Çdo vit, me qindra filma, me buxhete të ndryshme, por të njëjtat aspirata të mëdha, shfaqen në ekranet e kinemave. Një pjesë e mirë e Books-Made-Into-Moviestyre janë të bazuar mbi libra, të njohur apo jo. Sipas goodreads.com, numri i librave që adaptohen në film rritet nga viti në vit: në 2012, 52 libra u adaptuan në film, përfshi këtu Ana Karenina, Jeta e Pi (Life of Pi), Të mjerët (Les Miserables), Getsbi i Madh (The Great Gatsby); në 2013 bestseller-a si Si jetoj tani (How I Live Now), Ujku i Wall Street-it (Wolf of Wall Street), Tjetri si unë (The Double) e panë veten të renditur mes 65 librave që ishin përshtatur në film; një nga 43 librat e adaptuar për film në 2014 ishte Libri i Noas.

Pavarësisht kësaj, adhuruesit e librit dhe filmave janë në një debat të vazhdueshëm se cili medium e rrëfen më mirë historinë. Sapo lajmërohet adaptimi në film i një libri, mes miqsh, të njohurve dhe internetit fillon pëshpëritja “filmi kurrë s’ka për të qenë aq i mirë sa libri”. Në krahun e filmit, më optimistët shpresojnë në një përjashtim nga rregulli; lexuesit dhe më pesimistët shpallin padrejtësinë që po i bëhet librit me predikime mbi inferioritetin e filmit. Është e vështirë të përcaktosh se cili prej tyre është më depërtues; ndoshta mund të mos ketë një përgjigje të prerë.

Performanca e Gregory Peck-ut te ‘Të Vrasësh Zogun Përqeshës’ (To Kill a Mockingbird), regjia e Stanley Kubrik-ut dhe mimika e Jack Nicholson-it te ‘Rrezatimi’ (The Shining), dhe bashkëpunimi Spielberg-Liam Neeson-Ben Kingsley-Ralph Finnes te Lista e Schindler-it (Schindler’s List) nuk i kanë hyrë fare në hak novelave në të cilat janë bazuar. Sigurisht ka edhe filma, si Plazhi (The Beach) apo Mandolina e Captain Corelli-t (Captain Corelli’s Mandolin), të cilët megjithëse kishin emra aktorësh shumë të njohur (Leonardo DiCaprio, Penelope Cruz dhe Nicholas Cage) i vetmi sukses që korrën ishte shkatërrimi i narrativës së novelës. Kush i ka lexuar këto dy veprat e sipërpërmendura e di që një libër kurrë nuk duhet gjykuar nga filmi i bazuar mbi të. Por, ka edhe disa raste kur një film mund të jetë më i mirë se sa burimi i frymëzimit. Djalli vishet me Prada (The Devils Wears Prada), falë të madhes Meryl Streep, të mrekullueshmit Stanley Tucci dhe të lezetshmes Emily Blunt e merr një libër të vakët dhe e kthen në një film që mund ta shijosh.

Lexo po ashtu:  Të gjallëve

Puzzo është shkrimtar i mirë, por ishte regjia e Coppola-s dhe aktrimi i Marlon Brandon-it që i dhanë famë Kumbarit (The Godfather) dhe Puzzo-s rrjedhimisht.
Nuk besoj që mund të ketë fusha të tjera me një marrëdhënie dashuri/urrejtje kaq të zjarrtë sa ajo mes letërsisë dhe filmit. Leximi është shumë personal, i copëzuar, kërkues vëmendjeje dhe konsumues kohe; filmi është më shoqëror, shijon më mirë pa ndalesë dhe nuk zgjat më shumë se 2 orë (përjashtim janë filmat e Zoti i Unazave).
Ty të duhet të zgjedhësh, je lexues i rregullt apo i pasionuar pas librave? Duhet të zgjedhësh mes “Librat janë të mërzitshëm” dhe “Libri ishte shumë herë më i mirë se filmi!”; “Preferoj të lexoj se sa të shoh një film në TV” dhe  “Kush ka nerva të lexojë…një libër”. As mos të të shkojë ndërmend që mund t’i duash të dyja.
Por, a mund të mendojmë për një moment, që ndoshta e ka një mundësi që këto dy forma shumë të bukura arti të bashkëjetojnë në paqe?

Përse i duam librat
Librat të lejojnë të jesh vetë regjisor. Janë më përshkrues se çdo film, në fakt ata janë praktikisht gati vetëm përshkrim dhe kjo e lejon lexuesin ta përcaktojë vetë skenën. Në një film ti sheh atë që regjisori do që ti të shohësh; ndjen atë regjisori do që të ndjesh; i percepton personazhet ashtu siç do regjisori. Reagimet e tua janë në fakt reagimet që regjisori do të dëgjojë. Filmat nuk i lënë shumë vend imagjinatës. Në fakt, ata ta zhveshin imagjinatën dhe ti ngelesh vetëm me qëllimin e regjisorit. Librat, të cilët me përshkrimet e tyre dhe mungesën e theksuar të imazheve për disa mund të jenë të mërzitshëm, të lejojnë që me imagjinatën tënde ta zhvillosh fabulën përtej faqeve të librit. Ata i japin imagjinatës tënde informacionin që i duhet për të rrjedhur lirshëm.
Librat janë një minierë informacioni.

Lexo po ashtu:  Gjykata Evropian e Drejtësisë kundër përgjimit të qytetarëve Evropianë

Teksa lexon një libër, mendja arkivon copëza informacioni të cilat ti nuk e di kur mund të të nevojiten. Është si të ndjekësh një kurs mbi një degë të caktuar, por falas. Leximi është një mundësi për të përthithur një informacion të caktuar, rezultat i një pune të madhe dhe një hulumtimi të gjerë, brenda një kohe të shkurtër. Njohuritë e përfituara nga leximet joletrare janë të dobishme në bisedat e përditshme; mund ta ndjekësh një bisedë dhe të kontribuosh për të, në vend që të mendosh se si t’i bësh bisht apo të fillosh t¨rrëmosh google-in në celularin tënd.

Megjithëse nuk premtojnë se do të bëjnë një komunikues të shkëlqyer, me anë të librave zhvillon gjuhën dhe zbulon një gamë të gjerë fjalësh për t’u shprehur. Në ditët e sotme, falë internetit dhe komunikimit të çastit,komunikimi po katandiset në një supë shkronjash (TVB, FLM, LOL, etj) dhe fjalësh të huazuara dhunshëm, e nëse vazhdohet kështu gjuhët do ta humbin sharmin e tyre. Librat të ndihmojnë të pasurosh fjalorin, të shkosh përtej bazikes, por edhe të njohësh gjuhën. Duke i dhënë  kështu fund shprehjes injorante “gjuha shqipe është e varfër”.

Përse shohim filma
Kur sheh versionin kinematografik të një libri që ke lexuar, përballesh me një tjetër pikëpamje, perceptim, të të njëjtit material. Ti, regjisori dhe skenaristi keni lexuar të njëjtin libër, por përjetimet janë pothuajse katërcipërisht ndryshe. Gjithashtu, nëse për leximin e librit ke pasur më shumë kohë në dispozicion dhe luksin e shijimit të çdo detaji, në film regjisori është i detyruar që të përçojë mesazhin e tij në 120 minuta apo më pak.

Lexo po ashtu:  Karl Ove Knausgard: Të kërkosh kuptimin e jetës, përmes të shkruarit

Filmat janë më shoqërorë. Ndërsa leximi të do të gjithin për vete, filmi është mësuar të të ndajë me të tjerët. Mund ta shohësh në kinema apo në shtëpi me shoqërinë dhe komentet janë të lejuara (por të kufizuara).
Edhe filmat, ashtu si librat, kanë aftësi argëtuese, të ofrojnë momente arratisje, komforti dhe purgative.

Kur krahasimi është i padrejtë
Të krahasosh librat me filmat është si të krahasosh mollët me portokajtë. Të dyja janë fruta, por pemë të ndryshme. Librat dhe filmat, megjithë të përbashkëtat e tyre, janë dy forma krejt të ndryshme arti. Librat të ndihmojnë të bësh gjëra që filmat kurrë nuk do të mundnin: të zhvillojnë imagjinatën, të pasurojnë mendjen dhe fjalorin. Por edhe filmat ofrojnë diçka që nuk e gjen te librat: argëtim të shpejtë dhe mundësi për të provuar përjetimet e dikujt tjetër.

Gabimi në gjykimin e një filmi që bazohet mbi një libër qëndron te fakti që lexuesi po e gjykon filmin duke u bazuar te pritshmëritë e veta, duke përdorur si etalon emocionet dhe përjetimet personale. Nuk është e drejtë që të presësh që çdo gjë që ke imagjinuar gjatë leximit të veprës të shfaqet në ekran, sepse me shumë gjasa edhe personi me të cilin po e sheh filmin nuk ka patur të njëjtat përjetime si të tuat gjatë leximit të librit.
Ç’të keqe ka që dy forma të ndryshme arti, dhe argëtimi, që në një mënyrë apo në një tjetër kanë kontribuar në formimin tonë kulturor, të bashkohen, pa qenë e nevojshme që të vihen përballë si armike të përjetshme? Sepse, në fund të fundit qëllimi i filmit nuk është që të zëvendësojë librin, por vetëm të argëtojë shikuesin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *