Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës
/

A e kuptoni ku kemi ardhë? Sot, një grusht në Bigbrother po e trondit më shumë kombin shqiptar se gjaku i derdhur në Prekaz, në Kumanovë, në Tropojë e në Dukagjin. U tha “u ndamë si komb”, “s’duam më me shku në Shqipëri”, “vdiq bashkimi kombëtar”, “ata t’Shqipnisë janë t’egër”, sepse Jozi ia dha një flakaresh goxha t’mirë Gjestit: një reality show me regji, montazh e skenar!

Të dashur lexues,
Ky është mentaliteti televizorit të keq, kjo është “shkolla kombëtare” e ekranit që për 40 vjet e ka shndërruar popullin në spektator të injorancës, jo të dijes. Kombi, shteti, bashkimi, sot janë terma që i përdorim më shumë në komente të BBV-së sesa në libra, në kafe, sesa në konferenca, sesa në akademi.

Paskan besu gjindja që Bigbrother-i është pasqyra e bashkimit kombëtar! Qyqanat!
Paskan mendu gjindja që nëse disa njerëz bëjnë “paqe” në shtëpinë pornografike sociale, ne jemi në rrugë drejt bashkimit kombëtar! E tash, sepse u grushtuan e fjalosën mes veti, krisi kijameti!

Lexo po ashtu:  Vëllai i madh të rrafë dhe nuk të lë të qash!

A jeni në vete, more qyqejka e qyqana?

Më e fuqishme qenka një shuplakë nga një banor i pornografisë televizive për ta ndarë kombin, sesa të gjitha përpjekjet shekullore për ta bashkuar kombin?!

Ku janë shkrimtarët more, ku janë profesorët more, ku janë patriotët, ku janë idealistët? Apo heshtin, sepse showbiz-i e ka zëvendësuar dijen, dhe gazetaria e Tiranës dhe e Prishtinës po bën analizën e telenovelës në vend të analizave qytetare e kombëtare.

Sot, gazetarë e akademikë sillen si analistë politik për Bigbrother dhe si budallenj për jetën reale. Shajnë e çjerren për një grusht mes aktorëve pornografik dhe heshtin kur Serbia sulmon Kosovën apo kur një i ri vritet në mes të qytetit.

Çohen në këmbë për një fjalë në Bigbrother dhe ulen kur hiqet flamuri shqiptar nga Serbia a Greqia.

Ky është mjerimi ynë, kjo është shpërlarja e trurit që media dhe arsimimi i ulët na kanë sjellë në këtë zezditë.

Në vend që të kërkojnë reforma në arsim, flasim për romancat e inskenuara televizive. Në vend që të flasim për poshtërimin e Kosovës për 20 vjet të pasluftës, për varfërinë, shëndetësinë, (pa)drejtësinë, gazetarë e (pa) kryeredaktorë flasin për “a e tradhtoi kjo atë”, “a e puthi”, “a ja futi ky asaj apo ai atij”?!

Lexo po ashtu:  Haradinaj – ky “Brutusi shqiptar” – Çka ka të përbashkët retorika e Haradinajt nga Gllogjani me retorikën e Brutusit nga Roma e vjetër

Jemi një popull që sot frymëzohemi nga opinionet e aktorëve pornografik në Bigbrother më shumë sesa nga fjalët e Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, vëllezërve Frashëri, Qabej, Ukshin Hoti e shumë të tjerë kryezot kulturor, historik e politik.

Ironia është se dikur shteti u bë me pushkë e me gjak, sot duam me e (ç)bë me “like” dhe televizor.

Të nderuar lexues,
kështu nuk ndërtohet as shtet, as komb e as familje. Kështu ndërtohet veç realiteti i rremë e pornografik, ai i Bigbrother. Dhe mjerisht, shumëkush e ka pranuar atë si të vetmin realitet.

Kombi nuk bashkohet me reality show e as me televizor…PIKË!

Sqarim: unë dhe Edita nuk kemi ndjekur asdhe një sekondë pornografinë sociale, Bigbrother; në vend të saj kënaqemi me Benxhin!🦮