1. Sulmet ndaj ekipeve të reporterëve ishin pjesë e një plani të mirëfilltë ushtarak. Kriminelët serbë nuk duan raportime e dokumentime nga vendi i ngjarjes – siç nuk kanë dashur as në vitet ‘90. Në tryezat me opinionistë, me analistë dhe me spin-doktorë ata e fitojnë debatin, sepse janë të gatshëm të paguajnë më shumë. Por fakteve të fotografuara e të xhiruara nga vendngjarja, nuk kanë ç’u bëjnë. Prandaj sulmojnë ekipet dhe automjetet e reporterëve.
2. Sulmet u ashpërsuan vetëm pas deklaratës së Lavrovit. Kriminelët sot gjatë gjithë ditës ekspozuan simbolet rusofashiste “Z” dhe ato serbofashiste, kryqin me 4 c. Në zyrat e institucioneve që ata mbanin deri dje, janë gjetur dhe foto të Putinit, përveçse të Vuçiqit. Në rrugët ku këta kriminelë patrullojnë, kanë bërë grafite raciste e shovene si dhe që mitizojnë kriminelë gjenocidalë si Mlladiqi.
3. Sulmet ishin krejtësisht të paprovokuara, sepse as KFOR dhe as Policia e Kosovës nuk e ka sulmuar asnjë qytetar. KFOR-i ka ruajtur paqen, Policia ka ruajtur demokracinë dhe ligjin. Kriminelët serbë kanë kërkuar të mbeten vetëm ata që ruajnë paqen, por të largohen ata që ruajnë demokracinë dhe ligjin. Pra duan paqe pa demokraci dhe ligj. Kjo është e pamundur, prandaj ata sulmuan edhe paqeruajtësit. Dihet se ai që sulmon paqeruajtësit është kriminel i nivelit më të poshtër.
4. Lista Serbe është pjesë e këtyre grupeve, funksionon si krah zyrtar i tyre. Por as grupet kriminale as Lista Serbe, nuk janë përfaqësues të çdo serbi në Kosovë, përkundrazi, serbët lokalë janë vazhdimisht të kërcënuar dhe të marrë peng nga këto grupe kriminale dhe nga strukturat e tyre zyrtare. Sot “protestuesit” kushdo që i ka parë e ka kuptuar se ata nuk janë qytetarë, por njerëz të trajnuar mirë, me përgatitje fizike e taktike. Institucionet e sigurisë kanë evidentuar mes tyre njerëz të dyshuar për përfshirje në Grupin Vagner, apo nē struktura të ngjashme.
5. Pse kanë sulmuar vetëm ushtarë italianë e hungarezë? Ndoshta kriminelët kanë shpresuar, për arsye që nuk i dimë, se ushtarët nga Italia e Hungaria nuk do të reagonin ashpër përballë sulmeve nga kriminelët e Vuçiqit e të Putinit? Është dinjitoze deklarata e kryeministres italiane Meloni, që asnjë sulm tjetër nuk do të tolerohet.
6. Edi Rama në deklaratën e tij të fundit ka thënë se kur shovinistët kriminelë serbë sulmojnë KFOR-in, dëmtohet imazhi i Kosovës. Asnjë fjalë qortuese për Vuçiqin që edhe kësaj radhe e ka nxjerrë ushtrinë në kufi, kërcënueshëm. Asnjë fjalë qortuese për Serbinë që ushqen dhe nxit këtë urrejtje kriminale. Rama është turp historik i Shqipërisë.
7. SHBA dhe BE nëse nuk e kuptoi sot se cila është e vërteta e kriminelëve në veri të Kosovës, do ta kuptojë nesër a më vonë. Por çdo vonesë shton kostot dhe dhimbjet, prandaj sa më herët aq më mirë. Iluzioni se duke i hapur udhë Serbisë në Kosovë ajo do të largohet nga Rusia, është marrëzi. Serbia është e qeverisur nga forca proruse, ekonomia dhe media e saj kontrollohet nga kapital i lidhur me Rusinë, dhe Serbia vazhdimisht përhap ndikim rus në rajon. Ajo është një farë sateliti, një farë sputniku. Që Serbia të afrohet me perëndimin ajo duhet të demillosheviçizohet dhe të deputinizohet.
8. Albin Kurti nuk ka hapësirë ku të tërhiqet më tutje. Ai nuk mund të tërhiqet aty ku nuk lejon ligji, dhe ligji thotë se kryetarët e komunave duhet të shkojnë në zyrat e tyre pa provokuar askënd. Ata që po i thonë Albinit “tërhiqu”, janë të njëjtët që mezi presin t’i thonë Ukrainës tërhiqu./Arbër Zaimi/
Lexo po ashtu:  Për pensionistët/ Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi merr vendim për masa mbrojtëse për përfituesit e skemave pensionale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *