacioni më i përshtatshëm

– Naim Frashëri

/www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *