Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, bashkë me ministrin e Ambientit, Liburn Aliu, kanë pritur në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë , Blendi Klosi.

Në konferencën pas takimit, Bislimi ka kërkuar nga Shqipëria që të eliminojë pagesën në “Rrugën e Kombit” për turistët nga Kosova.

“Rruga nga Kosova deri në destinacionet në Shqipëri dhe anasjelltas duhet të jetë sa më e lehtë. Duhet të gjendet një zgjidhje për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin në Kalimash, që po shkakton vonesa për turistët tanë, të cilët ia mësyjnë Shqipërisë, e sidomos për pushime afatshkurtra”, tha Bislimi.

Ai uroi PS-në për fitoren në zgjedhjet e fundit parlamentare atje.

“Ne duhet të kuptojmë që pasuria që na ka dhënë natyra në të dyja anët është pasuri e gjithë shqiptarëve. Deti është i gjithë shqiptarëve, siç janë edhe bjeshkët. Shqiptarët nga të gjitha trojet ku flitet shqip duhet ta konsiderojnë ofertën turistike Kosovë – Shqipëri. Kemi shumë detyra për të realizuar për t’ia bërë sa më të lehtë jetën çdo turisti e çdo investitori. Parqet tona në dy anët e kufirit janë parqe qe s’e njohin kufirin administrativ”, u shpreh Klosi.

Lexo po ashtu:  Retorika e Putinit si e Millosheviqit: E quan Perëndimin "perandori të gënjeshtrës"

Ai tha se “duam shumë që kufiri të jetë moment relaksi e jo pengesë për të bërë biznes”.

“Do të jemi bashkë për të ofruar një ofertë të përbashkët turistike”, theksoi ministri shqiptar, Blendi Klosi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *