Intervistoi: Sean Illing

Për të kuptuar më shumë mbi natyrën e virusit që ka izoluar në shtëpi gjysmën e popullsisë së botës, mund të shërbejë një krahasim me një prej pandemive më të rënda në historinë e njerëzimit. Gripi spanjoll, i njohur ndryshe si pandemia e gripit të vitit 1918, u mori jetën mbi 50 milionë njerëzve.

Historiani John M. Barry, në një intervistë telefonike për “Vox” bën një krahasim mes pandemisë së 1918 dhe Covid-19, me të cilin bota po përballet që prej fundit të vitit të shkuar.

Barry thotë se ndryshe nga gripi i 1918-s, koronavirusi aktual ka një shkallë vdekshmërie shumë më të ulët. Megjithatë, koronavirusi ka potencial më të madh për t’u përhapur.

“Pavarësisht potencialit që ka për të infektuar, shkalla e vdekshmërisë së Covid-19 duket shumë më e ulët se gripi i vitit 1918”, thotë ai në intervistë.

Një ndryshim tjetër është shkalla e inkubacionit. Shkalla mesatare e inkubacionit të gripit spanjoll ishte dy ditë, ndërsa mesatarja për koronavirusin është dyfishi i kësaj kohe, madje edhe më shumë. Kjo do të thotë që autoritetet shëndetësore kanë kohë për të kontaktuar, gjurmuar, izoluar dhe për të marrë masa të tjera, çka ishte pothuajse e pamundur gjatë epidemisë së gripit spanjoll.

Megjithatë, edhe kjo përparësi kthehet në dobësi në terma afatgjatë. Kjo do të thotë që koronavirusi mund të shtrihet për një periudhë shumë më të gjatë dhe të infektojë më shumë njerëz.

Barry analizon edhe mënyrën sesi u menaxhua gripi i 1918-s dhe pasojat që pati mungesa e qëllimshme e informimit. Mësimi më i madh që është nxjerrë nga epidemia e gripit të vitit 1918, sipas historianit John M. Barry, është që udhëheqësit duhet të tregojnë të vërtetën, pa marrë parasysh sa e dhimbshme është ajo. Barry, i cili shkroi një libër me ndikim mbi pandeminë e vitit 1918, thotë se gënjeshtra për ashpërsinë e krizës në 1918 krijoi më shumë frikë dhe më shumë izolim dhe më shumë vuajtje për të gjithë.

A është koronavirusi rasti më i ngjashëm me pandeminë e gripit të vitit 1918?

Asgjë tjetër nuk mund t’i afrohet. Në fillim të shpërthimit të virusit H1N1 në vitin 2009, pati frikë se mund të shkonte keq, por fatmirësisht doli  një virus mjaft i butë. Nëse nuk do të ishte për biologjinë molekulare, as nuk do të ishte vërejtur fare. Pra, asgjë nga ato që kemi parë në vitin 1918 as nuk afrohen me këto që po ndodhin. Nëse ky është thjesht një virus që kalon njeherë në një brez, ne do të jemi me fat.

Lexo po ashtu:  Rusia dështoi me objektivat e saj, thotë Blinken

Në çfarë kuptimi është e ndryshme situata jonë sot nga situata me të cilën u përball bota në 1918?

Dallimi më i madh është demografia që synonte ky virus. Në vitin 1918, shumica dërrmuese e njerëzve që vdiqën ishin 18 deri në 45 vjeç. Ndoshta dy të tretat e vdekjeve ishin afërsisht në atë grupmoshë. Po të kthehemi në vitin 1918, rreth 90 për qind e vdekshmërisë ishte te njerëzit më të rinj se 65 vjeç. Kështu që padyshim, mund të themi se moshuarit në vitin 1918 kishin provuar një virus të butë në rininë e tyre, që ishte mjaft i ngjashëm me virusin e vitit 1918, kështu që ata kishin shumë imunitet të natyrshëm për t’u përballur me të.

Një ndryshim tjetër është shkalla e inkubacionit. Shkalla mesatare e inkubacionit të gripit spanjoll ishte dy ditë, asnjëherë më e gjatë se katër ditë. Mesatarja për koronavirusin është më shumë se dyfishi i kësaj kohe dhe mund të zgjasë pak më shumë se ajo, që është njëkohësisht gjë e mirë dhe e keqe. E mira është që lejon kohën për të kontaktuar, gjurmuar, izoluar, dhe për të marrë masa të tjera, çka ishte pothuajse e pamundur gjatë epidemisë së gripit. E keqja është se kjo do të thotë se ky virus mund të shtrihet për një periudhë shumë më të gjatë dhe të infektojë më shumë njerëz. Duket se është dukshëm më ngjitës sesa gripi.

Këtu ka edhe një ndryshim pozitiv: Pavarësisht potencialit që ka për të infektuar, shkalla e vdekshmërisë së Covid-19 duket shumë më e ulët se gripi i vitit 1918. Shkalla e vdekshmërisë në 1918, të paktën në Perëndim, ishte rreth 2 përqind. Në pjesët e tjera të botës ishte shumë, shumë më e lartë. Diçka te 7 për qind e tërë popullsisë së Iranit vdiq. Ndoshta mund të kenë vdekur 5 për qind e popullsisë së Meksikës.

Në këtë mënyrë, bota shënoi diku te 50 deri në 100 milionë vdekje për shkak të atij virusi në vitin 1918.  [Shënimi i autorit: Ka ende debate mes studiuesve për shkallën e vdekshmërisë së gripit të vitit 1918.

Cili mendoni se ka qenë gabimi më i madh që është bërë në vitin 1918  nga qeveritë, nga komunitetet lokale, nga individët?

Qeveria gënjeu. Ata gënjyen për gjithçka. Ne ishim në luftë dhe ata gënjyen sepse nuk donin të vazhdonin përpjekjet e luftës. Ju keni pasur drejtues të shëndetit publik duke u thënë njerëzve se ky ishte vetëm gripi i zakonshëm me një emër tjetër. Ata thjesht nuk u thanë njerëzve të vërtetën për atë që po ndodhte.

Lexo po ashtu:  Ja ushqimi që përmirëson shëndetin mendor

Sa kohë u desh që të kuptohej situata reale?

Jo shumë. Njerëzit e vunë re shumë shpejt se çfarë po ndodhte kur fqinjët e tyre filluan të vdisnin 24 orë pasi shfaqnin simptomat e para. Njerëzit në rrugë  kishin hemorragji nga hundët, nga goja, nga sytë dhe veshët. Ishte e tmerrshme. Të gjithë e kuptuan shumë shpejt se ky nuk ishte një grip i zakonshëm.

Dhe cilat ishin pasojat e gjithë asaj gënjeshtre?

Ishte një katastrofë. Njerëzit humbën besimin në gjithçka – besimin te qeveria, te ajo që u thuhej, te njëri-tjetri. Thjesht i izoloi njerëzit edhe më tej. Nëse besimi humbet, atëherë të gjithë mendojnë vetëm për veten dhe ky është instinkti më i keq në një krizë të këtyre përmasave.

Në shumicën e fatkeqësive, komunitetet mblidhen. Dhe ky ishte rasti që disa vende dhe qytete, strukturat më të mëdha shoqërore u përçanë. Por në librin tim, unë kam përmendur dëmtimin gradual të besimit në çdo nivel të shoqërisë dhe përçarjet që rrodhën prej saj.

Por pati edhe pasoja praktike. Për shembull, mungesa e besimit e bëri më të vështirë zbatimin e masave kritike të shëndetit publik në kohën e duhur, sepse njerëzit thjesht nuk e besuan atë që u thuhej. Dhe deri në kohën kur qeveria u detyrua të ishte transparente për situatën, ishte shumë vonë. Virusi tashmë ishte përhapur gjerësisht. Kështu që gënjeshtra dhe mungesa e besimit patën pasoja në jetë njerëzish.

Ju citoni një shkencëtar, që në atë kohë ishte shprehur se ishim disa javë larg zhdukjes së qytetërimit nga faqja e dheut. Sa e keqe ishte kjo në terren?

Shumë. Disa vende e menaxhuan shumë më mirë se të tjerët, natyrisht. Por Kryqi i Kuq raportoi raste të njerëzve që vdisnin nga uria në komunitetet rurale sepse të gjithë kishin frikë t’u çonin ushqime – paniku dhe frika ishte aq e fortë. Kjo e çoi shoqërinë në buzë të humnerës.

Pas hulumtimit të pandemisë së vitit 1918, si e shikoni dilemën e sikletshme mes të treguarit apo jo publikut atë që duhet të dinë, pa shkaktuar panik masiv?

Epo, kjo është gjithmonë pyetja. Unë nuk kam studime shkencore që konfirmojnë se kam të drejtë, por mendoj se njerëzit mund të përballen me realitetin dhe të vërtetën shumë më mirë sesa mund të përballen me pasigurinë. Nëse po shikon një film horror, imagjinata jote e bën përbindëshin më të frikshëm nga ç’është. Sapo përbindëshi shfaqet në ekran, sado i tmerrshëm, është më pak i frikshëm,  pasi është konkret.

Lexo po ashtu:  Trump kërkon ligj për burgosjen e protestuesve që djegin flamurin amerikan

Kjo është arsyeja pse unë e urrej shprehjen “komunikim rreziku”, sepse nënkupton menaxhimin e së vërtetës. Sipas mendimit tim, nuk mund të menaxhosh të vërtetën. Duhet ta thuash të vërtetën.

Përgjigja fillestare e Presidentit Trump ndaj kësaj krize ishte minimizimi i seriozitetit të saj, duke i hedhur poshtë kritikat si “mashtrim”. Fox Neës vazhdoi ta minimizojë realitetin deri në kohët e fundit. Unë mendoj se toni i të gjithëve ka ndryshuar tashmë, por a kanë pasur kosto këto?

Absolutisht. Nuk ka dyshim, cilado qoftë kostoja. Dhe gjëja më e çuditshme është se ka qenë në interesin e vet Trump-it për të qenë i sinqertë. Nuk ka dyshim se atij iu tha e vërteta, siç thuhet pas dyerve të mbyllura. Por ai e minimizoi atë publikisht, dhe kjo na kushtoi në mënyra, të cilave nuk ua dimë ende përmasat.

Si matet reagimi ynë kolektiv në këtë moment në raport me atë që pati në 1918?

Epo, më 1918, nuk mund të thuash tamam se pati një reagim kolektiv. Ai ndryshonte shumë nga qyteti në qytet. Por, ne kishim njerëz këtu që thonin se ky virus ishte një komplot demokratik për të minuar presidencën. Askush nuk po e thotë këtë tani, sigurisht. Por mbetet një pyetje e hapur nëse do ta përmbushim kolektivisht këtë sfidë. Ne jemi vetëm në fillim të kësaj gjëje.

Ne e kemi shmangur testimin e hershëm dhe nuk është e qartë nëse publiku u është përgjigjur mjaftueshëm seriozisht thirrjeve për distancim shoqëror. Por gjërat po ndryshojnë shpejt. Sa shpejt ndërgjegjësohet publiku, sa bie dakord me rekomandimet e ekspertëve të shëndetit publik, do të jenë këto dy faktorët që do të përcaktojnë kthesën që do të marrë situata. Vende si Koreja e Jugut kanë arritur ta mposhtin mjaft mirë këtë. Nuk e di nëse do të kemi të njëjtin sukses. Është shpejt për të folur.

Vox / Përgatiti: Gazmira Sokoli / TvT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *