Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji List”, ka folur për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Kurti ka thënë se beson në pafajësinë e Thaçit dhe të tjerëve, teksa ka bërë të ditur se shteti i Kosovës ka paguar mbi 16 milionë euro në mbrojtjen e tyre.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre”.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm.

“Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kurti.

Intervista e plotë botuar sot në gazetën kroate “Veçernji List” e përkthyer në shqip:

Është vërtet vapë në Kosovë, që zien edhe nga qielli edhe nga toka. Dhe ndërsa dielli i bën kosovarët të djersiten, në zyrën me ajër të kondicionuar të kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ndjehet një tension i lehtë. Por kryeministri i qeshur, të cilin e njoh prej vitesh, pavarësisht presioneve të shumta, duket se i qëndron besnik rrugës së tij të planifikuar.

Veçernji List: Të gjithë ju sulmojnë, që bën të duket se jeni fajtori më i madh për gjithçka, kritikat vijnë nga të gjitha anët. Çfarë po ndodh në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar?

Kryeministri Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua.

Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim.

Veçernji List: Pse vendosët t’i mbani zgjedhjet lokale përkundër faktit që bashkësia ndërkombëtare tha “mos i bëni”?

Kryeministri Kurti: Kur më 5 nëntor të vitit të kaluar katër kryetarë komunash në veri të Kosovës dhanë dorëheqje kolektive, së bashku me dhjetë deputetë në Kuvendin tonë dhe 547 policë në veri, ata në fakt donin që sistemi i Republikës sonë të shembej nga vakuumi që e krijuan. Por megjithatë kjo nuk ndodhi. Për shkak të këtij dështimi, ata u bënë edhe më agresivë. Sipas kushtetutës sonë ne duhej të kishim zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ato ishin caktuar për 18 dhjetor. Por, para kësaj të gjithë jemi konsultuar me presidenten tonë Vjosa Osmani, të gjithë kryetarët e partive dhe zgjedhjet i kemi shtyrë për katër muaj, për fund të prillit.

Në mes të marsit, ambasadorët e Quinti-t (Gjermania, Franca, Italia, ShBA, Britania e Madhe dhe ambasadori i BE-së në Kosovë) thanë se nëse pranojmë Aneksin e Ohrit të Marrëveshjes së Brukselit dhe shtyjmë afatin për regjistrimin e partive politike për pesë ditë, deri më 22 mars, ata do të sjellin Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje. Ndonëse e shtymë afatin dhe e pranuam aneksin e Ohrit, sërish unë isha gati të nënshkruaja, por jo edhe Vuçiqi, Lista Serbe nuk u përgjigj.

Për më tepër, përveç që bojkotuan zgjedhjet, ata po ashtu ftuan edhe të tjerët t’i bojkotojnë dhe Beogradi bëri një “bullizëm” të paprecedentë ndaj serbëve që do të donin të votonin ose të kandidonin. Në këtë mënyrë, për shembull, Aleksandar Jabllanoviq u tërhoq nga fushata dy ditë para zgjedhjeve, të cilat u mbajtën më 23 prill. Pra, ne i shtymë zgjedhjet për katër muaj, e shtymë datën e regjistrimit të partive, e pranuam edhe aneksin e Ohrit të Marrëveshjes së Brukselit, por kjo megjithatë nuk e ndryshoi situatën.

Ne na është dashur t’i mbajmë zgjedhjet. Kjo nuk ishte zgjedhje e jonë, por dispozitë e kushtetutës sonë, kërkesë e ligjit tonë. Me këtë përfunduam me katër kryetarë shqiptarë të komunave, të cilët vërtetë kanë një legjitimitet të brishtë sepse përqindja e daljes në zgjedhje ishte shumë e ulët, por megjithatë ata kanë disa përqindje në zgjedhje, ndërsa të tjerët kanë zero. Në zyrën e kryetarit të komunës mund të futesh vetëm përmes zgjedhjeve, jo me sjellje të dhunshme, jo me dhunë ndaj NATO-s, policisë dhe gazetarëve tanë, jo me shok bomba dhe plumba. Jam i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përkohshme. Për më tepër kam bërë një lëshim shtesë duke reduktuar me 25% praninë e policisë sonë brenda dhe përreth ndërtesave. Dhe krahas kësaj, ne do të mbajmë konsultime të rregullta çdo dy javë me KFOR-in dhe EULEX-in për të vlerësuar situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për të zvogëluar praninë e policisë sonë.

Ne nuk po luftojmë kundër banorëve serbë, popullatës serbe, por kundër kriminelëve dhe kryerësve të krimeve të ndryshme, por jo vetëm serbë. Krimi i organizuar është multietnik. Në dy vitet e fundit kemi eliminuar 16 rrugë ilegale të kontrabandës në pjesën veriore të Kosovës. Më pas tetë laboratorë për prodhimin e barnave dhe pesë për prodhimin e kriptovalutave.

Veçernji List: Çfarë duan në të vërtete nga ju ShBA dhe BE? A e duan ata krijimin e Republika Srpska brenda Kosovës?

Kryeministri Kurti: Para së gjithash, ata duan deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ne plotësisht pajtohemi me ta. Sa i përket deeskalimit, tërheqjes së policisë dhe zgjedhjeve të parakohshme, janë diçka që ata kanë kërkuar dhe ne jemi pozitivë për këtë, dhe i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese. Por unë nuk mund ta nxjerr menjëherë policinë nga ato ndërtesa sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë. Prandaj i jam përgjigjur kërkesës së tyre duke ulur proporcionalisht dhe gradualisht numrin e policëve. Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Lexo po ashtu:  LVV: Serbët e Kosovës nesër do të votojnë si shtetas brenda Serbisë

Bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një Beograd zyrtar të ekstremit të djathtë, i cili në rotacion krijon probleme në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – çdo muaj njërit prej fqinjëve i vjen radha. Ne dëshirojmë drejtësi ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga destabilizimi dhe këtu ka një hendek.

Ky hendek zgjatet me një hendek tjetër kur komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiqi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiqin sesa për veten! Sigurisht unë jam optimisti më i madh, por unë jam optimist për Kosovën, për BE-në dhe NATO-n, por jo kur është fjala për Vuçiqin.

Veçernji List: Sa i jep kjo shtytje Vuçiqit, duke pasur parasysh se bashkësia ndërkombëtare po ju kritikon ju dhe jo atë? Po ashtu, lexova deklaratën e tij se ju ka krahasuar me Enver Hoxhën duke thënë se ju punoni si ai dhe se dëshironi të mos mbetet asnjë serb?

Kryeministri Kurti: Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës. Më thërrasin me emra të ndryshëm, sepse secila prej etiketave të tyre zbehet shpejt, kështu që duhet t’i zëvendësojnë. Çdo muaj lajmërojnë se muajin tjetër po fillon stuhi kundër serbëve në Kosovë. Nuk u vjen aspak turp që do të dalin gënjeshtarë sepse e dinë që askush nuk u çuditet më.

Ata shpeshherë dhe publikisht fantazojnë hakmarrjen e shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin e 21-të, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Kosovë gjatë shekullit të 20-të. Ne duam dhe qëndrojmë për drejtësi pa hakmarrje dhe kundër hakmarrjes. Serbët janë qytetarë të Kosovës me të drejta dhe nevoja njerëzore dhe qytetare. Unë jam kryeministër i të gjithë atyre që dëshirojnë dhe duhet t’u shërbej të gjithëve pa dallim. Për ministër kam Nenad Rashiqin, politikanin më të njohur serb në Kosovë. Vetëm atë e urren më shumë se mua pushteti në Serbi. Beogradi dëshiron që ata të vendosin se kush është serb dhe kush jo. Për shembull veturave të serbëve nga Kosova të cilët i kanë kthyer targat e tyre në RKS në shumë raste janë djegur, por asnjë fjalë nga Beogradi për këtë. Pra, nga këndvështrimi i Beogradit, ka serbë të mirë dhe të këqij. Ata që kanë kartën e anëtarësimit të partisë në pushtet janë të mirë, ndërsa të gjithë të tjerët të këqij.

Nga ana tjetër, ky është një konfrontim në mes të Republikës së re të Kosovës dhe një shteti që nominalisht është Republikë, por që në fakt do të dëshironte të kthehej në mbretëri. Jo vetëm demokracia, por edhe Republika po e shqetësojnë presidentin autoritar dhe ai do të donte të bëhej mbret. Nuk është rastësi që rrethi familjar i presidentit është bërë shumë më i rëndësishëm se hierarkia shtetërore dhe partia politike. Në veri të Kosovës kemi ditë të qeta dhe të mira kur nuk ka urdhër nga Beogradi për dhunë. Nga ana tjetër, në Serbi, në ekranet televizive, në reality show, e më pas në shkolla e rrugë, keni shumë dhunë dhe vrasje. Serbët në Kosovë jetojnë shumë më mirë se serbët në Serbi. Por kriminelët në Serbi jetojnë shumë më mirë sesa në Kosovë. E shihni që protestat e Vuçiqit në Kosovë janë të dhunshme, dhe protestat kundër Vuçiqit në Beograd janë paqësore. Jetën e serbëve në Kosovë ua vështirëson pikërisht Beogradi, i cili nuk i lejon ata të integrohen. Njerëzit që nuk integrohen nuk jetojnë më së miri, ndërsa ata që integrohen jetojnë më mirë.

Por Beogradi nuk dëshiron që ata të jetojnë më mirë, ai dëshiron të ushqejë disi tensionet dhe potencialin për destabilizimin. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët, dhe besoj se politika duhet t’u shërbejë publikisht të gjithë qytetarëve pa diskriminim.

Veçernji List: A do të thotë kjo se Beogradi dëshiron ndarjen e Kosovës?

Kryeministri Kurti: Siç edhe duket kjo ide nuk ka vdekur. Para pesë vitesh projekti i ndarjes së Kosovës ishte brenda dialogut dhe paqësor, por sot është i dalë mendsh dhe i dhunshëm, sepse në dialog nuk mund të gjenin më interlokutor, pra bashkëbisedues, i cili do të diskutonte me qetësi për ndarjen. Dëmin më të madh në integrimin e serbëve në Kosovë e ka shkaktuar pikërisht ky projekt i ndarjes.

Unë tani dua normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë evropiane duke zbatuar marrëveshjen me të 11 pikat, për të cilën vendosëm në Bruksel më 27 shkurt, dhe kjo është para së gjithash njohje reciproke de facto. Kjo marrëveshje u bë gjithashtu pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian. Ne na duhet normalizimi dhe evropianizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e cila si e tillë, për fat të keq, e reziston këtë fuqishëm. Fqinjësia e mirë do të thotë të gjithë në shtëpinë e tyre dhe të gjithë së bashku në lagjen evropiane. Por që nga dhjetori i vitit 2015, nuk ka pasur asnjë përparim në lidhje me kapitullin 35 në negociatat e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe ai kapitull i referohet fqinjësisë së mirë të Serbisë me Kosovën.

Veçernji List: E keni fjalën për ato 11 pikat e marrëveshjes, a mund të më shpjegoni diçka? Ju nënshkruani marrëveshje me presidentin e Serbisë, por ai nuk e mbështet atë që nënshkruani! Si ajo marrëveshje nuk është e nënshkruar, por është e obligueshme?

Lexo po ashtu:  Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë

Kryeministri Kurti: Pëlqimi i lehtësuesve ndërkombëtarë, në radhë të parë i Brukselit, por edhe Uashingtonit, se nuk është obligative për Vuçiqin ta nënshkruajë atë marrëveshje bazë dhe se mund të flasë se me cilat prioritete dhe kufij do të merr pjesë në zbatimin e asaj marrëveshjeje, na ka sjellë në këtë situatë. Kjo është detyrë e BE-së, që ka thënë se sa na përket neve kjo është një marrëveshje, dhe se kjo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka karakter detyrues në kuptim të Konventës së Vjenës. Nga këndvështrimi i Brukselit, ne kemi një marrëveshje dhe ata do të ishin ata që duhet të garantonin se kjo marrëveshje nuk do të shkelet dhe se do të zbatohet.

Veçernji List: A janë ato 11 pika të pranueshme për ju?

Kryeministri Kurti: Sigurisht që janë. Dua zbatimin e të gjitha atyre pikave, pa kushte, në plotni dhe sa më shpejt.

Veçernji List: Por aty përmendet edhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe? A është kjo e pranueshme për ju?

Kryeministri Kurti: Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015. Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes. Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat. Për ne, etnonacionalizmi territorial është absolutisht i papranueshëm. Ky lloj nacionalizmi e ka të domosdoshëm shovinizmin dhe aparteidin, ai është në kundërshtim jo vetëm me shoqërinë qytetare, por madje edhe me nacionalizmin nacional-çlirimtar.

Ne kemi ofruar një draft vizion për komunitetin serb në Kosovë, i cili është frymëzuar nga modeli kroat i vetëmenaxhimit përmes Këshillit Kombëtar Serb. Vuçiq nuk donte të dëgjonte për të apo ta lexonte. Ai dëshiron bashkimin e komunave me shumicë serbe kundër shtetit tonë, siç është bërë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1991. Në Kosovë 4% e popullsisë janë serbë. Por ata kanë 10 nga 38 komuna, kanë 10 vende të rezervuara nga 120 në Parlament dhe kanë 17 për qind të asambleistëve komunal në komunat tona. Po ashtu, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën në të gjitha nivelet e administratës. Do të thotë, në Kosovë ka diskriminim pozitiv, por Beogradi dëshiron Republikën Srpska brenda Kosovës. Kjo, sigurisht, nuk është e mundur. Jo vetëm që nuk është e dëshirueshme, por edhe nuk është as e mundur. Në të njëjtën kohë, Beogradi nuk dëshiron të hapë çështjen e reciprocitetit, sepse në Serbi ka më shumë pakica kombëtare sesa në Kosovë. Do të thotë, nëse doni diçka për serbët diku tjetër, duhet të mendoni edhe për pakicat në vendin tuaj. Në spitalin e Vranjës, i cili mbulon Preshevën dhe Bujanocin, në rrethin e Pçinjit, nuk ka asnjë mjek shqiptar, ndërsa së paku një e treta e pacientëve janë shqiptarë. Në Luginën e Preshevës, në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë po bëhet spastrim i ftohtë etnik i heshtur administrativ duke anuluar adresat e banorëve shqiptarë. Nëse policia ju troket në derë dhe nuk jeni aty, ju fshijnë nga regjistri. Ata duan të thonë se askush nuk jeton këtu. Në një farë mënyre, për t’u regjistruar atje si banor, duhet të jesh gjatë gjithë kohës në shtëpi.

Veçernji List: Çfarë dëshiron realisht presidenti i Serbisë?

Kryeministri Kurti: Revizionizëm historik. Më 5 dhjetor 2019 ai mohoi masakrën e forcave serbe në Reçak më 15 janar 1999, duke e quajtur atë “ngjarje të fabrikuar”. Të njëjtin mohim e ka përsëritur edhe ky Aleksandri tjetër, Vulin, më 10 dhjetor 2021. Por së pari duhet të them se kjo nuk është çështje e qëllimeve të presidentit të Serbisë, por e karakterit të shtetit të tyre si i tillë. Ata duan homogjenizimin e serbëve për hegjemoninë e Serbisë.

Ata as nuk mund ta imagjinojnë, e lëre më ta përcaktojnë Serbinë pa hegjemoni. Ata i përkasin asaj rryme që disa e quajnë demokraci joliberale, e cila as nuk beson në të drejtat e njeriut dhe as nuk toleron pluralizmin politik. Në këtë kuptim, partia kryesore politike në Serbi është Kisha Ortodokse Serbe. Prandaj Vuçiq dhe Dodik duken si këshilltarë të patriarkut. Ka tre dekada që ata flasin në mbarë botën për fundamentalizmin islamik në Ballkan për të përhapur kështu më lehtë fundamentalizmin e tyre ortodoks. Ata duan një shtet, një kishë, një lider dhe një parti politike.

Ata imagjinojnë se vetëm homogjenizimi i kombit mundëson hegjemoninë territoriale të shtetit. Kundër kësaj qëndrojmë ne, popujt që u shtypën dhe u eksploatuam nga Serbia për më shumë se një shekull dhe ku ajo bëri gjenocid disa herë, sepse donte tokën tonë pa ne. Faktori i tretë është bashkësia ndërkombëtare, e cila, sipas meje, ose nuk e kupton ose mbyll veshët dhe sytë para një fakti që ne, popujt e Ballkanit, e dimë, dhe kjo është se presidenti Vuçiq e don dhe i frikësohet Kremlinit më shumë sesa Brukselit apo Uashingtonit. Zoran Gjingjiq, i cili luftoi kundër krimit të organizuar në Serbi dhe intelektualisht ishte shumë më i thellë dhe i orientuar drejt perëndimit, mbase do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Ai u vra. Tani Aleksandar Vuçiq as nuk lufton kundër krimit të organizuar dhe as nuk dëshiron ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Unë kam dalë nga burgjet serbe para më shumë se dy dekadash, por Vuçiq nuk ka dalur nga koha kur unë isha në burg. Mbase burgu nuk është vetëm ai me grila.

Lexo po ashtu:  Isj Kryeministri Kurti: Serbët duhet ta na kërkojnë falje, pastaj të mendojmë a duhet t'i falim apo jo

Veçernji List: A kishit frikë në një moment se do të kishte luftë, për shkak të gjithë këtyre tensioneve, dhe kur Vuçiq dërgoi ushtrinë në kufi?

Kryeministri Kurti: Nëse do të ketë një luftë apo jo, varet nga Beogradi. Në këtë kuptim, situata nuk ndryshon shumë nga tre dekada më parë. Ne jemi këtu për të qenë të kujdesshëm dhe të fortë, por kurrë nuk frikësohemi. Shtetet që kanë një kompleks superioriteti, kur tkurren ose dobësohen, bëhen të rrezikshme. Sërish, Serbia është si Rusia në këtë kuptim. Por rreziku i tyre për ne nuk kthehet në frikë nga ta, por në përpjekje shtesë për zhvillim dhe demokraci. Kosova është Republikë demokratike, e cila sipas të gjitha organizatave ndërkombëtare është e para në mesin e këtyre gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, përparimin demokratik e shoqëruam me zhvillim ekonomik. Kemi pasur një rritje ekonomike mesatare prej 7.35% të Bruto Produktit Vendor në këto dy vite, eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar në të njëjtën kohë, kemi shtuar më shumë se një miliard euro në vit në ekonominë tonë, ndërsa para nesh janë nevojitur tre vjet për të arritur një miliard, buxheti i shtetit është 17% më i madh se ai i mëparshmi. Pra, Kosova është një histori e suksesit të dyfishtë, ekonomisë dhe demokracisë, dhe në anën tjetër, ne jemi histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s 24 vjet më parë për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit. Për të pasur një zgjidhje me Serbinë, duhet të zbatohet marrëveshja e Brukselit. Ndërsa për pajtim, Serbia duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini, Beogradi zyrtar duhet të fajësojë ata të dy për situatën në të cilën ndodhemi ata dhe ne.

Veçernji List: Pak ditë më parë keni bërë një foto pranë fluturakes spiun, d.m.th. dronit Bajraktar, a i keni marrë në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar dhe Uashingtonin?

Kryeministri Kurti: Ne kemi ushtrinë tonë. Është bërë një kohë e gjatë që kur nisëm iniciativën për të pajisur ushtrinë tonë me dronët Bajraktar dhe në fund i kemi blerë. Kemi arritur një marrëveshje dhe kontratë të suksesshme me Turqinë dhe i kemi paguar dronët. Kur i morëm, ua dhashë lajmin qytetarëve tanë, nuk doja ta bëja derisa të gjithë dronët që blemë të mbërrijnë në Kosovë. Pra, është folur shumë për marrjen e dronëve nga Kosova, por nuk e kam publikuar deri sa ka ardhur në Kosovë droni i fundit për të cilin kemi nënshkruar kontratë.

Veçernji List: A mund të presim blerjen e tankeve dhe bombarduesve në të ardhmen në mënyrë që Kosova të bëhet e pavarur në mbrojtjen e saj?

Kryeministri Kurti: Ne kemi dyfishuar buxhetin vjetor për mbrojtjen e Kosovës dhe kemi rritur për 80 për qind numrin e ushtarëve. Kjo nuk është për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur veten me sukses. E dini, rreth kufirit tonë me Serbinë ka baza sulmuese të ushtrisë dhe policisë ushtarake serbe, gjithsej 48, dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Prandaj na duhet një ushtri e pajisur mirë që do ta mbrojë me sukses Kosovën kundër agresionit të mundshëm serb.

Veçernji List: Pavarësisht nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare?

Kryeministri Kurti: Ne gjithmonë llogarisim në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë duhet të kemi edhe forcat tona. Ne aspirojmë të anëtarësohemi në NATO, për të mirën tonë, por edhe për kontributin tonë.

Veçernji List: Sa i përket Gjykatës në Hagës, ju keni ende disa persona në burg, Thaçin, Veselin dhe disa gjeneralë të tjerë, çfarë po bën qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim dhe a besoni në pafajësinë e tyre?

Kryeministri Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor.

Veçernji List: Pse nuk dëshiron të nënshkruajë Aleksandar Vuçiq?

Kryeministri Kurti: Sepse ai e di që marrëveshja që e ka pranuar përfaqëson njohjen de facto të Kosovës. Ai e ka pranuar marrëveshjen për të mos e nënshkruar dhe nuk e ka nënshkruar për të filluar pastaj shkeljen e marrëveshjes, siç bëri në Këshillin e Evropës kur votuan kundër Kosovës më 24 prill të këtij viti. E anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës u nevojitet serbëve të Kosovës, por jo Beogradit zyrtar. Ne kemi bërë një marrëveshje më 2 maj të këtij viti në të cilën kemi thënë se duhet të hapen arkivat e luftës së fundit për të ditur sa më shumë për personat e zhdukur me forcë. Andin Hoti, i cili është kryetar i komisionit të qeverisë sonë për personat e zhdukur dhe është djali i të zhdukurit Ukshin Hoti, i ka dërguar një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ka kërkuar, duke u mbështetur në këtë marrëveshje, të hapen arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse kryesore për shumë masakra në rajonin e Drenicës dhe për fatin e shumë personave të zhdukur, por ai nuk ka marrë asnjë përgjigje për këtë. Kemi 1617 të zhdukur nga lufta e fundit.

Veçernji List: A ka mundësi që së shpejti të takoheni me Aleksandar Vuçiqin?

Kryeministri Kurti: Herën e fundit që ishim në Bruksel, më 22 qershor, ai nuk donte të takohej me mua. Kemi pasur dy takime dypalëshe, unë në njërën anë, Vuçiq në anën tjetër, me Borrellin dhe Lajçakun. Vuçiq nuk është as konstruktiv dhe as i interesuar për bisedime që do të çonin në zbatimin e marrëveshjeve tona.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *