Krenaria e Kosovës; Esad Mekuli
(17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993)

Në çdo fund viti pashmangshëm mendoj për njerëzit që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Njerëz që kanë bërë shumë për kulturën, për dijen, për edukimin, për zhvillimin dhe për emancipimin e shoqërisë kosovare – një shoqëri historikisht e shtypur dhe pa shanse përparimi. Esad Mekuli ishte përherë aty ku duhej të jetë një intelektual i madh dhe njeri i madh. Ishte aty për të themeluar revistën letrare JETA E RE, në faqet e së cilës bënë hapat e parë letrarë shkrimtarët e Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi.

Esad Mekuli ishte aty kur në Zagreb shkruhej Enciklopedia e Jugosllavisë: aty ai ishte zëri i Kosovës ose thënë më mirë në gegnisht: zâni i Kosovës. Esad Mekuli ishte poeti më i rëndësishëm shqiptar që tematizoi mjerimin social të shqiptarëve si hamaj e argatë nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë. Ai ishte poeti që me grushtin e tij të fuqishëm goditi padrejtësitë e shkaktuara nga regjimet jugosllave. Ai ishte solisti i skamjes dhe këngëtari i krenarisë. Ai ishte personifikim i Kosovës që zgjohet nga hiri i saj dhe e kërkon rrugën e çlirimit. Fati ynë i zi është që personalitete të shquara si Esad Mekuli nuk po gëzojnë më nderimin e respektin që e meritojnë. Tash vëmendje gëzon bërlloku social!

Lexo po ashtu:  “Dalëngadalë”, - Poezi e fundit e Dritëro Agollit

E, vëmendje do të duhej të gëzonte vepra e Esad Mekulit.

Qe disa nga veprat e tij:
Për ty – Prishtinë, 1955
Dita e re – Prishtinë, 1966
Avsha Ada – 1971
Vjersha – 1973
Brigjet – 1981
Rini e kuqe – Prishtinë, 1984
Në mes të dashurisë dhe urrejtjes – Tiranë, 1986
Dita që nuk shuhet – Prishtinë, 1989

Disa të dhëna biografike: Esad Mekuli lindi më 1916 në Plavë. Gjimnazin e kreu në Pejë më 1936. Studioi veterinarinë në Beograd, ku u diplomua në fi­llim të vitit 1947. Specializoi para­zi­tologjinë në Za­greb më 1947 dhe 1948. U doktorua në Fakultetin e Veterinarisë të Beo­gradit me temën “Kontribut për njohjen e piroplaz­mozave të kaf­shë­ve shtëpiake në Ko­so­vë dhe Rrafsh të Dukagjinit”.

Si student i takoi lëvizjes përparimtare. Ishte një nga redaktorët e fletores “Beogradski student”. Mori pjesë në aksionet studentore e demonstrata dhe u burgos, më 1940. Pas kësaj pu­­noi veterinar ushtarak në Pejë, ku e zuri okupacioni. Më 1942, për shkak të punës në lëvizjen nacionalçlirimtare, u burgos. Më vonë iu bashkua aradheve partizane dhe një kohë punoi si mjek dhe redaktor i gazetës ilegale Lirija – Slo­bo­da.

Lexo po ashtu:  Majat e Himalajeve të dukshme nga India për herë të parë në dekada

Pas luftës u emërua kryeredaktor i fletores në gjuhën shqipe Rilindja, kurse nga viti 1947 deri më 1960 ishte shef i repartit parazitologjik të Institutit të Veteri­narisë në Prishtinë. Nga viti 1949 ishte kryeredaktor i revistës së parë letrare Jeta e re, të cilën e drejtoi për gati një çerek she­kulli, e më vo­në edhe kryeredaktor i revistës shkencore-profesionale bujqësore Glas­nik (Lajmëtari). Ishte kryeredaktor i revistës shkencore Bioteh­nika dhe kryeredaktor në Redaksinë e Enciklopedisë së Jugo­sllavisë në gjuhën shqipe.

Botoi njëmbëdhjetë punime shkencore-profesionale në revista jugosllave dhe të huaja, mandej dy libra dhe dy broshura nga shkenca e mjekësisë veterinare dhe rreth pesëdhjetë artikuj shkencorë nëpër fletore e revista në gjuhën shqipe dhe serbokroate.

Me punën letrare filloi të merrej qysh në rininë e hershme, duke bashkëpunuar me revista të rinisë. Botoi pesë përmbledhje poezish në gjuhën shqipe, gjashtë në gjuhën serbokroate dhe nga një në gjuhën maqedonase dhe turke, dhe më se tetëdhjetë libra për­kthi­mesh.

Ka qenë kryetar i parë i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Ko­sovës dhe i ASHAK.
Për punën në fushën e përkthimeve iu dha Shpërblimi i Dhjetorit të KSA të Kosovës dhe Shpërblimi i Rilindjes; po ashtu u shpërblye me Diplomën e Nderit të Lidhjes së Shoqatave të Përkthyesve të Ju­gosllavisë për meritat në afirmimin e bashkëpunimit ndërrepublikan. Më 1971 mori Çmimin AVNOJ për letërsi dhe Çmimin e 13 Korrikut të Malit të Zi (1974).
Ishte anëtar i Këshillit të KSA dhe i Këshillit të Federatës.
Vdiq në Prishtinë më 1993./Enver Robeli/

Lexo po ashtu:  “Fuqia e dokumentarëve” – Si ndikojnë imazhet në koshiencën tonë?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *