Londër, 28 shkurt 2022

Takimet në kuadër të Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Para se të diskutonin për projektet në fushën e energjisë dhe infrastrukturës dhe financimin e tyre, kryeministri Kurti tha se zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e kanë bërë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën në kuptim të bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërkombëtar dhe integrimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ai e dënoi pushtimin dhe agresionin ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Sa i përket projekteve infrastrukturore dhe vlerës së tyre të lidhshmërisë, kryeministri Kurti veçoi autostradën Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe atë për në Leshak. Ndërkaq në lidhje me energjinë kryeministri Kurti foli për punën në hartimin e Strategjisë për Energji, synimet për tranzicion të drejt energjetik, planet për ngritjen e kapaciteteve prodhuese nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, dhe projektet për rritjen e efiçiencës energjetike.

Lexo po ashtu:  Turqia merr një vendim të papritur: tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare për të mbrojtur gratë - dëshpërim te LGBT

Gjithashtu u fol edhe për reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut si dhe për veprimet e fundit të qeverisë në shërbim të krijimit të një sistemi dual të edukimit që lidh tregun e punës me sistemin e arsimit.

Komisioneri Varhelyi dha mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fusha dhe projekte të përbashkëta.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *