Kosova dhe Serbia pritet të arrijnë marrëveshje për energjinë në veri dhe për personat e pagjetur. Në takimin e fundit më 22 shkurt, palët i janë afruar gjuhës së përbashkët për këto dy tema. Përkitazi me këtë, Bashkimi Evropian pret që shumë shpejtë të arrihet dakordimi dhe të fillohet diskutimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Paralajmërimin për arritjen e një zgjidhje për energjinë në veri e ka dhënë edhe kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se në takimin e fundit të kryenegociatorëve është diskutuar edhe për përgatitjen e terrenit për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi.

Më 22 shkurt, përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, zhvilloi takime me dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një sërë çështjesh konkrete, me qëllim të diskutimit të çështjeve që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, si dhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve me synim të përgatitjes së terrenit për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut. Pas 11 orësh negociata intensive, palët iu afruan gjetjes së gjuhës së përbashkët për disa çështje me rëndësi thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, siç është rryma për veriun e Kosovës dhe zgjidhja e fatit të personave të pagjetur. Ne presim që palët të arrijnë shpejtë një marrëveshje për këto çështje, për të lejuar fillimin e diskutimeve mbi tema të reja të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë ai përmes një përgjigje me shkrim.

Lexo po ashtu:  Biden: - Nëse Rusia shkon më tej me këtë pushtim, ne do të shkojmë më tej se sanksionet

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi zgjidhja për energjinë në veri do të finalizohet shumë shpejtë.

Bislimi: Është bërë përparim i dukshëm për gjetjen e një zgjidhje finale për energjinë në veri

“Në kuadër të angazhimeve të deritanishme kemi përparuar dukshëm në gjetjen e një zgjidhje finale për energjinë në veri. Problematikë kjo e trajtuar në kuadër të dialogut që nga vitit 2013, por e pazgjidhur deri tani. Kjo temë është diskutuar me BE-në edhe në takimin e fundit, pritjet tona janë që e njëjta të finalizohet shumë shpejtë. Kjo do t’i hapte rrugë futjes në sistem legal gjithë shfrytëzuesve të energjisë duke vendosur parimin e barazisë… Për momentin jemi duke punuar për sigurimin e substancës së nevojshme për aranzhimin e takimit të radhës në nivel të krerëve të shtetit ku do të diskutohej për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, tha ai në seancën e Kuvendit, ku u debatua për dialogun me Serbinë.

Nga ana tjetër, më skeptik për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e ndonjë marrëveshje në rrethanat aktuale është profesori i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani.

Lexo po ashtu:  Si do të përdoret në mënyrë të përbashkët Liqeni i Ujmanit nga Kosova dhe Serbia?

Ai thotë se dialogu do të pezullohet më shumë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, se sa agresionit rus në Ukrainë. Hasani shprehet kritik edhe për idenë e arritjes së një marrëveshje për mossulmim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hasani: Dialogu është pezulluar

“Dialogu është i pezulluar, jo për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por për shkak se në Serbi ka zgjedhje, pala jonë akoma është duke punuar me arrit një konsensus me këqyrë me gjet disa rrugëdalje brenda. Ajo krye këput diktohet prej (zgjedhjeve në Serbi) pasi nuk dihet me kë duhet të diskutohet deri në prill dhe duhet me pa kush e ka forcën politike atje… Pjesa e marrëveshjes së mossulmimit dhe ata tituj me pompozitet janë për konsum të brendshëm, por jashtë ato tingëllojnë qesharake, siç edhe janë. Tingëllojnë anakronike veçanërisht tash, Ukraina dhe Rusia kanë nevojë për mossulmim dhe jo ne me Serbinë…Ajo është masë e mirëbesimit dhe ato nuk kanë çka të ekzistojnë sepse ne si Kosovë nuk kemi ushtri efektive, ne kemi ushtri në ndërtim e sipër, ligjërisht dhe faktikisht dhe pjesa e zonës (kufitare) me Serbinë është zonë e sigurisë që kontrollohet prej KFOR-it dhe nuk paraqet asnjë rrezik. Kjo masë e mirëbesimit mundet vetëm me u konstatuar, pasi ekziston”, thotë ai.

Lexo po ashtu:  Lajm i mirë/ Kosova nënshkruan kontratën me prodhuesin turk për themelimin e fabrikës së municioneve

Pas disa muajsh stopimi, delegacionet teknike të Kosovës dhe Serbisë janë takuar në Bruksel më 22 shkurt, ndërkohë, është paralajmëruar edhe një takim para zgjedhjeve në Serbi më 3 prill.

Arritjen e një marrëveshje për energjinë në veri e ka kërkuar edhe sekretari i shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken në letrën dërguar kryeministrit, Albin Kurti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *