Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit GLOBESEC 2022 në Bratislavë, ka takuar ministren e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen.

Kurti e ka falënderuar për përkrahjen dhe kontributin që ka dhënë Finlanda për Kosovën që nga viti 1999 e këtej, sidomos në arsim, shëndetësi, të drejta të njeriut etj.

Duke e uruar për aplikimin e Finlandës në NATO, kryeministri i ka shprehur ministres Tuppurainen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen që po ia jep Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Siç bëhet e ditur nga komunikata për shtyp e Zyrës së Kurtit, në takim u diskutua për sigurinë dhe stabilitetin rajonal pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Kryeministri potencoi rrezikun e vendosjes nga Serbia të 48 bazave ushtarake përgjatë zonës kufitare me Kosovën dhe lidhjet e afërta të fqinjit tonë verior me Federatën Ruse.

“Finlanda, si fqinje e parë e Rusisë me të cilën e ndan kufirin më të gjatë, është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Federata Ruse, në veçanti pas aplikimit për anëtarësim në NATO. Kosova ndan pjesën më të madhe të kufirit me Serbinë e cila është destabilizuese, pra jemi në një kontekst të ngjashëm”, tha kryeministri Kurti dhe e vlerësoi cinizëm neutralitetin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.

Lexo po ashtu:  Poema e mjerimit

Edhe ministrja Tuppurainen vlerësoi se nuk mund të qëndrosh neutral ndaj një lufte sikurse kjo që po ndodhë në Ukrainë.

Në fund të takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Tuppurainen u pajtuan që të vazhdojnë angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit socio-ekonomik dhe të sigurisë mes dy vendeve.

Burimi: https://kryeministri.rks-gov.net/kryeministri-kurti-takoi-ministren-e-finlandes-per-ceshtje-evropiane-dhe-drejtimin-e-pronesise-tytti-tuppurainen/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *