Pak ditë pas njoftimit të sanksioneve të reja nga Departamenti Amerikan i Shtetit kundrejt anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, ky i fundit ka sfiduar sërish Ambasadën amerikane për Ditën e Republika Srpska. Ambasada amerikane në Sarajevë ka mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Bosnjë Hercegovinë për të shpallur 9 janarin ose Ditën e Republika Srpskas, antikushtetuese.

Kreu i Republika Srpskas, Milorad Dodik, ka lëshuar një sërë akuzash ndaj Ambasadës amerikane, duke e cilësuar si vendin e destabilitetit 2 ditë përpara 9 janarit.

Dodik: Nuk e di se ç’të komentoj, askush nuk i ka ftuar ata të marrin pjesë në festën e Republika Srpskas dhe as nuk i ka pyetur njeri, por ata i japin vetes të drejtën për të ndërhyrë në punët e brendshme të kujtdo. Nuk ka dyshim se ky është aksioni i tyre tinëzar kundër Republikës Srpska dhe popullit serb. Ambasada amerikane në Sarajevë është vendi i destabilitetit.

Dodik sfidoi Gjykatën Kushtetuese dhe Ambasadën amerikane duke deklaruar se në 9 janar do të kremtohet Dita e Republika Srpskas dhe se serbët në Bosnje Hercegovinë nuk do t’i nënshtrohen presioneve të ndërkombëtarëve.

Lexo po ashtu:  Ministria e Jashtme e Rusisë: 15 shkurti do të hyjë në histori si dita e …

Dodik: Nuk do ta lejojmë kurrë këtë, Republika Srpska feston ditëlindjen më 9 janar dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen, vullneti i popullit serb u konfirmua me referendum. Republika Srpska është një zgjedhje e vetëdijshme e ne serbëve, për të qenë të lirë dhe të mos rrezikojmë liritë e të tjerëve, apo të drejtat kombëtare e fetare të njerëzve të tjerë.

Dodik shpjegoi se në vitin 2016, qytetarët e shprehën vullnetin e tyre përmes referendumit ku u miratua Ligji për Ditën e Republika Srpskas, ku u vendos 9 janari si dita e festës dhe nuk u kundërshtua nga askush. Megjithatë Gjykata Kushtetuese e ka quajtur 9 janarin si antikushtetuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *