Prishtinë, 8 mars 2022

Në ngjarjen e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, me rastin e Ditës së Gruas, 8 Marsin, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i nderuar që sot, në këtë ditë të veçantë të bashkëbisedohet për zhbërjen e paragjykimeve dhe punën për gjithëpërfshirje.

Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se për zhvillimin e gjithmbarshëm, parakusht është zhvillimi i kapitalit njerëzor, e qasja e barabartë në mundësitë për zhvillim, për gratë dhe burrat, e vajzat dhe djemtë.

“Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive” theksoi kryeministri në fjalën e tij.

Kreu i Qeverisë, Kurti, veçoi disa nga të arriturat në këtë fushë si atë për ndarjen e shtesave për më shumë se 142 mijë fëmijë të porsalindur brenda këtij viti, e kjo sipas tij, për të arritur rezultate të drejta në rrugëtimin e përbashkët, është e domosdoshme barazia në fillim të shtegut.

Pastaj, për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, kryeministri tha se janë ndarë 1365 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës si dhe janë e duke finalizuar projektligjin për tekstet shkollore që në fokus ndër të tjera ka edhe promovimin e barazisë në tekste, pa dallim gjinie, përkatësie fetare, etnike a racore, ndryshim të normave patriarkale e formësim të duhur mbi rolet gjinore.

Krijimi i mundësive të barabarta, u shpreh më tej ai, është objektivi i parë strategjik në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore, që gratë të përfitojnë nga zhvillimi, por edhe kontribuojnë, që të rrisim përfshirjen, e pjesëmarrjen aktive.

Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, kreu i Qeverisë, shtoi se kanë zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat vazhdojnë të përfitojnë rreth 12.000 nëna të reja
Kryeministri Kurti bëri të ditur se vitin 2022 e kanë filluar me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”, tha Kryeministri në fund të fjalës së tij, duke potencuar se ky është vizioni i kësaj strategjie, që do të drejtojë punën tonë të përbashkët.

Lexo po ashtu:  Dorëzohet Kallëzim Penal për masakrimin e drunjve 40-50 vjeçar në Gjakovë

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
Të nderuara Zëvendëskryeministre të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj.Gërvalla – Schwarz dhe znj. Rexhepi,
E nderuara Nënkryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Saranda Bogujevci,
E nderuara ish-presidente znj. Atifete Jahjaga,
Të nderuara ministre, zëvendësministre dhe deputete të Kuvendit,
I nderuari Ambasador i Bashkimit Evropian, Shef i Zyrës z. Tomáš Szunyog,
Të nderuar Shkëlqesi ambasadore dhe ambasadorë, në Republikën e Kosovës,
Të nderuara aktiviste e mbrojtëse të drejtave të grave,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë të tjerë në vendin tonë,
E nderuara Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia,
Të nderuar të pranishëm dhe të gjithë ju që jeni bashkë me neve sot këtu në mënyrë virtuele,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar dhe i lumtur që jemi bashkë, në një ditë të veçantë, për të bashkëbiseduar për zhbërjen e paragjykimeve dhe punën për gjithëpërfshirje.

Organizimi i përbashkët institucional e shoqëror për të jetësuar synimet për barazi dhe drejtësi është e vetmja alternativë. E nuk mund të ketë barazi në shoqëri, pa barazi mes gjinive. Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore.

Për zhvillimin e gjithmbarshëm, parakusht është zhvillimi i kapitalit njerëzor, qasja e barabartë në mundësitë për zhvillim, për gratë dhe burrat, për vajzat dhe djemtë.

Por, përderisa gratë dhe vajzat mbajnë barrën e problemeve shoqërore, ato janë thelbësore për të nxitur dhe udhëhequr ndryshimet drejt zgjidhjes së tyre.

Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive.

Krijimi i mundësive të barabarta, është objektivi ynë i parë strategjik në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore. Që gratë të përfitojnë nga zhvillimi, por edhe të kontribuojnë, që të rrisim përfshirjen, e pjesëmarrjen aktive, e pjesëmarrjen në vendimmarrje.
Për të arritur rezultate të drejta në rrugëtimin e përbashkët, është e domosdoshme barazia në fillim të shtegut. Brenda këtij viti, në emër të një fillimi të barabartë, kemi ndarë shtesa për më shumë se 142 mijë fëmijë të porsalindur.

Transmetues të drejtpërdrejtë të përpjekjeve për ndryshim dhe zhvillim, janë fëmijët. Progresi tek brezat e rinj, është trasim i rrugës së progresit për mbarë shoqërinë dhe dëshmi e qartë, për të ardhmen që na pret.

Jemi duke i reflektuar me ndjeshmëri parimet e barazisë gjinore edhe në edukimin në fëmijërinë e hershme. Në fokus e kemi ngritjen e ndërgjegjësimit për prindërim, sidomos sa u përket rolit të baballarëve në rritjen, mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Gjithashtu, me këtë qasje të barabartë po punojmë që fëmijët e vegjël të rriten e të socializohen me vlera që promovojnë pranimin, gjithëpërfshirjen dhe barazinë e sidomos barazinë gjinore.

Lexo po ashtu:  Serbia shënon rritjen më të shpejtë ekonomike që nga viti 2008! Ku është Shqipëria e Kosova?

Edukimi i fëmijëve, i nxënësve dhe i studentëve nuk duhet të jetë vetëm edukim moral për barazi gjinore, po duhet të jetë edhe edukim kulturor e estetik për barazi gjinore. Prandaj, është tejet e rëndësishme që të gjithë të rinjtë, por pse jo, prej atëherë kur janë fëmijë t’i kenë pranë e të jenë të pranishme autoret gra.

Në letërsi, prej George Sand e Virginia Woolf, te Toni Morrison, Doris Lessing e Germaine Greer. Në pikturë, prej Georgia O’Keeffe te Frida Kahlo. Në muzikë prej Patti Smith te Tracy Chapman, prej Billie Holiday te Billie Eilish. E në filozofi, prej le të themi Simone de Beauvoir te Nancy Fraser.

Është tejet e rëndësishme që fëmijët, nxënësit, studentët, t’i kenë autoret gra edhe të pranishme, edhe pranë. Por, edhe në Rilindjen tonë kombëtare, kemi vepra me kryepersonazhe gra. Rilindësi jonë i parë Jeronim De Rada, e ka veprën “Serafina Topia’, e po ashtu kryepersonazhe grua është edhe te vepra ‘Bardha e Temalit’ e Pashko Vasës. Henrik Ibseni dhe Andon Zako Çajupi, kanë qenë përafërsisht bashkëkohanik.

Po e citoj një paragraf të Norës te drama e Henrik Ibsenit, ajo thotë kështu: “Ju nuk më keni dashur kurrë, juve ju ka pëlqyer të dashuroheshit në mua. Në shtëpinë time te babai, mua më kanë trajtuar si një kukull të vogël. Këtu te ti si një kukull të madhe. Kurse fëmijët kanë qenë kukullat e mia. Mua më pëlqente kur ti luaje edhe zbaviteshe me mua, ashtu si atyre u pëlqente kur unë luaja dhe zbavitesha me ta. Ja kjo ishte martesa jonë Torvald”.

Ose, Andon Zako Çajupi që e trajton si problem social dhe familjar pabarazinë gjinore kur thotë që ‘Gratë vënë në arë dhe në vreshta gratë, gruaja korr barë punon ditë e natë’.

Dhe, se si rilindësit tonë e kanë trajtuar pabarazinë ka një libër të mirë, është libri i një autoreje grua, Resmije Kryeziu, ‘Femina Litterarum’.

Paralelisht, pra me edukimin moral, etik për barazinë gjinore është i domosdoshëm edukimi kulturor e artistik për barazinë gjinore.

Stereotipet diskriminuese gjinore u kanë mohuar vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë. I kanë privuar vajzat dhe gratë nga realizimi i potencialit të tyre, ndërsa shoqëria është privuar nga zhvillimi që do të mund të sillte potenciali i gjysmës së popullsisë.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, ne i kemi ndarë 1.365 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës. Këtu janë inkurajuar sidomos vajzat nga viset rurale, ato me status më të ulët socio-ekonomik dhe ato nga komunitetet jo shumicë. Pra, duhemi ndihmuar të gjithë, por më së shumti aty ku nevojat janë më të mëdha.

Lexo po ashtu:  Në Tiranë sot takohen dy qeveritë shqiptare, këto janë marrëveshjet që pritet të nënshkruhen

Këshilli Kombëtar i Shkencës drejtohet nga dy gra të suksesshme, si kryetare dhe sekretare, e ato bashkë me kolegët e tyre, gra dhe burra, do ta hartojnë Programin Kombëtar të Shkencës në Kosovë. Dy çmimet: Shkencëtari i vitit dhe shkencëtari i ri i vitit, i kanë fituar dy gra. Pra dy shkencëtare me e në fund jo pa të.

Andaj, na duhet barazi e ndjeshmëri e barazi gjinore edhe në terminologji e gjuhë. Agjencia për Barazi Gjinore ka përkthyer në gjuhën shqipe “Fjalorin dhe leksikonin e koncepteve të terminologjisë së ndjeshme gjinore në bashkëpunim me Institutin Evropian për Barazi Gjinore. Na duhen më shumë instrumente të këtilla të specializuara të terminologjisë gjinore, që ndihmojnë për integrim të perspektivës gjinore në komunikim, që ndryshojnë perceptime dhe zhbëjnë paragjykime.

Jemi duke finalizuar projektligjin për tekstet shkollore që në fokus ndër të tjera ka edhe promovimin e barazisë në tekste, pa dallim gjinie, përkatësi fetare, etnike a racore, ndryshim të normave patriarkale e formësim të duhur mbi rolet gjinore.

Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po punon me institucionet, organizatat kyçe, në adresimin e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore.

Kur flasim për institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile, besoj që duhet të shtrijmë bashkëpunimin edhe më tej, gjithnjë duke mirëmbajtur e shtuar vatrat e solidaritetit gjinor, për të punuar bashkë kundër pabarazive të thella dhe përjashtimit socio-ekonomik strukturor.

Po punojmë për fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësimin financiar, nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të Masave Aktive të Punësimit. Njëkohësisht edhe për realizimin e të drejtës në pronë dhe trashëgimi; uljen e punësimit joformal dhe përmirësimin e kushteve në vendin e punës për gratë dhe vajzat.

Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike kemi zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat vazhdojnë të përfitojnë rreth 12.000 nëna të reja.

Vitin 2022 e kemi filluar me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe të mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”.

Ky është vizioni i kësaj strategjie, që do të drejtojë punën tonë të përbashkët. Kjo është shoqëria që duhet të ndërtojmë bashkë.

Ju faleminderit për gjithë punën që keni bërë dhe punët të cilët do t’i bëjmë së bashku.
Urime 8 Marsi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *