Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve. Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, ka deklaruar ai.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Lexo po ashtu:  Sot Maqedonia e Veriut voton - I urojmë suksese koalicionit Aleancë-Alternativë!

Mes tjerash, Hoti ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është tejet e rëndësishme sa i përket integrimit evropian.

“Të rinjtë e Kosovës nuk janë në gjendje të vijnë në Evropë. Ne kemi popullatën më të re në Evropë. Për ne është e rëndësishme të hapen kufijtë për qëllime studimore, ekonomike dhe të tjera”, ka deklaruar ai.

Teksa u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve evropianë rreth bashkëpunimit me opozitën, Hoti ka thënë se ai është duke bërë më të mirën për t’u siguruar se opozita është e përfshirë plotësisht në të gjitha zhvillimet, sidomos në procesin e dialogut.

Ai ka shtuar se tashmë ka informuar pjesëtarët e opozitës për këtë proces dhe se i raporton parlamentit pas secilit raund të dialogut.

“Nuk e di se si mund të kemi më transparent ndaj partive opozitare”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se ai është i bindur se do ta ketë mbështetjen e opozitës kur duhet për ratifikimin e marrëveshjes finale me Serbinë.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti: Hetimet për sulmin në Ibër-Lepenc janë në vazhdim, do të publikohen detaje për përfshirjen e akterëve të huaj

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të një taksë që autoritetet e Kosovës kishin vënë në mallrat serbe./ rel/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *