Kur spanjollët plaçkitën dhe dogjën Durrësin

Më 4 gusht 1606, 26 galera të komanduara nga markezi i Santa Kruzit, u nisën nga Brindisi dhe ia mësyen Durrësit. Në ora 1 të natës, 3600 ushtarë zbarkuan në port dhe sulmuan qytetin, pa hasur në ndonjë rezistencë, duke zënë në befasi osmanët që u tërhoqën në kështjellë. Megjithëse u dorëzuan që pas gjyleve të para, spanjollët vranë 400 kalorës dhe 600 këmbësorë, duke humbur ndërkaq vetëm 2 ushtarë.

Siç dëshmon ushtari spanjoll Miguel de Castro, më së keqi e pësuan vetë durrsakët, pasi spanjollët shkuan në ushta dhe thika gratë që ishin strehuar në kështjellë. Spanjollët plaçkitën Durrësin duke marrë me vete 155 skllevër, 40 topa kështjelle, 200 kuaj dhe 500 krerë bagëti. Pastaj i vunë zjarrin qytetit dhe ikën atë ditë në mbrëmje, teksa Durrësi digjej dhe në rrugët e tij dirgjeshin kufoma grash, burrash dhe fëmijësh. Ushtarët spanjollë u pritën triumfalisht në Napoli, ndërsa Madridi u shtang që nuk ishte shfrytëzuar kjo fitore kundër osmanëve, për të mbajtur Durrësin. Por siç argumentoi konti i Benaventes, nënmbret i Napolit, ishte e rrezikshme mbajtja e Durrësit përballë reagimit të Perandorisë Osmane./Durim Abdullahu/

Lexo po ashtu:  Turqia përkutjon 568 vjetorin e pushtimit të Konstandinopojës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *