Prekaz, 6 mars 2022

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të 24- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

I shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e bashkëpunëtorë të tjerë, kryeministri Kurti tha se ishin sot në Prekaz, në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin përfundimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Teksa kujtonte sulmet e njëpasnjëshme që iu bënë familjes Jashari nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit, edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998, kryeministri Kurti tha se të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, u shpreh kryeministri derisa shtoi se jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë, por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mbarë edhe drejt përpara.

Lexo po ashtu:  Në Ditën Botërore të Ujit, Albin Kurti bën thirrje që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, krerët e shtetit, u pritën nga Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz:

Së bashku me Presidenten e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit dhe me kolegë të tjerë, bashkëpunëtorë nga Qeveria dhe Parlamenti, me aktivistë e me qytetarë të Republikës erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione të Republikës, si krerë të këtyre institucioneve, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar, sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme, e dimë se si të ecim mbarë dhe drejt përpara.

Lexo po ashtu:  Japonia sanksionon familjen e Putinit dhe të Lavrov

Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, Bacës Shaban, Hamzës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Burimi:https://kryeministri.rks-gov.net/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *