Indeksi i shëndetit 2019: Shqipëria renditet e 39 në botë, nën mesataren botërore; më dobët kapacitet në spitale dhe qendra shëndetësore…

Në një kohë kur shëndeti botëror po rrezikohet nga përhapja e Koronavirusit, shtetet po bëjnë përpjekje për të marrë masa për frenimin e kësaj epidemie. Por sa të përgatitur janë shtetet për të përballuar një pandemi?

The Economist ka publikuar Indeksin Botëror të Sigurisë në Shëndet. Shqipëria ka shënuar 52.9 pikë, duke u renditur në vendin e 39-të nga 195 ekonomi të marra në shqyrtim.  Për të përcaktuar Indeksin e Sigurisë në Shëndet pikët dhe renditja bazohet në gjashtë kategori kryesore: Parandalim, Evidentim të sëmundjes, Përgjigje, Shëndet, Ligje, dhe Rrezik.

Më dobët në shëndet

Shqipëria, pikët më të ulëta i ka shënuar në kategorinë e shëndetit, me një total prej 35.9 pikë nga 59 që është mesatarja botërore për këtë kategori.

Në kategorinë e shëndetit hartuesit e indeksit kanë vlerësuar indikatorë si kapaciteti i klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e cila ka shënuar ndër pikët më të ulëta (10.8 nga 100) duke u renditur kështu e 128 në botë nga 195 vende. Po ashtu ka marrë zero pikë për indikatorin mbi praktikat e kontrollit të infeksioneve dhe të disponueshmërisë së mjeteve.

Evidentimi i sëmundjes, dobët me laboratorët

Pikët më të larta Shqipëria i ka shënuar në kategorinë e evidentimit të sëmundjeve, me 74.4 pikë, ndërkohë që mesatarja botërore është 25. Për të përcaktuar pikët për evidentimin e sëmundjeve hartuesit janë bazuar në katër indikatorë, por pikët më të ulëta janë shënuar në sistemin e laboratorëve ku Shqipëria renditet e 87 nga 195 vende me 58.3 pikë nga 100 të mundshme. Po ashtu ka shënuar pikë të ulëta në indikatorin e vëzhgimit dhe raportimit në kohë reale, me 45 nga 100 pikë, apo e renditur në vendin e 75.

Lexo po ashtu:  ALARMI NGA KORONAVIRUSI, Spitalet në Britani po përgatiten për një valë të dytë, ja çfarë thonë ekspertët

Por nga ana tjetër Shqipëria ka shënuar pikët më të larta për forcën punëtore për situatat epidemike, si dhe integrimin e të dhënave në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë,, ku renditet në vendin e parë.

Kategoria e rrezikut, dobët infrastruktura e përshtatshme

Edhe pse është një ndër kategoritë ku ka shënuar pikët më të larta, krahasuar me mesataren botërore, Shqipëria ka arritur vetëm 55.7 pikë nga 100 që është mesatarja e përgjithshme. Pikët më të ulëta janë shënuar për indikatorin e infrastrukturës së përshtatshme në shëndetësi, ku janë shënuar vetëm 33.3 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur kështu në vendin e 124. Po ashtu pikë të ulëta janë shënuar edhe në indikatorin e rreziqeve të mjedisit, ku Shqipëria është vlerësuar me 50.4 pikë nga 100 të mundshme duke u renditur kështu në vendin e 119.

Edhe për rreziqet e lidhura me sigurinë dhe politikat e ndërmarra Shqipëria pozicionohet në vendin e  88-të, me një total pikësh prej 64.3.

Ligjet, më dobët në financim

Për sa i përket kategorisë së ligjeve, Shqipëria ka shënuar 53 pikë, ndërsa mesatarja botërore për këtë 65.

Pikë të ulëta për këtë kategori i ka shënuar në indikatorin e financimit, ku Shqipëria renditet e 108 me 33.3 pikë në total.

Po ashtu pikët kanë qenë të ulëta për sa i përket angazhimit ndërkombëtar të Shqipërisë me 46.9 pikë, e renditur në vendin e 81. Për këtë kategori pikët më të larta janë shënuar për indikatorin që i referohet marrëveshjeve ndërkufitare në përgjigje të emergjencave të shëndetit publik, ku Shqipëria renditet në vendin e parë në botë dhe është vlerësuar me 100 pikët e mundshme.

Lexo po ashtu:  Zbulim i jashtëzakonshëm në luftën ndaj kancerit, gazeta gjermane sjellë detajet

Përgjigje ndaj emergjencave, pika e fortë kufizimet e udhëtimeve dhe tregtisë

Një tjetër kategori e rëndësishme është edhe përgjigja ndaj krizave të tilla shëndetësore. Shqipëria ka shënuar 52 pikë nga 100 të mundshme, por mesatarja e përgjithshme botërore është shumë më e ulët, me rreth 34 pikë.

Për sa i përket kësaj kategorie, indikatori i kufizimit të udhëtimeve dhe tregtisë ka shënuar pikët më të larta të mundshme, ku Shqipëria vlerësohet me 100 pikët e mundshme duke u renditur në vendin e parë. Po ashtu edhe nëpër sa i përket indikatorit të rrezikut në komunikim, ku Shqipëria ka shënuar po 100 pikë.

Ndërsa më dobët është vlerësuar indikatori që lidhet me aksesin në komunikim, duke u renditur në vendin 86.

Parandalimi, më dobët se mesatarja botërore

Parandalimi i sëmundjeve është shumë i rëndësishëm për të frenuar përhapjen e sëmundjeve. Në total Shqipëria ka shënuar në këtë kategori 43.8 pikë nga 57 pikë që është mesatarja botërore për këtë kategori.

Për përcaktimin e këtyre kategorive janë vlerësuar 6 indikatorë, ku përfshihet rezistenca antimikrobike, sëmundjet e kafshëve, siguria bio, imuniteti dhe përdorimi i dyanshëm dhe i përgjegjshëm i shkencës.

Shqipëria e 24 nga 43 vende në Europë

The Economist ka grupuar 195 ekonomitë e botës në tre kategori të mëdha, më pak të përgatitur, të përgatitur dhe shumë të përgatitur.

Në Europë, Shqipëria renditet e 24 nga 43 vende dhe është në një grup së bashku me vende si Greqia, Kroacia, Turqia, Serbia, Gjeorgjia dhe Republika Çeke.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet më lart. Pas saj renditet Shqipëria në vendin e 41-të me 52.3 pikë në total, ndjekur nga Mali i Zi me 43.7 pikë renditur në vendin e 68 nga 195, Bosnje dhe Hercegovina me 42.8 pikë në vendin e 79 dhe  Maqedonia e Veriut me 39.1 pikë në vendin 90.

Lexo po ashtu:  17 raste të konfirmuara me coronavirus në Kosovë

Mesatarja e përgjithshme e pikëve të Indeksit është 40.2 pikë nga 100 të mundshme. Vendet me të ardhura të larta shënojnë një mesatare pikësh prej 51.9. Megjithatë të marra së bashku përgatitjet për të tilla epidemi dhe pandemi mbeten shumë të dobëta.

Në botë vendi më i përgatitur për të përballuar situata të paparashikuara shëndetësore është SHBA-ja, e cila renditet në vend të parë.

Më pas ndiqet nga Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Australia dhe Kanadaja.

Po ashtu në listën e vendeve më të përgatitura përfshihen edhe Tajlanda, Suedia, Danimarka, Koreja e Jugut, Finlanda, Franca, Sllovenia dhe Zvicra.

Vendet më pak të papërgatitura për të përballuar dhe për t’ju përgjigjur emergjencave shëndetësore janë vendet e Afrikës, Venezuela, Iraku dhe Siria, Afganistani.

Çfarë është Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore?

Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore (GHS) është vlerësimi i parë dhe krahasimi i plotë i sigurisë shëndetësore dhe aftësive të lidhura me të gjitha 195 vendet që përbëjnë Shtetet Palë në Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR [2005]). Indeksi GHS është një projekt i Nismës Kërcënuese Bërthamore (NTI) dhe Qendrës Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore (JHU) dhe është zhvilluar me Njësinë e Inteligjencës Ekonomiste (EIU). Këto organizata besojnë se me kalimin e kohës, Indeksi GHS do të nxisë ndryshime të matshme në sigurinë e shëndetit kombëtar dhe do të përmirësojë aftësinë ndërkombëtare për të adresuar një nga rreziqet më të gjithëpranishme në botë: shpërthime të sëmundjeve infektive që mund të çojnë në epidemi dhe pandemitë ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *