Elvis Hoxha

Kosova nuk është provincë

Qëllimi i takimit të 4 shtatorit ka kryekëput të njëjtin qëllim dhe cinizëm si dhe i pari që nuk u zhvillua. Ne mund të na shpëtojë vetëm rastësia prej kthinave të gjeopolitikës. Përgjithësisht si popull dhe shoqëri ne besojmë se bota e politikës e ka një rregull sepse drejtohet prej dijes dhe fuqisë. Si e tillë ajo nuk do të na lërë në baltë edhe pse ne e njohim veten për dembelë në krijim dhe prodhim. Dhe kjo përgjumje, me ëndrra për një botë të rendit e të drejtësisë, e ka shtënë këtë popull në përgjithësi në idenë se vetëvendosja është rrugë e gjatë për shtetimin, ndërsa aleanca është mënyrë e shpejtë e garantimit të ekzistencës. Edhe kur koncepti i vetëvendosjes e krijoi një organizim të vetin, në subjektin politik të Lëvizjes Vetëvendosje!, përsëri shoqëria parapëlqeu të mendojë se është më e sigurtë aleanca me tjetrin se vendosja në vete. Por aleanca është gjithnjë e largët kur nuk ke vete. Edhe milingona që punon në rend më të ulët zhvillimi, po të mos kishte menduar si milingonë, do të ishte zhdukur me kohë e me vakt.

Përgjithësisht ne mendojmë se jemi të zgjuar, por nuk dihet se si kaq natyrshëm e dimë që jemi të zgjuar sa herë që punojmë në projektet e të tjerëve. Sepse mendojmë se zgjuarsia e të mëdhenjve është aq zemërgjerë sa do të ketë gjithnjë vend për zgjuarsinë tonë instrumentale. Edhe lirinë tonë e vendosëm si pjesë përbërëse të projekteve të fuqive. Do të na mbronte në nivelin tonë ekzistencial doemos fizika e fuqive të mëdha. I zgjuari i vogël mendon gjithnjë sipas një paradoksi: të mëdhenjtë vendosin për gjithçka, por në llogaritë e tyre të vegjlit janë të domosdoshëm. Kjo kotje e dytë e la shoqërinë tonë në vonesë ndaj konceptit dhe subjektit të Vetëvendosjes.
Ndaj ne jemi të gatshëm të humbim shtetimin nga besnikëria që kemi për këdo që na ka ndihmuar qoftë edhe një herë. LDK-ja nuk ka nguruar ta thotë haptas politikën e vet: më mirë të kemi aleat se të kemi shtet. Tjetër paradoks në gjumin tonë: bota aktuale prej më shumë se dy shekuj është ajo e shteteve, por nuk dihet se përse besojmë se neve, pikërisht neve të vegjëlve, ne shqiptarëve, na lejohet të jetojmë pa patur shtet, ose shtete-provinca. LDK-ja shpreh psikologjinë konstitutive të provincës së përjetshme të perandorisë, madje edhe kur perandoria nuk ekziston më. Mirëpo, provinca është vendi që nuk ka relacion urban të ndërmjetësuar me botën. Provinca i adresohet drejtpërdrejt botës, pa patur nevojë të ekzistojë ndonjë organizim regjistrues si kushtetuta ose shteti. Për LDK-në Kosova nuk duhet të jetë më shumë se provincë.
Paradoksi tjetër: në një botë ku aleancat e interesit lëkunden, por janë ato që drejtojnë, nuk dihet pse ne besojmë se duhet të ndahemi në çdo nivel prej interesave individualë: si në bashkësinë shqiptare të Malit të Zi edhe në kuadrin e shteteve ku shqiptarët bëjnë pjesë. Ali Ahmeti i fton shqiptarët të shohin drejt elementit sllav që drejton Maqedoninë e Veriut dhe jo drejt Tiranës, por kjo lehtëson Ramën që kërkon t’u shërbejë grekëve. Ndërkohë që dobësohet projekti unik i shqiptarëve në rajon, në tokën e Republikës së Shqipërisë shfaqen varret greke. Ndërkohë ne besojmë se nga politikanët tanë do të na mbrojë largpamësia e rendit botëror. Një ditë do të habitemi sepse do të zbulojmë se një rend i tillë nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë në një botë që është luftë mes energjive hidrokarbure dhe larmisë së feve. A jemi aq budallenj sa të besojmë në ekzistencën e një rendi të tillë? Jo. Por jemi mjaft përtacë, kështu që mund të besojmë edhe të pamundurën. Përtaci e ka për virtyt të besoj të pamundurën.
Ne e vendosëm individin kundër shtetit. Këta koncepte që në filozofinë politike janë përcaktuar 25 shekuj më parë si izomorfë, ne i vendosëm kundër njëri-tetrit. Dhe kur këta koncepte vendosen kundër njëri-tjetrit, atëherë ata korruptohen, i pari në mendim dhe i dyti në funksion. A nuk e dimë ne shqiptarët që kjo na ka ndodhur gjithnjë? Po, por përtacia jonë na bën të mendojmë lehtë se korruptimi e ka një fund. Dhe harrojmë se korruptimi i kufizuar i një individi nuk përfundon ngaqë nuk përfundojnë njerëzit e korruptueshëm. Por ama shtetimi nuk është akt i korrigjueshëm sepse nuk mund të krijosh shtetime pa fund në një botë shtetesh. Njerëzit lindin e vdesin, por kjo nuk qëndron për fizikën e shteteve. Nëse shteti korruptohet në mendësi dhe në ekzsitencë, atëherë detyrimisht u kthehemi dy iluzioneve, njëri ekzistencial e tjetri ontologjik: aleatit të fuqishëm dhe provincës së perandorisë. Historia na e ka dhënë disa herë mundësinë të veprojmë ndryshe, por për përtacin ëshët e vështirë jo të veprojë ndryshe, por thjesht të veprojë. Historia na ka dhënë boll informacion se aleati i fuqishëm është gjithnjë larg, ndërsa provinca e perandorisë është gjithnjë periferi për mendimin.
4 shtatori ka domethënie të rezikshme për mendimin që nuk është përtac. 4 shtatori nuk duhet të ndodhë për çdo anëtar të këtij populli që nuk mund të pranojë pra dy katastrofat e mendimit.

Lexo po ashtu:  Boiken Abazi i përgjigjet kritikëve të strategjisë së Albin Kurtit ndaj Vuçiçit: Ndihmojnë Serbinë

Dhe mendimi i drejtë ka dy përmasa: Kosova është shtet, pra nuk varet ekskluzivisht prej aleatit të largët, Kosova është shtet, pra nuk është provincë perandorie, ekziston apo jo perandoria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *