Në përvjetorin e 23-të të Masakrës së Rezallës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, bën homazhe në Rezallë.

“Vendosëm lule të freskëta këtu te lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit, të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet e tyre stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm 3 që kanë shpëtuar, kjo ju ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë, andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Duke folur për rivarrimin në muajin tetor 2021, të eshtrave të 9 viktimave të Rezallës, kryeministri tha se me ekzekutim mizor e barbarë, forcat serbe ua vodhën jetën e pastaj ua vodhën edhe kufomat.

Më 30 shtator të vitit 2021, u kthyen në Kosovë eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak, Serbi, që sipas raporteve të identifikimit, iu përkisnin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rezallës, si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Lexo po ashtu:  Reuters: Zelensky liron të burgosurit për të luftuar Rusinë

Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, përveçse nga ne shqiptarët, që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojnë, në mënyrë që përgjegjësit edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen, theksoi Kryeministri Kurti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *