Fjalimi im në Samitin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar shkëlqesi,

Republika e Kosovës ka një qeveri demokratike dhe ka stabilitet institucional. Si qeveri e re, me afër 200 ditë në detyrë, na është dashur të merremi me dy sfida kryesore: menaxhimin e pandemisë dhe ndihmën për ekonominë që të tejkalohet situata e vështirë me sa më pak dëme. Qarkullimi i bizneseve është për 36% më i lartë krahasuar me vitin 2020 dhe për 21% më i lartë në krahasim me vitin 2019. Në fund të muajit gusht shënuam rritje prej 31 mijë vende të reja pune krahasuar me nivelin e para pandemisë. Të ardhurat e qeverisë janë më të larta për 35% në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo ka ndodhur pa ndryshuar asnjë politikë të vetme tatimore.

Ne kemi lansuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike në përmasa të 6% të bruto produktit tonë vendor që synon t’i ndihmojë bizneset dhe ekonominë në krijimin e vendeve të reja të punës, të ndihmojë familjet më të prekura nga pandemia, të forcojë institucionet dhe shërbimet tona publike dhe të investojë në infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme. Plani Ekonomik dhe i Investimeve mund të ndihmojë rajonin tonë në gjenerimin e rritjes së qëndrueshme dhe të arrijë disa nga qëllimet tona strategjike. Për vendin tonë sigurimi i ujit dhe i energjisë janë elemente kyçe. Po ashtu ka nevojë edhe për investime që do të integronin rajonin nëpërmjet infrastrukturës, qoftë asaj fizike, por edhe asaj digjitale.

Lexo po ashtu:  BE: Rusia nuk është ende gati për ndaluar luftën në Ukrainë

Unë personalisht i kam dorëzuar një raport zonjës Presidente Ursula von der Leyen, me nevojat për investime kur ajo ishte për vizitë në Kosovë, dhe ne presim në të ardhmen të angazhohemi me BE-në, por edhe me BEI-n, BERZh-in dhe Bankën Botërore për t’i shqyrtuar mundësitë që t’i avancojmë përpara ato projekte.

Kanë kaluar më shumë se tri vite qëkur Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. U bëj thirrje udhëheqësve skeptikë në BE të vlerësojnë progresin në Kosovë dhe të heqin regjimin e vizave për qytetarët tanë. Nuk duhet të ketë fonde të BE-së për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor pa vlera të BE-së. BE-ja në Ballkanin Perëndimor duhet të kultivohet nga brenda, por nuk mund të bëhet vetvetiu. Ne duhet të përqafojmë vlerat e BE-së në vendet tona, por, për këtë qëllim, ne kemi nevojë edhe për ndihmë nga jashtë.

Ne mirëpresim deklaratën e sotme të përbashkët, por kemi shprehur disa rezerva:
1. Ne besojmë se kur i referohemi Ballkanit Perëndimor kemi nevojë dhe duhet të themi Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, pasi janë gjashtë shtete.
2. Ne besojmë se duhet të përmendet “ballafaqimi me të kaluarën” pasi është pjesë e nevojshme e përpjekjeve për pajtim.
3. Ne gjithashtu besojmë se ky Samit duhet të dënojë angazhimin e ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës: Avionët luftarakë MiG-29 fluturuan përgjatë kufirit, ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd shkoi në pikën kufitare për të inspektuar grumbullimin e trupave serbe atje.

Lexo po ashtu:  NIK GJELOSHAJ: JEMI TË FOKUSUAR NË FITORE... - “Respektojmë principet, nëse fitojmë do të zhvillojmë zonat shqiptare”

Më 15 qershor gjatë takimit tonë në Bruksel, i kam propozuar Presidentit të Serbisë që të nënshkruajmë Deklaratën e Paqes për mossulmim, por ai refuzoi të bëj një gjë të tillë.

Ju falemnderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *