Koreja e Veriut zbuloi një lloj të ri të raketës balistike, që lëshohet nga nëndetësja, gjatë një parade ushtarake në Phenjan.

Pamjet e medias shtetërore treguan udhëheqësin Kim Jong-un duke buzëqeshur, derisa mbikëqyrte ngjarjen në sheshin Kim Il Sung.

Në paradë marshuan edhe radhë ushtarësh, tanke e raketahedhës.

Raketa e re balistike u përshkrua nga media shtetërore si “arma më e fuqishme në botë”.

Shfaqja e forcës ushtarake në Korenë e Veriut vjen vetëm disa ditë para inaugurimit të Joe Bidenit si president i SHBA-së.

Ai po ashtu pason një takim të rrallë politik në Phenjan, ku Kim e cilësoi SHBA-në si “armikun më të madh” të vendit të tij.

Koreja e Veriut ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Shtetet e Bashkuara, nën administratën e presidentit në largim, Donald Trump.

Udhëheqësit e dy vendeve kanë qenë të përfshirë në kërcënime të ndërsjella, derisa janë takuar për herë të parë në Singapor, në vitin 2018.

Pas samitit të pazakonshëm, pak përparim është bërë në negociatat për programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Lexo po ashtu:  Zbulohet libri i rrallë nga Isaac Newton- Njihet si gurthemeli i matematikës moderne

Samiti i dytë i planifikuar midis Trumpit dhe Kimit, në vitin 2019 në Vietnam, ka dështuar pasi Uashingtoni ka refuzuar kërkesat e Phenjanit për lehtësimin e sanksioneve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *