Kur Kosovën duan ta bëjnë cope, në këtë kohë pandemie

 

Kryetari i LDK-së ka inicuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti në Kosovë. Them kryetari, pasi jo e gjithë kryesia e LDK-së dhe me të drejtë, janë pro këtij mocioni. Arsyet e paarsyeshme të këtij mocioni janë cilësuar dy, të cilat po i faturohen si shkelje Kryeministrit Kurti: (i) mosheqja e plotë e tarifës doganore me Serbinë, gjë e cila po shkakton “prishje” të marrëdhënieve speciale të Kosovës me SHBA-në; dhe (ii) shkarkimi i Ministrit Veliu. Nuk po merrem me “arsyet” e pretenduara nga Kryetari Mustafa, pasi nuk është ky qëllimi i shkrimit, por po përpiqem të analizojë kohën e papërshtatshme në të cilën po ngrihet ky mocion:

  1. Qeveria Kurti është një qeveri legjitime, nuk ka mbushur ende 100 ditë dhe i duhet dhënë koha e mjaftueshme dhe e duhur që të marri vendime, që vendimet e saj të japin efekt dhe këto efekte të mund të analizohen për të kuptuar rezultatet e tyre, nëse ishin të dobishme apo të dëmshme.
  2. Aktualisht Kosova si pjesë e botës ku po vepron pandemia nga vurusi korona ka domosdoshmërinë jetike, që e gjithë vëmendja e qeverisë së saj dhe e kujdo instance apo individi, kushdo qoftë ai, të jetë për të ndihmuar popullatën e Kosovës nga sulmi i padukshëm i virusit, dhe jo për të vepruar dhe për t’u mbrojtur nga llogaritjet politike.
  3. Interesi për të mirën e Kosovës duhet të prevalojë interesin e çdo politikani, të cilët për të mbrojtur veten, flasin e flasin pa rreshtur në emër të popullatës së Kosovës.
  4. Situata e korona virusit është serioze dhe për politikën në Kosovë, si kudo në botë kërkohet solidaritet njerëzor, kalimin në plan të parë i mbrojtjes së popullatës dhe jo mbrojtja e favoreve personale të personave që kanë pushtet politik dhe jo vetëm.
  5. Kriza politike në Kosovë ka potencial të rrisi dëmet ekonomike, sociale e kulturore në vend, të cilat janë cënuar në këtë periudhë izolimi nga virusi korona, por mund të sjellë edhe më shumë shkatërrim, nëse lufta politike do të zhvendoset në plan të parë.
  6. Destabiliteti i qeverisë së Kosovës, paqëndryeshmëria politike në këtë periudhë pandemie, dëmton rëndë integritetin e shtetit të Kosovës në raportet rajonale e më gjerë.
  7. Lufta politike po zhvillohet në kohën më të papërshtashme dhe lënia e Kosovës pa Qeveri në këtë kohë pandemie është vrastare për shqiptarët e Kosovës, por edhe për shqiptarët në Serbi, sepse zvogëlon mbështetjen dhe ndihmën ndaj tyre.
  8. Kosova një shtet i ti, me demokraci në konsolidim me institucione ende të paforcura dhe në këtë situatë emergjente nga pandemia, nuk e ka luksin të jetë e destabilizur.
  9. Qeveria e Kosovës sot ka nevojë për mbështetje më shumë se kurrë, por nesër, kur kjo situatë të kalojë, atëherë po, mund ta bësh copë dhe ta rrëzosh me të gjitha mjetet ligjore, gjithnjë nëse ky vendim është në të mirë të Kosovës dhe jo të disa individëve politikanë.
  10. Situata është përtej normales, që i kapërcen kufijtë e zakonshëm dhe populli i Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet politik, për një qeveri që të udhëheqë popullin dhe të dëgjohet, për një klasë politikanësh që të punojë totalisht për ta, jo vetëm për vete.
Lexo po ashtu:  E VËRTETA E PATHËNË DERI NË FUND DHE ZGJIDHJET E PJESËSHME POLITIKE - NË SHËRBIM TË POLITIKËS DITORE DHE NË DËM TË ZGJIDHJES PËRFUNDIMTARE TË ÇËSHTJES SHQIPTARE!

Ndaj inicimi i mocionit ndaj Qeverisë Kurti është pabesi që i bëhet popullit të Kosovës; është largim i vëmendjes nga problemet më themelore që ka shteti më i ri në Evropë; është luftë e pastër politike për interesa vetjakë dhe jo për shqiptarët në Kosovë apo jashtë saj. Në këtë situatë lufte të padukshme me virusin, mocioni kthehet në një absurd dhe vetëm do e copëtojë dhe do e dëmtojë edhe më shumë Kosovën dhe banorët e saj.

Sot, nuk është koha për të kryqëzuar Qeverinë Kurti, apo këdo qeveri tjetër po të ishte në vend të saj. Çdo largim vëmendje nga lufta ndaj virusit, është një largim vëmendje e drejtpërdrejtë nga mbrojtja e popullatës. Politikanët në Kosovë kanë kohën më të mirë që të tregojnë qoftë një herë të vetme se mendojnë për Kosovën më shumë se për interesin e tyre politik, është koha për bashkëpunim mes tyre dhe ata nuk duhet të keqpërdorin besimin dhe votën e qytetarëve. Ndryshe, historia do t’i gjykojë, por urojmë të mos jetë vonë për Kosovën dhe shqiptarët.

Lexo po ashtu:  Shkronja nr. 37

 

 

Dr. Teuta Nunaj

Pedagoge

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *